Gjesti ‘merr’ Eglin në Mitrovicë, fansat rindizen sërish

Në koncertin e mbrëmshëm në Mitrovicë, Gjesti është pritur me dashuri të madhe nga fansat, të cilët i dhuruan një palë syze të personalizuara me emrat “Gjesti” dhe “Egli”, të shkruar në secilin xham me një zemër mes tyre.

Artisti i vendosi syzet gjatë performancës dhe madje u pa me to edhe në prapaskenë, duke krijuar një moment që u shpërnda menjëherë në rrjete sociale.

Por kjo shfaqje publike dashurie ka rikthyer në vëmendje një detaj: Gjesti dhe Egli e kanë hequr njëri-tjetrin nga ndjekja në Instagram që prej disa ditësh.

Kjo ka bërë që ndjekësit të ndahen mes atyre që shpresojnë për një rikthim dhe të tjerëve që dyshojnë se raporti ka marrë fund, pavarësisht nostalgjisë së fansave.

Kamera e fshehtë në Francë, shqiptari godet aktorin, videoja bëhet virale në rrjet

Një incident i pazakontë dhe tepër i komentuar është regjistruar në rrugët e Francës, ku një shqiptar është bërë objekt i një “pranku” nga një francez, por reagimi i tij i menjëhershëm e ka kthyer videon në virale.

Në pamjet e filmuara, shihet një i ri shqiptar me veshje sportive dhe kapuç që ecën i qetë në rrugë, derisa i afrohet një prankster – i cili i bën një lëvizje provokuese me dorë, si për ta trembur. Pa e menduar dy herë, shqiptari reagon menjëherë, e shtyn me forcë autorin e rrengut dhe e përball verbalisht, duke e detyruar të tërhiqet i habitur.Situata tensionohet për disa sekonda, ndërsa në sfond dëgjohet dikush duke qeshur – me shumë gjasë kameramani që po filmonte për rrjetet sociale. Por ndryshe nga sa ndodh zakonisht me videot e kësaj natyre, reagimet në rrjet kanë qenë kryesisht në mbështetje të shqiptarit.

Komentuesit vlerësojnë qëndrimin e tij, duke e konsideruar reagimin si “të merituar” dhe një përgjigje të drejtë ndaj provokimeve të panevojshme, që shpesh e kalojnë kufirin e argëtimit. Të tjerë kanë kritikuar “prankstera” që, në emër të klikimeve, rrezikojnë përballje fizike me të panjohur në rrugë.

Ngjarja është një tjetër shembull i kufirit gjithnjë e më të paqartë mes humorit dhe provokimit, veçanërisht në epokën e rrjeteve sociale ku çdo reagim mund të kthehet në spektakël

“E mbajte fjalën”/ Danja fton në dasmën e motrës Jozin, ish-banori shfaqet duke kënduar

Jozefin Marku ka qenë i ftuar në dasmën e motrës së Danja Koka, ish banore e Big Brother Albania Vip 4.

Në videot e ndara në rrjetet sociale nga vetë modelja, shihet Jozefin Marku duke kënduar.

“Joz Marku e mbajte fjalën”, shkruan Danja krahas videos së postua në insta-story.

Në shtëpinë e Big Brother dyshja ka pasur marrëdhënie relativisht të mira me njëri-tjetrin.

Misteri i υ▪︎ekjes së 20-vjeçares italiane në një festë/ Avokati hedh dyshime: “Pse vila ishte e pastër pa asnjë gjurmë?!”

Vdekja tragjike e Simona Cinà, një 20-vjeçare volejbolliste nga Capaci, ka tronditur opinionin publik italian dhe ka hapur një hetim të thelluar penal nga autoritetet e Termini Imerese. E reja humbi jetën natën e së shtunës në një festë diplome në një vilë me qira në Bagheria, pranë Palermos, ku ndodheshin rreth 80 të rinj.

Sipas dëshmive, Simona kishte dërguar një mesazh nënës së saj rreth orës 01:00, duke i thënë se do të futej në pishinë dhe se nuk do ta kishte me vete celularin. Më pas, rreth orës 04:10, u telefonua urgjenca. Ajo u gjet pa shenja jete në ujë dhe u nxor nga pishina mes përpjekjesh të pasuksesshme për ta shpëtuar.

