Çfarë NDODHI në Kosovë? Jozin nuk e pranojnë në hotel, shoqëruesi i tij SHERR me recepsionistin!

Këngëtari Jozefin Marku, i njohur si Jozi, është përfshirë indirekt në një incident në Gjilan të Kosovës, ku shoqëruesi i tij është përleshur fizikisht me recepsionistin e një hoteli.

Sipas mediave kosovare, Marku kishte shkuar në hotel bashkë me shoqëruesin e tij Fitim Gashi dhe disa femra, për të siguruar dhoma të lira.

Mungesa e dhomave të disponueshme çoi në një përleshje mes Gashit dhe recepsionistit, ku u hodhën dhe rrëzuan disa sende.

Jozefin Marku nuk është përfshirë në përleshje, pasi gjatë incidentit dyshohet se ka qenë në veturë me dy shoqërueset femra.

Policia e Kosovës po heton ngjarjen.

Kujtojmë se Jozi u bë i njohur për publikun përmes formati “Big Brother VIP Albania”, ku në fund të rrugëtimit të tij televiziv kishte pasur një përplasje fizike me këngëtarin kosovar Gjesti.

Franca, Gjermania dhe Suedia dërgojnë trupa ushtarake në Groenlandë. Danimarka blindohet

Tensionet gjeopolitike në Arktik po hyjnë në një fazë të re dhe të paparashikuar.

Disa shtete europiane kanë vendosur të dërgojnë trupa ushtarake në Groenlandë, në përgjigje të kërkesës së Danimarkës dhe në një klimë gjithnjë e më të acaruar me Shtetet e Bashkuara.

Kështu, Suedia, Norvegjia, Gjermania dhe Franca kanë nisur personel ushtarak për të forcuar praninë evropiane në ishullin arktik, raporton La Repubblica.

Qeveria daneze ka konfirmuar se do të rrisë praninë e ushtrisë së saj në Groenlandë, përfshirë edhe stërvitje ushtarake. Edhe pse Groenlanda gëzon autonomi të gjerë, ajo mbetet territor i Mbretërisë së Danimarkës.

Kryeministrja Mette Frederiksen ka theksuar se operacioni zhvillohet në kuadër të NATO-s, por koha e vendimit ngre pikëpyetje politike të qarta.

“Qëllimi është të trajnojmë Forcat e Armatosura për operime në kushtet unike të Arktikut dhe të forcojmë praninë e Aleancës në rajon, në dobi të sigurisë evropiane dhe transatlantike”, ka deklaruar Ministria daneze e Mbrojtjes. Megjithatë, pothuajse paralelisht me këtë njoftim, edhe shtete të tjera evropiane kanë reaguar duke dërguar trupa në zonë.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka bërë të ditur se disa oficerë suedezë kanë mbërritur tashmë në Groenlandë për t’u bashkuar me një grup shumëkombësh aleat, në kuadër të përgatitjeve për stërvitjen daneze Operation Arctic Endurance.

Norvegjia ka vënë në dispozicion personel ushtarak me gradë të lartë, ndërsa Gjermania ka dërguar një patrullë zbulimi prej 13 ushtarësh. Një kontingjent francez me të njëjtën përbërje pritet t’u bashkohet atyre.

Bëhet fjalë për një situatë të paprecedentë, sidomos pas përfundimit pa rezultate të samitit në Uashington mes përfaqësuesve të SHBA-ve, Danimarkës dhe Groenlandës. Edhe pse numri i trupave europiane në Nuuk mbetet ende i kufizuar, niveli i tensionit brenda Aleancës Perëndimore konsiderohet më i larti i regjistruar ndonjëherë.

Në këtë kontekst, brenda Bashkimit Europian po diskutohet hapur mundësia e aktivizimit të nenit 42, paragrafi 7 i Traktatit të BE-së, që parashikon ndihmë të ndërsjellë në rast agresioni të armatosur ndaj një shteti anëtar. Pyetja kyçe mbetet: a mund të zbatohet ky nen ndaj një vendi aleat në NATO dhe, teorikisht, kundër Shteteve të Bashkuara?

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shmangur një qëndrim frontal, duke deklaruar se një skenar i tillë “nuk shtrohet aktualisht”.

“Groenlanda i përket popullit të saj dhe është pjesë e NATO-s. Është e rëndësishme që banorët e saj ta dinë se ne respektojmë vullnetin e tyre”, ka thënë ajo.

Edhe Parlamenti Europian ka dalë në mbrojtje të sovranitetit të Groenlandës, duke i cilësuar çdo përpjekje për ta minuar atë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe presidenti francez Emmanuel Macron, sipas të cilit shkelja e sovranitetit të një vendi evropian dhe aleat do të kishte “pasoja zinxhir të paprecedent”. Ndërsa zëvendëskancelari gjerman Lars Klingbeil ka paralajmëruar se “marrëdhënia transatlantike, ashtu siç e njihnim, po shpërbëhet”.

