nstituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit bën me dije se sot pasdite dhe nesër do të ketë reshje me intensitet të lartë kryesisht në veri dhe qendër të vendit.
Mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Ndërsa në Alpe ditën e sotme priten reshje dëbore.
PARASHIKIMI I RREZIKUT NGA PËRMBYTJET
Sot pasdite (e shtunë, dt. 03) do të ketë reshje me intensitet të lartë kryesisht në veri dhe qendër të vendit. Nesër në qarqet Shkodër dhe Kukës mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.
Sipas llogaritjeve të IGJEO përgjatë datave (3 -7 Janar 2026) priten reshje intensive, kryesisht në veri dhe jug të vendit. Këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.
PARASHIKIMI METEO
RESHJET
Sot pasdite (e shtunë, dt. 03) priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa në qarqet Lezhë, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Elbasan priten reshje mesatare deri lokalisht intensive shoqëruar me shtrëngata. Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare. (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Në Alpe ditën e sotme priten reshje dëbore.
TEMPERATURA
Sot (e shtunë, dt. 03) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 10 / 16 °C në vendet e ulëta: 7 / 15 °C në vendet malore: 3 / 11 °C
ERA
Sot pasdite (e shtunë, dt. 03) era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet.
Viti 2026 i rezervon Shqipërisë mundësinë e artë për të marrë pjesë në Kupën e Botës, me praninë e parë në play-off në mars për një biletë në këtë aktivitet.
Por nëse pjesa e parë e vitit i kushtohet tërësisht Botërorit, në pjesën e dytë të 2026, vëmendja do të jetë te ndeshjet e Ligës së Kombeve, me një ndryshim radikal të vendosur nga UEFA.
Kalendari ndërkombëtar për vitin 2026, parashikon që në pjesën e dytë të vitit, kur të luhet Liga e Kombeve, të ketë për herë të parë një “dritare të gjatë” të ndeshjeve ndërkombëtare. Kjo do të thotë që dritarja e ndeshjeve ndërkombëtare të shtatorit dhe të tetorit do të bashkohen.
Sipas asaj që ka parashikuar UEFA, ekipet kombëtare do të luajnë 4 ndeshje në periudhën 24 shtator-6 tetor, si dhe 2 ndeshjet e tjera në periudhën 12-17 nëntor të këtij viti.
Kjo është hera e parë kur aplikohet një dritare e përbashkët për shtatorin dhe tetorin nga UEFA, e cila e kishte parashikuar fillimisht një gjë të tillë vetëm për vitin 2027 pas kërkesave të klubeve evropiane që protestonin për vajtje-ardhjet e futbollistëve në pjesën e parë të edicionit.
Shqipëria në këtë edicion të Ligës së Kombeve merr pjesë në Ligën C dhe do të ketë si objektiv vetëm fitimin e grupit, pasi kësisoj mund të sigurojë të paktën pjesëmarrjen në play-off për EURO 2028.
Të shtunën mbrëma, spektakli i shumëpritur i “Big Brother VIP 5” pritet të rikthehet me një episod të mbushur me emocione të forta, surpriza të njëpasnjëshme dhe zhvillime të papritura që do të ndikojnë ndjeshëm në dinamikat e lojës. Prodhimi i këtij edicioni duket se ka përgatitur një mbrëmje të veçantë për publikun dhe banorët, duke rritur edhe më shumë kuriozitetin dhe tensionin brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Në promon zyrtare të publikuar në faqen e “Big Brother VIP” në rrjetin social “Instagram”, janë përmbledhur disa nga momentet më pikante dhe më të komentuara që kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit në shtëpi. Pamjet tregojnë debate, përballje emocionale dhe situata që kanë vënë në provë marrëdhëniet mes banorëve, duke lënë të kuptohet se loja po hyn në një fazë gjithnjë e më të ndërlikuar. Këto fragmente kanë shtuar interesin e publikut, i cili tashmë pret me padurim mbrëmjen e së shtunës.
Por surprizat nuk mbarojnë me kaq. Sipas asaj që paralajmërohet në promon e spektaklit, në shtëpinë e “Big Brother VIP” pritet të mbërrijë një letër e pazakontë, e cila besohet se do të ketë një ndikim të madh tek banorët. Ende nuk është bërë e ditur se kujt do t’i drejtohet kjo letër dhe çfarë përmbajtje do të ketë, por ajo ka ngjallur menjëherë dyshime, spekulime dhe diskutime të shumta mes ndjekësve të reality show-t.