Por çfarë ka ndodhur vërtet? Avokati i familjes hedh dyshime serioze. Ai pyet si është e mundur që askush nuk e vuri re për minuta të tëra një trup në një pishinë të vogël, në një hapësirë me qindra të rinj. Për më tepër, pse ishte vila e pastër, pa asnjë gjurmë alkooli, megjithëse festa ishte organizuar me paralajmërime për konsum masiv pijesh?

Sipas hetimeve, dikush kishte pastruar vendin e ngjarjes para mbërritjes së policisë. Shishet e ujit ishin mbledhur, dhe nuk kishte asnjë shenjë që të tregonte për praninë e alkoolit në vendngjarje – ndryshe nga videot dhe mesazhet paraprake që flisnin për një “mbrëmje të çmendur”.

Gjurmë gjaku janë zbuluar në vendin e ngjarjes, ndërkohë që një i ri ka pretenduar se është dëmtuar vetë duke goditur një karrige. ADN-ja e tij po krahasohet për të verifikuar nëse gjurmët janë të tijat.

Ndërsa pritet raporti zyrtar i autopsisë, pyetjet mbeten pezull: A ishte vërtet një aksident? Pse u pastrua vendi? Çfarë po fshihet dhe kush ka interes të zhdukë provat? Familja e Simonës kërkon të vërtetën. Dhe drejtësia tani ka barrën për ta zbardhur këtë mister.

“Ik se do vdesësh”/ Flet fermeri në Pukë: U zgjuam me krisma armësh, jemi të traumatizuar

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Munellë të Pukës, ku u qëllua me armë zjarri pranë banesës së tij, ka reaguar vetë fermeri Erjon Nikolli, duke treguar përjetimet e familjes dhe frikën që ka kapluar të gjithë.

“Dje u zgjuam me krisma armësh. Këtu rri me nusen, kam pasur edhe kunatën dhe fëmijët ngjitur. Jemi të traumatizuar, nuk mund ta besoj që diçka e tillë mund të na ndodhë,” u shpreh Nikolli për News24.

Ai sqaroi se është një fermer që merret vetëm me bagëti dhe se e vetmja përplasje që ka pasur ka qenë një konflikt verbal me një bashkëfshatar.

“Thirrja ime për institucionet është të më japin një zgjidhje. Kam ardhur nga emigrimi, kam investuar në bagëti për të siguruar të ardhmen e familjes. Nuk kërkoj asgjë tjetër, vetëm të punoj dhe të jetoj i qetë,” theksoi ai.

Ngjarja ka lënë gjurmë të thella edhe te bashkëshortja e tij, e cila është në muajin e nëntë të shtatzënisë.

“Jam e traumatizuar. Duke marrë parasysh edhe gjendjen në të cilën ndodhem, është e domosdoshme që të merren masa,” tha ajo.

Ndërkohë, policia vijon hetimet, pasi në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja si dhe një mesazh kërcënues i shkruar në një gur: “Ik se do të vdesësh”. Ende nuk ka persona të ndaluar për këtë ngjarje.

Alex Soros dhe bashkëshortja Huma Abedin në Dhërmi, Rama darkon me çiftin

Filantropi Alex Soros ka zgjedhur të kalojë pak kohë pushime në Shqipëri, pas dasmës me Huma Abedin në qershor të këtij viti. Soros bashkë me bashkëshorten e tij, Huma Abedin raportohet se ndodhen prej dy netësh në jug të vendit, konkretisht në Dhërmi.

Çiftit Soros-Abedin iu është bashkuar mbrëmjen e djeshmë edhe kryeministri Edi Rama. Në foton e mëposhtme të siguruar nga Syri Tv, shihet Rama i ulur në tavolinë përballë me çiftin, teksa darkojnë në një restorant luksoz në zonë.

