Një tjetër tërmet me magnitudë 7.4 godet Rusinë

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 goditi pranë bregdetit lindor të rajonit Kamchatka në Rusi.

Epiqendra u regjistrua 111.7 kilometra në lindje të Petropavlovsk-Kamchatsky, në një thellësi prej 39 kilometrash.

Deri tani nuk ka raportime për dëme të mëdha apo persona të lënduar.
Megjithatë, Sistemi i Paralajmërimit për Cunami i Paqësorit njoftoi për rrezikun e mundshëm të një cunami.

Më 20 korrik 2025, Gadishulli i Kamchatkas u trondit nga pesë tërmete të fuqishme, ku më i forti arriti magnitudën 7.4.

Njëri i bie postbllokut me mjet e tjetri shtyp me gomë këmbën e efektives së qarkullimit, arrestohen dy persona në Tiranë

Policia e kryeqytetit ka arrestuar dy shtetas për sjellje të rrezikshme në rrugë dhe kundërshtim ndaj punonjësve të rendit, në dy incidente të ndara të ndodhura në zonat e Komisariatit Nr. 1 dhe Nr. 2.

Në një rast të ndodhur në rrugën “Dervish Hima”, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin A. S., 20 vjeç, pasi u kap duke kryer manovra të rrezikshme me automjetin e tij. I riu injoroi urdhrin për ndalim të patrullës dhe përshpejtoi mjetin, duke përplasur automjetin e policisë dhe duke rrezikuar seriozisht jetën e efektivëve në detyrë.

Ndërkohë, në një incident tjetër, specialistët e Komisariatit Nr. 2 arrestuan shtetasin J. H., 42 vjeç, pasi kishte parkuar automjetin në mënyrë të parregullt dhe kishte penguar qarkullimin. Kur iu kërkua të zhvendoste mjetin, ai kundërshtoi ndërhyrjen e punonjësve të policisë dhe në përpjekje për t’u larguar, me gomën e automjetit i shkaktoi lëndime në këmbë një efektiveje të policisë.

Të dy ngjarjet janë referuar për ndjekje të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Policia e Tiranës thekson se çdo veprim i tillë ndaj forcave të rendit do të përballet me forcën e ligjit.

Shembja e bujtinave në Valbonë/ Banorët në lot: 30 vite votë për Ramën, e sot na pushkaton

Aksioni i prishjes së bujtinave në Valbonë ka vijuar sërish sot me ndërhyrjen e IKMT dhe forcave të rendit, duke shembur godina të ndërtuara prej druri nga banorët vendas. Një çift i moshuarish, që jeton prej vitesh në Valbonë, duke folur për Syri Tv, kanë shpërthyer në lot dhe akuza të forta ndaj qeverisë, ndërsa bujtina e tyre tre-dhomëshe, po përgatitet për shembje.

“As serbi nuk na e bënte këtë! Jemi në tokën tonë, në shtëpinë tonë! Është gjynah, jemi shqiptarë, shqiptari shqiptarit nuk ja bën këtë! Ky është gazep!”, thotë burri i moshuar.

Ai tregon se ndërtimi është bërë me para borxh, se fëmijët i ka jashtë shtetit dhe kjo bujtinë ishte i vetmi burim jetese.

“Këto i kemi me mund. I kemi paguar gjithçka, edhe dritat. Kur po e ndërtonim, erdhi policia dhe na tha ‘ju ecët mbarë’. E sot, na shembin gjithçka! Me mirë të na kishin pushkatuar!”, shprehet ai.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij, me sytë me lot, shton:“Këto shtëpi pa na vra nuk shemben. Janë me lagështirë, me baltë, punojmë për një copë bukë. Këtë vit i bëmë, e e dinim ku ishim. E sot ja ku jemi… pa mëshirë.”

Të dy kërkojnë që qeveria të ndalë këtë masakër të ndërtimeve të thjeshta që i shërbejnë turizmit dhe mbijetesës së banorëve vendas.

“30 vite ja kam dhënë votën këtij Ramës, e sot më më pushkatoi! Nuk e prisja këtë, nga vet shqiptarët! Kërkojmë vetëm të mos na i prishin është gjynah,” thanë ata.

