Media britanike Daily Mail i ka kushtuar një artikull një shtetasi shqiptar të akuzuar si vrasës profesionist me pagesë, i cili dyshohet se u fsheh për rreth dy vite në Mbretërinë e Bashkuar duke u paraqitur si bletar, për t’iu shmangur drejtësisë shqiptare.
Sipas Daily Mail, bëhet fjalë për Lorenc Lala, 48 vjeç, i cili akuzohet se ka porositur një vrasje si pjesë e një gjakmarrjeje në Shqipëri.
Ai u arrestua në qershor të vitit të kaluar, pasi autoritetet shqiptare e lokalizuan në Britani dhe lëshuan një kërkesë për ekstradim.
Artikulli i Daily Mail
Një vrasës profesionist me pagesë, i akuzuar për porositjen e një vrasjeje si pjesë e një gjakmarrjeje në Shqipëri, do të dërgohet përsëri në vendlindjen e tij pasi ka jetuar dy vjet në Britani pa u zbuluar.
Lorenc Lala, 48 vjeç, pretendoi se ishte bletar kur u arrestua në qershor të vitit të kaluar, pasi autoritetet shqiptare e gjurmuan në Mbretërinë e Bashkuar dhe lëshuan një urdhër për ekstradimin e tij.
Ai dyshohet se ka organizuar një pagesë prej 42.000 paundësh për vrasjen e Albi Bashaliut, si hakmarrje për vrasjen e një personi tjetër në fshatin Gjocaj.
Bashaliu po qëndronte ulur në një makinë duke shitur pula, kur u qëllua për vdekje në vitin 2021.
Mësohet se Lala është larguar nga Shqipëria drejt Britanisë, me bindjen se do ishte një vend më i sigurt, jashtë mundësisë së zbatimit të urdhrit europian të arrestit.
Ai mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar me një fluturim të British Airways në gusht 2023, ndërsa bashkëshortja e tij aplikoi më vonë për një vizë si punëtore e kualifikuar në sektorin e kujdesit shëndetësor.
Lala u paraqit sot në Gjykatën e Magjistraturës së Westminster-it, ku pranoi ekstradimin e tij nga Britania drejt Shqipërisë.
Atij iu bë e qartë se pranimi i ekstradimit ishte i pakthyeshëm, por ai dha pëlqimin e tij, duke shmangur kështu një seancë të plotë dëgjimore dyditore.
Lala qëndroi në bankën e të akuzuarve i veshur me tuta gri dhe foli përmes një përkthyesi shqip.
Gjykatësi i distriktit, Sam Goozee, i tha: “Ju tani keni dhënë pëlqimin për ekstradimin në Shqipëri. Unë do ta dërgoj çështjen te Sekretarja e Shtetit (Ministrja e Brendshme) që ajo të urdhërojë ekstradimin tuaj. Ju nuk keni të drejtë ankimi ndaj këtij vendimi. Pasi Sekretarja e Shtetit të marrë vendimin, do të bëhen përgatitjet për dërgimin tuaj në Shqipëri. Ndërkohë, do të mbeteni në paraburgim”.
Bashkëshortja e Lalës kishte marrë pjesë në një seancë dëgjimore në korrik të vitit të kaluar, por nuk ishte e pranishme sot në sallë.
Harry Perkin, përfaqësues i qeverisë shqiptare, deklaroi më herët: “I pandehuri përballet me 25 vite burg nëse ekstradohet dhe shpallet fajtor. Në dhjetor 2021, Shqipëria e kërkoi për herë të parë. Ai dyshohej për komplot për vrasje, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë. Roli i tij ishte të siguronte mjetet e transportit për grupin kriminal, si dhe armët. Roli i tij ishte i rëndësishëm. Vrasja u krye si pjesë e një grupi të krimit të organizuar, në kontekstin e një gjakmarrjeje në Shqipëri. Ekziston rreziku që i pandehuri të arratisej. Z. Lala nuk u ka dorëzuar oficerëve pasaportë apo kartë identiteti”.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës, Matei Clej tha: “Në këtë fazë, detajet janë të pamjaftueshme për të ndihmuar gjykatën të kuptojë se për çfarë akuzohet ky person. Kjo është një çështje shumë e ekspozuar në media. Zotëria përshkruhet në mediat shqiptare si vrasës profesionist dhe lidhet me disa vrasje. Nëse ai është i përfshirë në këto vrasje, ekziston një nxitje shumë e madhe për ta nxjerrë nga kjo situatë. Qëndrimi im është se lidhja e tij me vrasjen për të cilën akuzohet është shumë e dobët. I pandehuri nuk është dënuar në Shqipëri dhe ka rekord penal të pastër. Ai ka kaluar periudha të shkurtra në Greqi dhe Itali, ku gjithashtu ka pasur rekord të pastër, ashtu si në Mbretërinë e Bashkuar, ku mbërriti në gusht 2023. Ai erdhi këtu pasi partnerja e tij aplikoi për vizë punëtori të kualifikuar në sektorin e kujdesit. Ata udhëtuan së bashku me British Airways; këtë informacion e dha policia kufitare shqiptare më 3 gusht 2023. Bashkëshortja e tij nisi procesin e aplikimit për vizë në maj 2025. Ata pretendojnë se erdhën në këtë vend për përmirësim ekonomik. Ajo ka status punëtore e kualifikuar dhe i pandehuri ndodhet këtu si vartës i saj. I pandehuri ka tre fëmijë, përfshirë një foshnjë. Ai ka punuar si shofer shpërndarjeje. Më parë ka punuar si bletar në sektorin bujqësor në Shqipëri, duke përdorur tokë me qira, dhe gjithashtu ka qenë menaxher hotelesh”.