Burime për Syri Tv bëjnë me Sor dhe gruaja e tij kanë mbërritur në vendin tonë dy net më parë me një jaht luksoz që e ka ndaluar në Sarandë. Gjithashtu thuhet se çifti po qëndrojnë në një nga vilat qeveritare në Dhërmi, pasuri publike e vendosur në dispozicion të miqve personalë të kryeministrit Rama.

Vizita ngre pikëpyetje serioze mbi përdorimin privat të aseteve shtetërore nga ana e kryeministrit dhe mungesën e çdo sqarimi publik për transparencë lidhur me arsyet e qëndrimit të figurave si Soros dhe Abedin në Shqipëri.

‘Erëra deri në 145 km/orë!’ Meteorologët lëshojnë arlarmin: Ndërprerje energjie dhe anulime fluturimesh!

Një paralajmërim portokalli për erën është lëshuar në Skoci, ndërsa stuhia Floris pritet të godasë Mbretërinë e Bashkuar të hënën, me erëra që do të arrijnë në 145 km/orë.

Stuhia do të sjellë “erëra të pazakonshme dhe shqetësuese” në shumë pjesë të Skocisë, thotë Zyra Meteorologjike. Pritet që era të arrijë 80 deri në 115 km/orë në shumë zona dhe do të arrijë 145 km/orë në bregdet.

Paralajmërimi portokalli është në fuqi nga ora 10:00 deri në 22:00 të hënën, ndërsa një paralajmërim i verdhë është në fuqi për të njëjtën ditë në veri të Anglisë dhe Irlandës së Veriut, nga ora 6 e mëngjesit deri në mesnatë. Në zonat ku është paralajmërimi portokalli, Zyra Meteorologjike paralajmëron “lëndime dhe rrezik për jetën nga valët e mëdha dhe mbetjet që hidhen mbi rrugët bregdetare dhe pronat”.

Mund të ketë anulime në linja të ndryshme udhëtimi pasi rrugët, hekurudha, shërbimet ajrore dhe ato detare mund të ndikohen. Zyra Meteorologjike paralajmëroi gjithashtu se mund të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

Trump kërcënon Rusinë me sanksione të forta: Afati 10-ditor po mbaron!/ Çfarë do të ndodhë realisht?

Pak kohë pasi i dha Rusisë një afat prej dhjetë ditësh për ta ndalur luftën në Ukrainë, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi qartë më 31 korrik se Shtetet e Bashkuara do të “vendosin sanksione” ndaj Moskës për shkak të mungesës së përparimit drejt një armëpushimi apo marrëveshjeje paqeje me Kievin.

Në të njëjtën kohë, ai tha se nuk është e qartë nëse ndëshkimet financiare do ta shtyjnë presidentin rus, Vladimir Putin, drejt një armëpushimi dhe u tha gazetarëve se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, do të udhëtojë drejt Moskës pas një vizite në Izrael, ku kishte arritur më 1 gusht.

Nëse Trumpi vendos sanksione ndaj Rusisë para ose pas afatit dhjetëditor, që pritet të skadojë më 8 gusht, do të ishte hera e parë që ai do të penalizonte Kremlinin pas më shumë se gjashtë muajsh që kur nisi mandatin e dytë presidencial. Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, Trump kishte premtuar se shpejt do të ndërmjetësonte përfundimin e luftës më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

Kërcënimi për sanksione të reja vjen teksa Rusia po përparon në fushëbetejë dhe po godet qytetet ukrainase me sulme ajrore, përfshirë një sulm me raketa dhe dronë që vrau të paktën 31 persona – pesë prej tyre fëmijë – në Kiev gjatë kësaj jave. Këto sulme të vazhdueshme Trump i quajti “të neveritshme” gjatë një deklarimi më 31 korrik.

A do të bëjë Witkoff ndryshimin?

Teksa Trump la të kuptohet se vendosja e sanksioneve tani është e pashmangshme, dërgimi i Witkoffit në Rusi – i cili që nga janari është takuar disa herë me Putinin – mund të jetë përpjekja e fundit për ta shtyrë Kremlinin të lëvizë nga qëndrimet para skadimit të afatit.