Një tjetër element interesant që do të zbulohet gjatë spektaklit është hapja e një ambienti të ri brenda shtëpisë. Ky ambient, i cili deri më tani ka qenë i panjohur për banorët, pritet të ndryshojë rrjedhën e lojës dhe të sjellë sfida të reja. Ambientet e reja në “Big Brother” shpesh shërbejnë si pika kyçe për prova, përballje ose vendime të rëndësishme, ndaj zbulimi i tij është pritur me shumë kureshtje.
Përveç letrës dhe ambientit të ri, produksioni ka paralajmëruar edhe hyrje të reja në shtëpi. Banorë të rinj pritet t’i bashkohen lojës, duke “tronditur” balancat e krijuara deri tani. Hyrjet e reja zakonisht sjellin energji të freskët, por edhe tension, pasi konkurrentët aktualë duhet të përshtaten me personalitete të reja dhe strategji të panjohura.
Publiku tashmë është bërë jashtëzakonisht kurioz për të mësuar se kush do të jenë banorët e rinj dhe si do të ndikojnë ata në lojë. Në rrjetet sociale kanë nisur spekulime të shumta, ku fansat përpiqen të hamendësojnë emra të mundshëm dhe të parashikojnë reagimet e banorëve aktualë. Kjo atmosferë pritjeje ka shtuar edhe më shumë vëmendjen ndaj spektaklit.
“Në ditën e 14 agravon situata. Një letër e pazakontë pritet të mbërrijë në shtëpi. Një ambient i pazbuluar dhe disa hyrje të reja që do të trondisin banorët. Big Brother VIP, të shtunën ora 21:00”, thuhet në promon zyrtare të publikuar nga produksioni. Kjo deklaratë konfirmon se spektakli i së shtunës do të jetë vendimtar dhe plot zhvillime të rëndësishme.
Me gjithë këto elemente surprizë, mbrëmja e së shtunës pritet të jetë një nga episodet më interesante të këtij edicioni të “Big Brother VIP 5”, duke mbajtur të mbërthyer para ekranit mijëra teleshikues që ndjekin me vëmendje çdo hap të lojës.
Duke nisur nga 1 janari 2026, në tregun e sigurimeve në Shqipëri do të hyjë në zbatim sistemi bonus-malus për sigurimin e detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, një ndryshim i rëndësishëm që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në koston e policave për drejtuesit e mjeteve.
Ky sistem synon të vendosë një lidhje më të drejtpërdrejtë mes sjelljes së drejtuesit në rrugë dhe primit të sigurimit që ai paguan, duke ndëshkuar ata që shkaktojnë dëme dhe duke favorizuar, qoftë edhe në mënyrë më të moderuar, ata që kanë një histori të pastër drejtimi.
Sistemi bonus-malus nënkupton se drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar aksidente dhe dëme do të përballen me prime sigurimi më të shtrenjta krahasuar me tarifat aktuale. Në të kundërt, drejtuesit që nuk kanë shkaktuar dëme gjatë një periudhe të caktuar do të përfitojnë prime më të ulëta sigurimi.
Megjithatë, sipas ekspertëve të tregut të sigurimeve, ndikimi i këtij sistemi nuk do të jetë i barabartë për të dyja kategoritë. Rritja e primit për drejtuesit me histori dëmesh, të klasifikuar si “malus”, pritet të jetë ndjeshëm më e madhe, ndërsa ulja për drejtuesit pa dëme, të konsideruar si “bonus”, do të jetë më e kufizuar.
Ky ndryshim vjen pas një procesi disa-vjeçar përgatitor në nivel ligjor dhe rregullator. Në vitin 2024, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) miratoi rregulloren “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. Kjo rregullore hyri në fuqi më 1 janar 2025 dhe përbën bazën mbi të cilën kompanitë e sigurimit llogarisin primet e policave të detyrueshme motorike.