Pamje që të lënë pa fjalë/ Autostrada kthehet në një pistë garash, shoferi 70-vjeçar fluturon mbi gjashtë korsi

Gjatë orës së pikut të trafikut, një makinë u ngrit plotësisht në ajër mbi një autostradë të ngarkuar në Nju Jork, duke fluturuar mbi gjashtë korsi trafiku dhe gjithçka u kap në kamera.

Një shofer 70-vjeçar papritmas shpejtoi dhe u hodh nga një kodër në Long Island rreth orës 5 pasdite të mërkurën, më 3 shtator. Banorët u habitën nga pamjet e kamerës së makinës me tym të kapura nga dëshmitari Joseph McGrath.

“Një makinë doli nga askund dhe u hodh mbi autostradë para meje”, tha McGrath për Storyful. Një dëshmitar tjetër në Sunrise Highway, Brandon Hyacinthe, e përshkroi incidentin tronditës për News12 New York.

“Duket si një meteor që kalon nëpër autostradë. Në fillim nuk e dija që ishte një makinë”, tha Hyancinthe për limuzinën Honda.

Para se të kalonte pranë makinave në të dyja anët e rrugës, shoferi po shkonte drejt jugut në Pine Acres Boulevard.

“Ai pati një krizë shëndetësore, që bëri që të humbiste kontrollin dhe të fluturonte lart në argjinaturë në rrugën e shërbimit, mbi të dyja korsitë, atë perëndimore dhe lindore”, tha për New York Post, Dennison DeNatalie i departamentit të zjarrfikësve të Bay Shore.

Mrekullisht, automjeti fluturues u përplas me një pemë, në anën e trafikut që vinte përballë. Shoferi arriti të ngrihej dhe të dilte nga makina dhe, për fat të mirë, pësoi vetëm lëndime të lehta.

U υra nga bashkëmoshatari, Ervin Salianji takohet me prindërit e 14-vjeçarit Martin Cani: Ngjarje të tilla s’duhet të harrohen kurrë, kambanë alarmi për të gjithë ne

Ish-deputeti PD-së, Ervin Salianji është takuar me prindërit e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u godit për vdekje me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj, krim i ndodhur më 18 nëntor 2024 pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë ku dy adoleshentët arsimoheshin.

Salianji shprehet se vrasja e Martin Canit ishte një dramë e rëndë që tronditi opinionin dhe trembi çdo familje.

Ai theksoi se ngjarje të tilla nuk duhet të harrohen kurrë, pasi janë kambanë alarmi për të gjithë ne.

“Sot isha për vizitë tek prindërit e mrekullueshëm të Martin Canit, për të nderuar kujtimin e tij dhe për të ndarë dhimbjen e tyre. Por kjo nuk mjafton. Institucionet kanë detyrimin të nxjerrin përgjegjësit, të mos fshehin fajet pas justifikimeve dhe paralelisht të ndërmarrin masa të qarta: ristrukturim të sigurisë në shkolla, praninë e psikologëve e punonjësve socialë në çdo institucion arsimor, dhe programe edukimi që parandalojnë dhunën mes të rinjve”, thekson ish-deputeti.

Postimi i plotë:

Para dyerve të shkollës u shua jeta e Martin Canit!Sot isha pranë prindërve të tij.

Shoqëria shqiptare ka plagë dhe traumat e saj, vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani pas një konflikti në shkollë ishte një dramë e rëndë që tronditi opinionin dhe trembi çdo familje. Ngjarje të tilla nuk duhet të harrohen kurrë, sepse janë kambanë alarmi për të gjithë ne

Sot isha për vizitë tek prindërit e mrekullueshëm të Martin Canit, për të nderuar kujtimin e tij dhe për të ndarë dhimbjen e tyre. Por kjo nuk mjafton. Institucionet kanë detyrimin të nxjerrin përgjegjësit, të mos fshehin fajet pas justifikimeve dhe paralelisht të ndërmarrin masa të qarta: ristrukturim të sigurisë në shkolla, praninë e psikologëve e punonjësve socialë në çdo institucion arsimor, dhe programe edukimi që parandalojnë dhunën mes të rinjve.