Por, gjasat për këtë duken të vogla, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se bisedimet e paparalajmëruara gjatë kësaj jave “me disa njerëz të afërt të Putinit” nuk sollën asnjë përparim “në arritjen e një mirëkuptimi për një rrugë përpara që do të çonte drejt paqes”.

Tri runde bisedimesh të drejtpërdrejta në Stamboll gjatë majit dhe qershorit po ashtu nuk i afruan Rusinë dhe Ukrainën në çështjet kryesore që pengojnë arritjen e një armëpushimi apo të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes.

“Rusia nuk do të bëjë më asnjë lëshim”, tha për Current Time më 1 gusht komentatori politik me seli në Pragë, Ivan Preobrazhensky.

“Kremlini e kuptoi se Trumpi e ka marrë vesh që po e mashtrojnë. Si rezultat, Moska po përgatitet për një prishje të marrëdhënieve – duke u kthyer në formatin që ishte rreth gjashtë muaj më parë, gjatë presidencës së Joe Bidenit”.

Ana tjetër e medaljes: Putin mund ta shohë vizitën e Witkoffit si një mundësi për të bindur Shtëpinë e Bardhë që të tërhiqet nga kërcënimi për sanksione ose të ndryshojë rrjedhën aktuale, duke vendosur një pjesë të madhe të fajit te Kievi për mungesën e përparimit drejt paqes, siç kishte bërë Trumpi deri në javët e fundit, kur nisi të shprehte gjithnjë e më shumë zemërim ndaj Rusisë.

Edhe pse kohët e fundit Trump ka drejtuar kritikat e tij ndaj Moskës, ai ka theksuar gjithashtu se për të arritur një marrëveshje duhen dy palë, dhe se Ukraina duhet të bëjë “atë që duhet bërë” për t’i dhënë fund luftës.

“Të dyja palët, si Rusia ashtu edhe Ukraina, duhet të negociojnë një armëpushim dhe një paqe të qëndrueshme. Ka ardhur koha për marrëveshje”, tha më 31 korrik John Kelley, ushtrues i detyrës së përfaqësuesit të SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

Edhe pse Ukraina është pajtuar me një armëpushim të propozuar nga Trumpi, Rusia nuk është pajtuar. Por, Moska mund ta shohë si mundësi këtë që ta shtyjë Uashingtonin për t’i bërë presion Kievit për koncesione.

Çfarë sanksionesh, dhe a do të funksionojnë?

Trump nuk ka treguar saktësisht se çfarë sanksionesh planifikon të vendosë, por ka bërë të qartë se ato mund të përfshijnë “tarifa shumë të ashpra” ndaj vetë Rusisë dhe, siç tha më 28 korrik, “ndoshta… tarifa dytësore” ndaj vendeve që tregtojnë me Moskën.

Të parat, pra tarifat ndaj Rusisë, do të kishin pak ndikim, sipas analistëve, pasi ata argumentojnë se vëllimi i tregtisë SHBA-Rusi është i vogël. Por, tarifat dytësore mund të jenë shumë më domethënëse, sidomos kur bëhet fjalë për naftën dhe gazin, eksportet më fitimprurëse të Rusisë. Në një intervistë për Fox News Radio, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se eksportet e naftës i sjellin Rusisë “një pjesë të madhe” të të ardhurave.

Megjithatë, ka rreziqe: Kina, India dhe Turqia janë blerësit më të mëdhenj të naftës së papërpunuar ruse dhe gjithashtu ndër klientët kryesorë për produktet e saj të rafinuara. Prandaj, tarifat dytësore mund të ndërlikojnë marrëdhëniet me këto vende.

Ndërkaq, përfitimet nga këto veprime mbeten të pasigurta, pasi Kremlini nuk po jep asnjë shenjë se është i gatshëm të bëjë lëshime, ndërsa Kina duket e painteresuar të heqë dorë nga mbështetja për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Rubio tha se presidenti Trump ka “shumë opsione,” përfshirë sanksionet dytësore ndaj shitjeve të naftës ruse dhe “sanksione sektoriale ndaj sistemit bankar, që do të ishin gjithashtu shumë të fuqishme”.