U zhduk 4 muaj më parë, gjendet trupi i pajetë i 35-vjeçares shqiptare në Itali, 40 km larg banesës së saj

Ishte zhdukur më 22 tetor, pasi ishte parë për herë të fundit në qendër të qytetit. Sot erdhi lajmi tragjik. Trupi i pajetë i Floresha Prengut, 35 vjeçe, banore në Trento, u gjet rreth 40 kilometra larg shtëpisë, përgjatë lumit Adige.

Trupi u njoh nga familjarët, të cilët deri në fund shpresuan për një përfundim tjetër.

Floresha Prengu, me origjinë shqiptare dhe nënë e dy vajzave, ishte parë për herë të fundit në Trento më 22 tetor. Pas asaj dite, gjurmët e saj humbën.

Familjarët iu drejtuan menjëherë forcave të rendit dhe qytetarëve, duke kërkuar që çdo informacion apo sinjalizim. Në ditët pas zhdukjes u organizua një operacion i gjerë kërkimi në Trento përgjatë lumit Adige dhe një helikopteri për kontrolle nga ajri, por pa rezultate konkrete.

Kërkimet vijuan edhe jashtë kufijve të provincës së Trentos teksa të gjitha prefekturat italiane ishin vënë në dijeni për zhdukjen.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, Floresha jetonte në Trento prej tre vitesh me familjen dhe punonte si pastruese në disa ndërtesa banimi. Ajo ishte shumë e lidhur me vajzat e saj dhe kohët e fundit kishte përjetuar me dhimbje humbjen e të atit.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Shkeli rregullat/ Londra i heq kontratën ushtarake 2.6 miliardë dollarë izraelitëve të Elbit Systems

Qeveria britanike vendosi të skualifikojë ofertën 2.6 miliardë dollarë të kompanisë izraelite Elbit Systems për trajnimin e ushtrisë angleze duke përzgjedhur si fitues të kontratës gjigandin amerikan Raytheon.

Vendimi vjen pas raportimeve për shkelje të ligjit nga ana e Elbit, të cilat u publikuan fillimisht në The Times. Sipas the Times, një informator kishte përpiluar një dosje rreth ofertës së Elbit, që iu tregua Ministrisë britanike të Mbrojtjes gushtin e kaluar, megjithëse raporti iu zbulua privatisht ministrisë muaj më parë.

Shkeli rregullat/ Londra i heq kontratën ushtarake 2.6 miliardë

Në dosje pretendohej se Elbit UK kishte shkelur rregullat e emërimeve në biznes kur Philip Kimber, një ish-brigadier i Ushtrisë Britanike, thuhet se kishte ndarë informacione me firmën pasi kishte lënë ushtrinë.

Kimber merrte pjesë në takime kritike në firmë për të diskutuar kontratën e trajnimit që ai dikur e kishte mbikëqyrur në ministri, pretendonte raporti.

Në një rast, Kimber ishte i pranishëm në një takim të Elbit dhe i ulur larg pamjes së një kamere. Ai thuhet se tha se “nuk duhet të ishte atje”, sipas raportit të sinjalizuesit.

Në përgjigje të një kërkese për lirinë e informacionit, Ministria e Mbrojtjes më vonë pranoi se e kishte mbajtur dosjen për shtatë muaj pa hetuar pretendimet e saj. Burime të brendshme në ministri ia hodhën fajin e vonesës hetimore “mbikëqyrjes administrative”.

Një muaj pasi u shty për akuzat nga The Times, një nëpunës i lartë civil përfundoi një “rishikim sigurie” në shtator dhe zbuloi se rregullat e emërimeve në biznes nuk ishin shkelur.

Pretendime të tjera kishin të bënin me dreka dhe darka të organizuara nga Elbit UK në të cilat ishin ftuar nëpunës civilë në zemër të procesit të vendimmarrjes për kontratën.

Një nëpunës i lartë civil rezulton te jetë ftuar shtatë herë për darkë nga Elbit, ndërsa rivali Raytheon nuk organizoi evente.

Mike Cooper, pronari i lartë përgjegjës në selinë e ushtrisë për programin e trajnimit të ushtrisë, udhëtoi gjithashtu për në Jerusalem me dy oficerë të lartë ushtarakë britanikë.

Ai mori pjesë në një tur turistik të financuar nga Elbit Systems, kompania mëmë e degës britanike.

Në përgjigje të akuzave, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha në një deklaratë: “Programi i transformimit të trajnimit kolektiv do të modernizojë trajnimin për ushtarët për të siguruar që Ushtria Britanike të mund të përballet me kërcënimet e së ardhmes.