Shkolla duhet të jetë vendi ku fëmijët tanë rriten, mësojnë dhe ëndërrojnë të qetë – jo një vend ku rrezikojnë jetën. Kujtimi i Martin Canit duhet të shërbejë si thirrje për veprim, që të mos përsëriten më tragjedi të tilla.

Pas disa muajsh të ndarë, Jasir Asani pajtohet me të dashurën! Dyshja më të dashuruar se kurrë

Jasir Asani nuk po kalon një moment të mirë në karrierën e tij futbollistike, por duket në ditë të artë në jetën e tij personale. Gjatë ndeshjes me Letoninë, ai nuk mori asnjë minutë nga trajneri Silvinjo.

Sa i përket jetës personale duket se gjithçka shkon mirë më të dashurën e tij, Giota që tashmë e shoqëron kudo. Kujtojmë se çifti nuk ishte parë më së bashku, prej disa muajsh, duke fshirë edhe të gjitha fotot që kanë pasur së bashku në profilet e tyre të “Instagram”-it.

Nga ana tjetër, Giota dhe Jasiri, kishin hequr edhe ‘follow’ njëri-tjetrit, duke na zbuluar kështu për një ndarje mes tyre, por që mesa duket, nuk ka qenë përfundimtare. Në ndeshjen e fundit që ka pasur, Asani, Giota nuk kishte sesi të mungonte. Ajo ishte në stadiumin “Air Albania” për të mbështetur partnerin e saj, edhe pse anësori qëndroi në stol. Pas përfundimit të sfidës, ajo ka vrapuar në fushë për të takuar Asanin.

Giota ka ndarë një foto në “InstaStory” duke u puthur me Asanin, gjë që tregon edhe lidhjen e fortë mes tyre. Më pas fotoja është shpërndarë edhe nga futbollisti i Kombëtares shqiptare. Kujtojmë se në rrjetet sociale, çifti shfaqej thuajse gjithë kohës së bashku, herë në udhëtimet luksoze, herë gjatë vizitave të Giotës në Kore, apo edhe në stadium, ku ajo mbështeste të dashurin e zemrës. Por që nga muaji prill, postimet e tyre plot dashuri u fshin nga llogari e Jasirit, duke lënë të kuptohet se kjo histori është mbyllur njëherë e mirë. Çifti ishte bashkë prej 1 viti dhe duket se dyshja ishin më se të dashuruar.

Partnerja e tij ka folur edhe publikisht për këtë histori, duke zbuluar edhe si janë njohur. E gjitha filloi me një ‘follow’ në “Instagram” për t’u kthyer më pas në një dashuri të vërtetë.

“Dikur kam pasur një ‘Instagram’ publik dhe Jasiri më ndiqte aty. Nuk e dija deri sa një ditë ai vendosi të më shkruajë dhe pse dëshira ime nuk ishte për t’iu përgjigjur. Mirëpo, ai nuk hoqi dorë dhe pse unë mendoja shpesh mos t’i ktheja më përgjigje. E njihja kur ka luajtur me ekipin e Partizanit dhe unë shkoja shikoja ndeshjet se kam qenë tifoze me Tiranën. Lidhja me një futbollist është po aq e bukur por, dhe pak e vështirë në të njëjtën kohë”.

Futbollisti i njohur i Kombëtares shqiptare, Jasi Asani një vit më parë zbuloi për herë të parë se është i dashuruar. I pyetur nga gazetarja se a i shkruajnë më shumë vajza tani, futbollisti tregoi se tashmë numri i femrave që i dërgojnë mesazhe është rritur.

“Janë rritur goxha shumë”, – tha ai. “Si është zemra e Jasir Asanit për momentin përveç se me emocionin e madh për kombëtaren?”, – e pyeti moderatorja, ndërsa Asani tregoi: “E mbyllur”.

Futbollisti tregoi se është në një lidhje dashurie, teksa tha se vajza që i ka rrëmbyer zemrën është nga Tirana por nuk është një personazh i njohur shqiptar.