Por, gjatë deklarimit më 31 korrik, vetë Trump e minimizoi mundësinë që masat ndëshkuese ta bindin Putinin.

“Nuk e di nëse sanksionet e shqetësojnë atë”, tha ai.

A do të tregojë interes Trumpi apo do të tërhiqet?

Përveç sanksioneve, një pyetje thelbësore është nëse Trump do të vazhdojë të tregojë interes për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës në muajt në vijim, apo do të tërhiqet, siç ai vetë dhe zyrtarë të tjerë të administratës amerikane kanë sugjeruar vazhdimisht se mund të ndodhë.

Në një moment të caktuar, Trump do të duhet të vendosë “nëse ia vlen të vazhdohen përpjekjet për të arritur armëpushim, nëse njëra nga dy palët nuk është e interesuar për të”, tha Rubio, duke shtuar se “është e qartë se presidenti nuk do të presë në pafundësi”.

Që para zgjedhjes së tij në postin e presidentit, Trump kishte lënë të kuptohej se mund të përdorte një kombinim të sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbështetjes për Kievin, kryesisht përmes furnizimit me armë, për të shtyrë të dyja vendet drejt një marrëveshjeje të paqes.

Sa i përket çështjes së armëve për Kievin, mbetet e paqartë se sa larg është i gatshëm të shkojë presidenti Trump. Më 14 korrik, kur ai vendosi një afat prej 50 ditësh për paqe – afat që këtë javë e shkurtoi në 10 ditë – ai po ashtu njoftoi për plane për të forcuar arsenalin e Ukrainës, por jo përmes dërgesave të drejtpërdrejta të armëve.

Në vend të kësaj, ai përmendi një marrëveshje, sipas së cilës vendet anëtare të NATO-s do të dërgonin armët ekzistuese, si sistemet raketore Patriot, në Ukrainë dhe më pas do t’i zëvendësonin ato duke blerë armë të reja nga SHBA-ja, ose thjesht do të blinin armë amerikane dhe do t’ia dërgonin ato Kievit.

Por, ka pikëpyetje se sa armë do të arrijnë në Ukrainë në këtë mënyrë në të ardhmen e afërt, dhe sa shpejt do të dorëzohen ato.

Ndërkohë, Trump nuk ka autorizuar ende dërgesa të reja armësh për Ukrainën përmes një programi që ishte përdorur shpesh nga paraardhësi i tij, Joe Biden, e që i jep presidentit të drejtën të dërgojë armë nga stoqet ekzistuese. Kur Trump mori detyrën, ishin rreth 4 miliardë dollarë në Autoritetin Presidencial (PDA).

Çfarë do të ndodhë në fushëbetejë?

Forcat ukrainase kanë bërë pak përparim në fushëbetejë që nga dështimi i kundërofensivës së madhe në vitin 2023. Që atëherë, Rusia ka vazhduar të marrë territore shtesë, megjithëse ka përparuar ngadalë dhe me një kosto të madhe në njerëz.

Kur Trump vendosi afatin 50-ditor më 14 korrik, kritikët paralajmëruan se kjo do t’i jepte Rusisë më shumë kohë për të përparuar edhe më tej, përpara se të përballej me sanksione apo masa të tjera, duke e dobësuar pozicionin e Kievit në çdo bisedim rreth territoreve.

Afati më i shkurtër i ul këto shqetësime dhe analistët thanë se, në çdo rast, Rusia nuk e ka kapacitetin që të marrë në tërësi atë që në mënyrë të pabazuar pretendon se është territor i saj – rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhjës dhe Hersonit, përveç Krimesë – në një të ardhme të afërt.

Megjithatë, deri tani, Rusia nuk ka treguar asnjë shenjë se do të tërhiqet nga përpjekjet për të avancuar në terren dhe nuk ka asnjë tregues se afati i 8 korrikut – apo sanksionet që me gjasë do të pasojnë – do ta ndryshojnë qasjen e saj.