Megjithatë, edhe pse rregullorja hyri në fuqi në vitin 2025, në fazën e parë të zbatimit të saj sistemi bonus-malus nuk u përfshi ndër faktorët e riskut. Vendimi për ta shtyrë aplikimin e këtij parimi për në vitin 2026 u mor për t’i dhënë kohë tregut, kompanive të sigurimit dhe vetë drejtuesve të mjeteve që të përshtateshin gradualisht me ndryshimet e reja. Kështu, viti 2026 shënon momentin kur bonus-malus do të fillojë të ketë efekt konkret në çmimin e sigurimit të detyrueshëm motorik.
Aktualisht, në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë e sigurimit marrin në konsideratë një sërë faktorësh kryesorë risku. Ndër më të rëndësishmit është historiku i dëmeve, i cili përfshin edhe rastet kur drejtuesi ka shkaktuar aksident, por nuk është i shënuar si shkaktar në policën e sigurimit.
Po ashtu, në llogaritje përfshihen fuqia motorike e mjetit, mosha e të siguruarit, eksperienca e tij në drejtimin e mjetit motorik, si dhe fakti nëse mjeti përdoret nga një individ apo nga një subjekt juridik.
Faktorë të tjerë që ndikojnë në çmimin e primit janë qarku i regjistrimit të mjetit, i cili lidhet me frekuencën e aksidenteve në zona të caktuara, si dhe vjetërsia e mjetit, pasi mjetet më të vjetra konsiderohen zakonisht me risk më të lartë. Me hyrjen në fuqi të sistemit bonus-malus, historiku i dëmeve do të marrë një peshë edhe më të madhe në përllogaritjen finale të primit, duke e diferencuar më qartë koston mes drejtuesve “të kujdesshëm” dhe atyre “problematicë”.
Aplikimi i sistemit bonus-malus është i parashikuar edhe në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili ka hyrë në fuqi që në vitin 2021. Megjithatë, ligji e përcakton bonus-malus si një të drejtë të kompanive të sigurimit dhe jo si një detyrim të detyrueshëm për t’u zbatuar në mënyrë uniforme. Kjo do të thotë se, edhe pse sistemi hyn zyrtarisht në fuqi, mënyra konkrete e aplikimit dhe shkalla e diferencimit të primeve mund të ndryshojë nga një kompani sigurimi tek tjetra.
Në përfundim, hyrja në fuqi e sistemit bonus-malus nga 1 janari 2026 pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në tregun e sigurimeve motorike, duke nxitur përgjegjësi më të madhe te drejtuesit e mjeteve dhe duke penalizuar më fort ata që shkaktojnë dëme. Ndërkohë, drejtuesit me histori të pastër pritet të përfitojnë, edhe pse në një masë më të kufizuar, nga prime më të ulëta sigurimi.
Një ngjarje e rëndë dhune është raportuar të ketë ndodhur mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, ku dy emra të njohur të muzikës janë përfshirë në një konflikt fizik, me pasoja serioze për njërin prej tyre.
Sipas burimeve të Veriu.info, reperi Finem së bashku me një grup shokësh, dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj këngëtarit Butrint Imeri. Si pasojë e dhunes, Imeri raportohet se ka pësuar lëndime të konsiderueshme.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur pranë një hoteli në Prishtinë, në rrethana që ende mbeten të paqarta.
Burimet bëjnë me dije se për shkak të gjendjes shëndetësore, Imeri ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe është paraqitur për trajtim në QKUK, ku ka marrë asistencën e nevojshme.
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga vetë këngëtarët e përfshirë në këtë incident, ndërsa as motivet e konfliktit nuk janë bërë ende publike. Ngjarja ka ngjallur reagime dhe komente të shumta në rrjetet sociale, ku fansat shprehin shqetësim për gjendjen shëndetësore të Butrintit dhe kërkojnë sqarime të plota për atë që ka ndodhur.
Në përpjekje për të konfirmuar zyrtarisht rastin, Veriu.info ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë për Prishtinë, Agron Borovci.
Ky i fundit ka deklaruar se aktualisht nuk ka informacion të detajuar mbi ngjarjen, pasi ndodhet në pushim, por ka premtuar se do të përpiqet të sigurojë të dhëna shtesë.
Dy persona kanë humbur jetën në aksidentin trafiku që ndodhi sot pasdite në rrugën Mavrovë–Dibër, njoftoi policia.