LAJM I FUNDIT/ Trump letër NATO-s: Bashkohemi kundra RUSISË

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka dërguar një letër vendeve anëtare të NATO-s, ku deklaron se është i gatshëm të vendosë sanksione të mëdha ndaj Rusisë, por vetëm nëse të gjitha shtetet e NATO-s ndalojnë blerjen e naftës ruse dhe marrin të njëjtin hap.

Trump propozon gjithashtu që NATO të vendosë tarifa nga 50 deri në 100 për qind ndaj Kinës.

Sipas tij, këto tarifa do të hiqen pas përfundimit të luftës në Ukrainë, pasi Kina ka ndikim të fortë mbi Rusinë.

Ai thotë se plani i tij do të përfundonte shpejt luftën dhe do të shpëtonte mijëra jetë. Në të kundërt, nëse NATO nuk vepron siç propozon ai, atëherë sipas Trump po humbet kohën dhe resurset e Shteteve të Bashkuara.

“Më të fortë se kurrë”! Nis operacioni i NATO-s ‘Roja Lindore’, publikohen pamjet

NATO ka nisur operacionin “Roja Lindore”, me qëllim forcimin e mbrojtjes së krahut lindor të aleancës, pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë rusë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Polake publikoi pamje ku shihet një avion francez A400 duke u ulur në aeroportin Minsk Mazowiecki, i cili transportoi armatim për avionët luftarakë Rafale tashmë të dislokuar në territorin polak.

Incidenti u regjistrua pasi 19 dronë rusë kaluan në hapësirën ajrore të Polonisë, duke shkaktuar dëme materiale. Disa prej tyre u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, ndërsa të tjerë ranë në fusha dhe një prej tyre goditi një banesë.

Varshava e ka cilësuar ndërhyrjen si të qëllimshme dhe një provokim të rrezikshëm, ndërsa Moska ka tentuar të minimizojë ngjarjen. Autoritetet polake e kanë përshkruar këtë si incidentin më të rëndë të këtij lloji që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë.

Kryeministri Donald Tusk deklaroi se Polonia po përballet me “situatën më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore”, duke theksuar nevojën për një përgjigje të fortë nga aleanca.

E rëndë/ Shpërthim i fortë në një lokal, raportohet për 21 të plagosur

Një shpërthim i fortë ndodhi sot në një kafene në kryeqytetin spanjoll, Madrid, duke plagosur 21 persona, tre prej të cilëve rëndë, sipas njoftimit të shërbimeve të emergjencës.

Shpërthimi ndodhi në orën 15:00 në lagjen Vayekas.

Hetimet fillestare tregojnë se shpërthimi lidhej me një rrjedhje gazi, e cila shkaktoi shembjen e katit të sipërm, duke e shkatërruar plotësisht hapësirën.

Sipas raportimeve fillestare, stabiliteti i ndërtesës nuk është në rrezik, siç raportohet nga “Elconfidencial”.

23-vjeçari i dehur i aksidentoi vajzat për υ dekje, babai: Nuk fal dot zemra e shpirti…

Me lot në sy, i shkatërruar nga humbja e dy vajzave, që u shuan në lule të rinisë në një aksident automobilistik, Riza Dhimaku dha një mesazh të fortë për emisionin “Për shqiptarët”.

Jeta e Elvisës dhe Rozinës u ndërpre pabesisht pasi një automjet i preu rrugën.

Në videomesazhin e tij, Rizai apelon për kujdes në drejtimin e mjetit, për të parandaluar tragjedi se kjo e familjes së tij.

“Të gjithë jemi me makina, të gjithë jemi shoferë. Pas atij aksidenti, kanë ndodhur aksidente të tjera në zonën tonë. Ju lutem ikni me mend në kokë, nuk ju ka borxh askush. Çdo gjë vjen nga shpejtësia dhe alkooli. Nuk ka gjë që mund ta falë, e gjykon Zoti. Unë mund ta fal, por nuk fal zemra, nuk fal shpirti… Sot më ndodhi mua, nesër mund t’i ndodhë një tjetri. Mos dëgjofshim më, mos ndodhshim më ngjarje të tilla”, theksoi Riza Dhimaku.