AFP, më 1 gusht, duke cituar një hulumtim që ka kryer, raportoi se Rusia ka lëshuar më shumë dronë ndaj Ukrainës në korrik sesa në cilindo muaj tjetër që nga fillimi i pushtimit në vitin 2022.

Po atë ditë, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se objektivat e Moskës në këtë luftë mbeten të pandryshuara, ndërsa pohoi se forcat ruse po përparojnë përgjatë gjithë vijës së frontit, pavarësisht, siç e quajti ai, dëshirës së Perëndimit për të ndalur avancimin e tyre.

“Në muajt e ardhshëm, Rusia do ta rrisë presionin ndaj Ukrainës dhe, natyrisht, do të përpiqet të nisë një ofensivë të re para se të nisë i ftohti”, tha Ivan Preobrazhensky për Current Time, rrjetin televiziv në gjuhën ruse që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë./REL

Dalin PAMJET/ I riu vrapon me armë në dorë pas atentatit në zonën e Freskut në Tiranë

Në foton e mësipërme është momenti kur 26-vjeçari Klejvis Caka alias Lusha largohet me vrap, pasi ka plagosur me armë zjarri 28-vjeçarin, Jukled Abazi në zonën e Freksut në kryeqytet, mbrëmjen e së shtunës.

Siç mund ta shihni në këto PAMJE të siguruar nga TV Klan, fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonë, autori tashmë i shpallur në kërkim në dorë ka pistoletën me të cilën qëlloi 28-vjeçarin.

Për ngjarjen në fjalë, blutë e kryeqytetit njoftuan ditën e sotme arrestimin e 27-vjeçarit Xhonatan Qerimi, ndërsa u shpall në kërkim dhe miku i tij, 26-vjeçari Andi Gurra. Të dy ata akuzohen se kanë ndihmuar autorin pas ngjarjes dhe mbi ta rëndon akuza për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.

28-vjeçari, Jukled Abazi po lëvizte me automjetin e tij tip Mercedes Benz kur u qëllua me armë zjarri nga Klejvis Caka. Pas plagosjes i riu braktisi makinën e tij dhe u dërgua në spitalin e Traumës nga i kunati i tij.

Nga hetimet e deritanishme, policia dhe prokuroria e Tiranës ka dyshime se ngjarja ka ardhur pas një konflikti për motive të dobëta mes autorit dhe të plagosurit. Ky i fundit vijon të jetë në kujdesin e bluzave të bardha të spitalit të Traumës, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

SHBA dërgoi nëndetëse drejt Rusisë, mediat e huaja zbardhin dinamikën: Trump u provokua, ja si Putin…

Tensionet mes SHBA-ve dhe Rusisë konsiderohen në pikën më të lartë.

Kështu shkruan gazeta italiane La Repubblica e cila i referohet deklaratës së fundit të presidentit amerikan Donald Trump që urdhëroi dislokimin e dy nëndetëseve bërthamore “pranë Rusisë” si përgjigje ndaj deklaratave të ish-presidentit rus Medvedev.

Sipas La Repubblica më shumë se një paralajmërim për Medvedev, lëvizja e Trump ishte një paralajmërim për Putin.

Presidenti rus, gjatë një vizite në Kareli bashkë me presidentin bjellorus Lukashenko, kishte njoftuar se “deri në fund të vitit” do të vendoste në Bjellorusi raketat e reja me rreze të mesme veprimi “Oreshnik”, të afta për t’u pajisur me koka bërthamore dhe të paaksesueshme deri më sot nga sistemet mbrojtëse, një paralajmërim për shtetet evropiane “të gatshme” që mbështesin dhe furnizojnë me armë Kievin.

Bashkë me ashpërsimin e retorikave, thotë La Republica, Trump nuk i ka lënë mënjanë as përpjekjet diplomatike. Gjatë javës që vjen, presidenti amerikan pritet të çojë në Moskë të dërguarin e tij për negociata, Witkoff.

Putin ka afat deri të premten për të bërë hapa domethënës drejt përfundimit të luftës në Ukrianë, pasi atëherë përfundon afati i ultimatumit të Trump, e nëse Putin nuk reflekton, Trump mund të shpallë “sanksione të reja”.