Në ora 15:50, në DPB Gostivar është raportuar një aksident trafiku në rrugën rajonale Mavrovë–Dibër, ku një automjet pasagjerësh “Volkswagen Bora” me targa të Gostivarit, në pronësi të A.F. nga Gostivari, ka humbur kontrollin dhe ka rënë në lumin Radika.
Në aksident kanë humbur jetën shoferi dhe një pasagjer që ndodheshin në automjet.
Nga ora 18:30, qarkullimi në rrugën rajonale Mavrovë–Dibër është ndërprerë, njoftoi AMSM.
Ndërprerja është për shkak të nxjerrjes së automjetit që pas aksidentit përfundoi në lumin Radika, në afërsi të manastirit “Shën Jovan Bigorski”.
Zbardhen detaje të reja nga aksidenti tragjik që i mori jetën një 23-vjeçari shqiptar në Atikë, Greqi, mëngjesin e së premtes, 2 janar. Në qendër të vëmendjes janë dëshmia rrëqethëse e babait të viktimës dhe rrethanat e fundit që çuan të riun të largohej me një automjet tjetër, pak minuta para përplasjes fatale.
Dëshmia e babait: “Ishte komunikimi ynë i fundit”
Babai i 23-vjeçarit, duke folur për mediat greke, rrëfeu momentet e fundit të komunikimit me të birin, pa e ditur se ato do të ishin fjalët e fundit që do të shkëmbenin.
Sipas tij, djali e kishte njoftuar se do të shkonte në një kafene në shesh. Kur babai e telefonoi sërish, i riu i tha se do të mbërrinte “pas pak”.
“Më tha se do të shkonte në një kafene këtu në shesh. E telefonova sërish dhe më tha: ‘Po vij pas pak’. Parkoi makinën e tij në shesh dhe më pas mësova se ishte larguar me një makinë tjetër”, deklaroi babai i viktimës.
Ky ishte kontakti i fundit mes tyre.
Pak më vonë, familja u përball me konfuzion dhe ankth, pasi fillimisht u mendua se viktima e aksidentit ishte shoku i tij, pronari i mjetit. Vetëm më pas u kuptua e vërteta tragjike.
“Në fillim, të gjithë besonin se viktimë e aksidentit rrugor ishte shoku i 23-vjeçarit dhe pronari i automjetit. Edhe mua më telefonuan më vonë, rreth orës pesë dhe… Prindërit e djalit tjetër, atij që kishte makinën, kishin shkuar atje sepse mendonim se ishte djali i tyre. Më pas vjen ai që kishte makinën dhe më thotë: “M’i mori çelësat, donte të shkonte deri në Kalyvia dhe të kthehej.” Tani gruaja ime ka shkuar për herë të dytë në Qendrën Shëndetësore, nuk është mirë, po kalon një krizë paniku’”, vijoi babai i 23-vjeçarit fatkeq, duke folur për MEGA TV.
Babai tregoi gjithashtu se bashkëshortja e tij ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike, duke pësuar atak paniku pas marrjes së lajmit shkatërrues.
Pse 23-vjeçari ndërroi makinë para aksidentit
Një nga elementët më të paqartë të ngjarjes ishte fakti se 23-vjeçari nuk po drejtonte makinën e tij, por automjetin e një shoku. Sipas dëshmisë së babait dhe informacioneve të mbledhura nga autoritetet, i riu kishte parkuar fillimisht makinën në shesh dhe më pas ishte larguar me një automjet tjetër.
Pronari i makinës i ka thënë familjes se 23-vjeçari kishte marrë çelësat e tij me qëllimin për të shkuar deri në Kalyvia dhe për t’u kthyer. Nuk dihet ende pse u bë kjo lëvizje dhe nëse kishte ndonjë arsye emergjente apo spontane për ndërrimin e mjetit.
Hetuesit po analizojnë këtë detaj si një element kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, duke verifikuar itinerarin, kohën e lëvizjes dhe kushtet në të cilat u mor automjeti.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit, ndërsa familja e të riut mbetet e shkatërruar nga humbja e papritur, duke kërkuar përgjigje për minutat e fundit që i ndanë nga tragjedia. /noa.al
Familjet që kanë në ngarkim fëmijë të moshës nën 18 vjeç në mars të vitit 2026 do të përfitojnë nga tatimet kompensimin për rritjen dhe arsimimin e fëmijëve.
