February 24, 2026
Lajme

8 dhjetori 1990: Sali Berisha, protagonist i lirisë apo misionar i Ramiz Alisë?

Kush e solli pluralizmin në Shqipëri?

Sot  mbushen plot 35 vite nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990, ngjarje që shënoi kthesën më të madhe historike për Shqipërinë pas diktaturës. Rreth 300 studentë marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës, me kërkesa për pluralizëm, liri fjale dhe demokraci. Por ndërsa studentët kërkonin të ardhmen, regjimi nisi menjëherë të punojë për të kontrolluar lëvizjen.

Më 9 dhjetor, përfaqësuesit e studentëve i paraqitën kërkesat e tyre presidentit të kohës, Ramiz Alia, ndërsa më 11 dhjetor, pas një takimi të mbyllur, u shpall pluralizmi politik dhe u hap rruga për themelimin e Partisë Demokratike. Por në këtë moment nisi edhe manipulimi: në vend të studentëve, doli në skenë Sali Berisha.

Të gjitha dëshmitë, përfshirë ato të Servet Pëllumbit, Ilir Demalias, Skënder Gjinushit dhe madje vetë Ramiz Alisë, tregojnë se Berisha nuk ishte frymëzues i Lëvizjes, por produkt i marrëveshjeve të nëndheshme me PPSH-në. Madje, vetë Alia kishte dhënë urdhër që agjentët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të infiltronin PD-në në embrion.

Në librin “Përmbysja e komunizmit”, Servet Pëllumbi citon Ramiz Alinë duke udhëzuar sekretarët e parë të PPSH që të aktivizojnë bashkëpunëtorët e Sigurimit për t’u futur në Partinë Demokratike. Objektivi ishte i qartë: të kontrollohej “partia e re” që sapo po lindte, dhe për këtë, njerëz si Sali Berisha u panë si zgjidhja perfekte.

Ilir Demalia, një nga zërat më të hershëm të protestës, ka deklaruar hapur se Berisha ishte misionar i Partisë së Punës, një njeri që e rrëmbeu protestën e pastër të studentëve dhe e shndërroi në trampolinë për karrierën e tij politike. Ndërkohë, Skënder Gjinushi ka rrëfyer se ishte vetë Ramiz Alia që e udhëzoi të shkonte te studentët “bashkë me Sali Berishën”, i cili priste në zyrat e Komitetit të Partisë.

Po ashtu, Xhelil Gjoni, ish-Sekretar i Parë i PPSH për Tiranën, e pranon publikisht se themeluesit e PD-së vinin në zyrën e tij për konsultime, e se “udhëzimet e dhëna” nga struktura e vjetër u zbatonin me përpikëri. Sipas tij, problemet lindnin vetëm kur studentë të lirë si Azem Hajdari shpërthenin jashtë linjës zyrtare.

Ironia më e madhe? Berisha vetë, në fjalimet e para, falënderonte publikisht Ramiz Alinë për mençurinë dhe guximin e tij në “demokratizimin e Shqipërisë”. Fjalët e tij janë të regjistruara, ndërsa sot, pas 35 vitesh, ai përpiqet ende ta shesë veten si themelues i demokracisë.

Ndërkohë, PD e sotme është bosh, pa asnjë nga emrat që e nisën atë betejë. Një pjesë kanë ndërruar jetë, të tjerë janë të harruar ose të përjashtuar, ndërsa shumë prej tyre u dëbuan pikërisht nga Berisha. Partia Demokratike sot është kthyer në një bunker të shkuarës, pa lidhje me idealet e studentëve të Dhjetorit. /Pamfleti