Por kujdes, kompensimi nuk do të jepet si vlerë fikse, por do të përfitohet vetëm pas rillogaritjes së tatimit të paguar për 2025. Rillogaritja e tatimit do të bëhet nëpërmjet plotësimit në muajin Mars 2026 të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA).
Më konkretisht skema e kompensimit parashikon që rillogaritja e tatimit të bëhet pasi bazës së tatueshme që janë të ardhurat bruto vjetore që një individ ka gjeneruar nëpërmjet pagës në vitin 2025, t’i zbriten shpenzimet prej 48 mijë lekë për rritjen e fëmijëve (për çdo fëmijë shpenzimi është 48 mijë lekë) dhe shpenzimi fiks prej 100 mijë në vit për arsimimin e tyre (pavarësisht numrit të fëmijëve shuma e shpenzimeve të arsimimit është fikse).
Individët që nga rillogaritja, do të rezultojnë me tatim të mbipaguar, do të kompensohen për diferencën. Pra vlera e kompensimit është diferenca e tatimit të paguar në 2025 nga tatimi i rillogaritur në 2026 pas zbritjes së shpenzimeve.
Ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon hyrjen në fuqi nga viti 2026 të zbritjes së shpenzimeve prej 48 mijë lekë në vit për çdo fëmijë në ngarkim për individët me të ardhura vjetore mbi 1,2 mln lekë në vit dhe zbritje shpenzimesh për arsimimin e fëmijëve me vlerë 100 mijë lekë për individët më të ardhura deri 1,2 mln lekë në vit.
Në një çift bashkëshortësh të drejtën për zbritjen e shpenzimeve të fëmijëve në ngarkim dhe për arsimimin nëse plotësohet kufiri i të ardhurave e ka anëtari me të ardhura më të larta vjetore. Pra zbritja e shpenzimeve për fëmijët nga baza vjetore e tatueshme nuk përfitohet nga të dy prindërit e fëmijëve në ngarkim, por vetëm ai që ka të ardhurat më të larta të deklaruara.
Prej individëve përfitues tatimi mbi të ardhurat nga paga është paguar çdo muaj për vitin 2025, por zbritja e shpenzimeve për fëmijët nga totali i të ardhurave vjetore të fituara nga punësimi, do të bëhet në Mars 2026 përmes plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA). Nëse në DIVA pas zbritjes së shpenzimeve do të shfaqet gjendje teprice kreditore, do të thotë se tatimet ndaj këtij individi kanë një borxh parash për të kthyer.
Pra nëse tatimi i paguar gjatë vitit 2025 rezulton se është më i lartë se tatimi i llogaritur pas zbritjeve të shpenzimeve në DIVA, që do të plotësohet deri më 31 Mars 2026, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) më herët ka sqaruar për Monitor se në këtë rast individi ka të drejtë që brenda 3 muajve të kërkojë rimbursimin e parave, pra kthimin e tyre.
Si do të rillogaritet tatimi pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët
Sipas shembullit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëse një individ X me të ardhura mujore 70 mijë lekë apo të ardhura vjetore prej 840 mijë lekë për 2025-n ka paguar tatim prej 5,200 lekë në muaj apo tatimin vjetor prej 62,400 lekë. Individi ka dy fëmijë në ngarkim të moshës nën 18 vjeç dhe të ardhurat vjetore nuk kalojnë kufirin e 1,2 milionë lekëve, për të cilat do të përfitojë zbritje shpenzimesh prej 48 mijë lekë për çdo fëmijë dhe shumën fiske prej 100 mijë lekë në vit për arsimimin e tyre.
Pas zbritjes së shpenzimeve nga totali i të ardhurave për 2025, tatimi i ri për këtë individ llogaritet në vlerën e 29,120 lekë. Por ndërkohë individi X për 2025 kishte paguar një tatim vjetor prej 62,400 lekë. Këtij detyrimi të paguar do t’i zbritet tatimi i ri llogaritur me vlerë 29,120. Diferenca prej 33,2 mijë lekë është shuma që i takon të kërkojë për rimbursim brenda 3 muajve, pas plotësimit të DIVA-së./monitor.al
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka emëruar shefin e inteligjencës ushtarake, Kyrylo Budanov, si drejtuesin e ri të Zyrës Presidenciale, pak më shumë se një muaj pasi ndihmësi i tij i mëparshëm dha dorëheqjen mes një skandali korrupsioni.
Kush është Kyriak Budanov
Kyriak Budanov, një figurë e njohur për sekretin dhe shpesh e quajtur në media ukrainase “njeriu pa buzëqeshje,” ka kaluar nga relativja anonimitet në njërin nga zyrtarët më të njohur të sigurisë në Ukrainë.
I lindur në Kiev, Budanov studioi në një akademi ushtarake në Odesa dhe në 2014 u dërgua për të luftuar separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.
Publiku e njihte pak kur në gusht 2020 u emërua shef i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (GUR).
Ai mori pjesë në një sulm komandantësh në Krimenë e aneksuar nga Rusia në 2016, ku u vranë agjentë rusë.
Budanov ka thënë se është plagosur tre herë gjatë shërbimit, përfshirë një plagë afër zemrës nga plumba dhe një plagë në bërryl që i ka lënë një ngurtësi të dukshme në krahun e djathtë.
Zyra e GUR ka njoftuar se Budanov ka shpëtuar më shumë se 10 tentativa atentatesh, përfshirë shpërthimin e makinës së tij në Kiev në 2019, një sulm që u atribuua shërbimeve ruse të sigurisë.
Ai u bë një nga gjeneralët më të rinj të Ukrainës në moshën 35-vjeçare.
Para pushtimit rus në shkurt 2022, Budanov paralajmëroi publikisht për një sulm masiv, ndërsa shumë zyrtarë perëndimorë dyshonin për qëllimet e Moskës.
Ai është përshkruar si ekspert i luftës asimetrike, edhe pse disa parashikime, përfshirë hyrjen e trupave ukrainase në Krime në 2023, nuk u realizuan.
Budanov është gjithashtu i lidhur me disa operacione brenda Rusisë, përfshirë sulmin me dronë ndaj një rafinerie në Shën Petersburg në janar 2024, dhe sipas autoriteteve ukrainase, ai ka lidhje me shpërthimin në Ura e Krimesë në 2022.
Këto operacione e kanë bërë atë të popullarizuar tek ukrainasit, duke marrë edhe ovacione në një konferencë ndërkombëtare në Kiev në shtator 2023 dhe titullin “Hero i Ukrainës” nga Zelenskyy në 2024.
Në Rusi, Budanov konsiderohet një nga tragetet kryesore, me pretendime të shumta për vrasjen e tij nga Moska, përfshirë sulmet ndaj selisë së inteligjencës ushtarake ukrainase në 2023.
Bashkëshortja e tij shpëtoi nga helmimi në të njëjtin vit.
Pavarësisht kërcënimeve, Budanov ka qëndruar i vendosur. Më 1 shkurt 2024, ai paralajmëroi për rritjen e sulmeve ndaj infrastrukturës ruse, dhe pak orë më vonë GUR raportoi se një anije lufte ruse ishte fundosur në Krime.
Tani, duke u vendosur në një nga rolet më të fuqishme të qeverisë ukrainase, Budanov do të ketë qasje direkte te presidenti Zelenskyy dhe një rol qendror në formësimin e politikës së sigurisë dhe diplomatike, ndërsa lufta hyn në një fazë vendimtare.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e vënë nën akuzë zyrtare nga Prokuroria e Posaçme për pabarazi në tendera, e hetuar fillimisht me dy masa sigurie, njëra prej të cilave pezullimi iu rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, duket se vijon pa asnjë ndroje punën, me vendime tepër të rëndësishme.
Dy ish-vartësit e saj, të akuzuar me të njëjtën dosje, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, të hetuar edhe ata me masë sigurie arrest shtëpie, janë liruar nga detyra në fund të muajit dhjetor 2025, për t’u zëvendësuar po nga dy vartës të tjerë besnik të Ballukut. Në postin e drejtorit të ARRSH-së u emeërua Ami Kozeli, i cili mbante detyrën e zv.ministrit të Infrastrukturës.
Disa ditë pas kësaj vendimarrje, Kozeli tashmë në postin e drejtorit të Autoritetit Rrugor, me bekimin dhe urdhrin e drejtpërdrejtë të Ballukut, ka hapur me shpejtësi plot 4 tendera, kryesisht për kantiere që janë në punim e sipër, ndërkohë që do të duan po të tjera miliona për t’u përfunduar.
Më shumë sesa vijimi i punës sikur mos të kishte ndodhur asnjë gjë, hapja e tenderëve duket një “sfidë” e hapur për vetë Prokurorinë e Posaçme, e cila deri më tani duket e pafuqishme për ta ndaluar Ballukun që të futet në zyrë, megjithëse një dosje voluminoze shkoi në Kuvend, me qëllim që t’i heqej imuniteti, për t’i hapur rrugën masave shtrënguese.
(Tenderi i arredimit të Tiranë – Durrës)
Faksimile: Tenderi i hapur nga ARRSH me vlerë 15 milionë euro për arredimin e aksit Tiranë – Durrës
Arredimi i supërstradës – 15 milionë euro shtesa
Pasi u shpenzuan më shumë se 75 milionë euro, të ndara në 3 lote, ja ku vjen një tjetër tender, kësaj here me formulën e arredimit. Nuk bëhet fjalë për të mobiluar shtëpinë, zyrën apo objekt tjetër, por për të arreduar vetë superstradën Tiranë – Durrës.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Kozeli me “bekimin” e vetë Ballukut ka hapur tenderin me objekt “arredim, rikualifikim urban superstrada Tiranë – Durrës nga Faza I – Faza III”. Në fakt, tenderat e ndërtimit duhet të ishin me “çelësa në dorë”, por megjithëse shpenzohen dhjetëra apo qindra miliona euro për një aks, sërish hidhen të tjera para’. Duken shpenzime të mbivendosura, si në çdo kantier të hapur në mbarë Shqipërinë, me qëllim kënaqjen e të gjithë ndërtuesve.
Fondi limit i kësaj procedure ka qenë plot 1,417,000,000 lekë, ose nëse do e konvertojmë në euro, plot 15 milionë euro për vijëzimë, sinjalistikë hirozontale e vertikale. Kaq shumë për disa vija?!
Faksimile: Njoftimi i tenderave të hapura nga ARRSH për Unazën e Elbasanit, me vlerë 60 milionë euro
Unaza e Elbasanit – 60 milionë euro
Një nga gangrenat e rrugëve në Shqipëri është padyshim hinka në zonën e Bradasheshit në Elbasan, ku pasi e ke bërë rrugën nga kryeqyteti për 20 minuta, duhet të qendrosh mbi 1 orë për të kaluar disa kilometra. Ka pasur gjithmonë diskutime se përse bëhen rrugë të tjera, kur nuk është zgjidhur ajo nyje. U hodhën dhjetëra milionë euro nga Elbasani në Qafë Thanë, apo nga Elbasani në Rrogozhinë, teksa ka filluar edhe ndërtimit.
Tashmë, ARRSH-ja është kujtuar që të hapë një tender, me qëllim mbylljen e gojëve dhe akuzave nga të gjithë për orët e trafikut në atë zonë. Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, Kozeli ka hapur tenderin “ndërtim rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me Korridorin VIII, faza I” me një vlerë plot 3,340,000,000 lekë, ose mbi 35 milionë euro.
I njëjti Autoritet ka hapur edhe tenderin “ndërtim rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me Korridorin VIII, faza II” me një vlerë prej 2.5 miliardë lekë, ose mbi 25 milionë euro. Në total, ARRSH ka akorduar më shumë se 60 milionë euro për Unazën e sumë pritur të Elbasanit.
Faksimile: Njoftimi i tenderit të hapur nga ARRSH për nyjen nga Kashari në Vaqarr, faza e tretë
Rruga nga Kashari në Vaqarr – 16 milionë të tjera!
Në të njëjtën kohë, Ami Kozeli ka urdhëruar vartësit e ARRSH-së që vetëm numërojnë drejtorët, shumica e të cilëve në burg e me masë sigurie, që të bënin gati tenderin e radhës për aksin Kashar – Nyja Vaqarr, faza e tretë. Shuma e akorduar për këtë segment është 1,591,670,000 lekë.
Për të njëjtin segment, faza e parë dhe e dytë, ish-drejtori Gentian Gjyli hapi dy tendera, me vlerë 60 milionë euro. Shpejtësia e hapjes lë vend për dyshime se edhe këto procedura iu janë premtuar firmave apo oligarkëve që janë pranë qeverisë apo edhe vetë Ballukut./Voxnews