“Ne nuk do të komentojmë më tej derisa një njoftim për tenderuesin e preferuar të bëhet publik në kohën e duhur.”

Mes kritikave në rritje ndaj Izraelit brenda establishmentit ushtarak britanik, katër ish-oficerë të lartë të ushtrisë, në një letër drejtuar Kryeministrit Keir Starmer, i kërkuan së fundmi qeverisë të ndalojë përfshirjen me kompanitë e armëve në pronësi të Izraelit ose të mbështetura nga Izraeli.

“Tani nuk është koha për t’u rikthyer në biznesin e zakonshëm me qeverinë izraelite”, shkruan ata, duke kërkuar sanksione më të ashpra.

Elbit ka siguruar një kontratë të majme armatimi edhe nga qeveria shqiptare, por detajet dhe shuma e saj mbahen sekret. Ndërkohë vetëm një muaj më parë, NATO vendosi të përjashtojë nga tenderat e saj Elbit, duke e futur në listën e zezë për shkak të një skandali të madh korrupsioni që përfshin akuza për ryshfet dhe praktika të sanksionueshme./Kapitali.al

“Kujton se je pasardhës i …, por jo”, media greke “kryqëzon” Edi Ramën:

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri një sulm të paprovokuar ndaj një gazetari greko-amerikan i cili po moderonte diskutimin në të cilin ai po merrte pjesë, gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi. Ndër të tjera, Rama i tha atij “ti nuk je pasardhës i Platonit dhe Aristotelit siç mendon”, ndërsa e akuzoi atë për uljen e vlerës ekonomike të marrëveshjes së Tiranës me Arabinë Saudite.”

Kështu shkruan media greke Protothema, e cila i ka dedikuar një artikull të veçantë deri në detaje konferencës që kryeministrat Edi Rama i Shqipërisë dhe Milojko Spajiç i Malit të Zi patën dje në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe. E gjitha, vetëm se kryeministri ynë ka ngacmuar gazetarin grek për origjinën e tij, pasi ky i fundit i ngatërroi emrin.

Lexoni më poshtë të përkthyer në gjuhën shqipe artikullin e medias greke:

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri një sulm të paprovokuar ndaj një gazetari greko-amerikan i cili po moderonte diskutimin në të cilin ai po merrte pjesë, gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi.

Ndër të tjera, Rama i tha atij “ti nuk je pasardhës i Platonit dhe Aristotelit siç mendon”, ndërsa e akuzoi atë për uljen e vlerës ekonomike të marrëveshjes së Tiranës me Arabinë Saudite.

E gjitha filloi kur moderatori me origjinë greke John Defterios,   një gazetar për dekada në CNN, shqiptoi gabim emrat e Edi Ramës dhe Kryeministrit malazez Milojko Spajiç gjatë fjalimit të tyre.

Sapo të dy udhëheqësit dolën në skenë për debatin, kryeministri malazez thjesht e korrigjoi Defterion për gabimin e tij, pasi në fakt u nxit nga vetë gazetari. Menjëherë pas kësaj, edhe Edi Rama e korrigjoi, por dukshëm i acaruar, duke e akuzuar se i kishte shqiptuar emrat gabimisht sepse është grek .

Në vazhdim të debatit dhe ndërsa diskutonin për investimet në energji që po bëhen në Shqipëri, Edi Rama tha “le ta falënderojmë mentorin tonë Sultan Al Jaber” (Ministri i Energjisë i Emirateve të Bashkuara Arabe) dhe e pyeti Defterion nëse e njihte.

Defterio, nga ana tjetër dhe për hir të humorit, u përgjigj me një buzëqeshje “si mund të mos e di se kush është ai (Sulltani Al Jaber)”, duke ftuar audiencën të duartrokiste.

@protothema.gr «Δεν είστε απόγονοι του Πλάτωνα και του Αριστοτέλη» – Επίθεση του Ράμα σε Έλληνα δημοσιογράφο #protothema#news#tiktokgreece#greektiktok♬ πρωτότυπος ήχος – protothema.gr

Kryeministri shqiptar, i cili me sa duket nuk e kuptoi shakanë, e talli gazetarin duke i thënë: “Si grek, duhet ta kishe njohur. Kështu bën ti, gjithmonë i nënvlerëson njerëzit sepse mendon se ke monopol mbi filozofinë dhe je trashëgimtar i drejtpërdrejtë i Platonit dhe Aristotelit “, duke shtuar menjëherë më pas: “Por ti nuk je.”

Sulmet e Edi Ramës ndaj gazetarit dhe origjinës së tij nuk u ndalën me kaq, pasi drejt fundit të diskutimit të tyre, ai iu drejtua përsëri në mënyrë agresive me rastin e shumës së një investimi në Shqipëri.

Gazetari foli për 1 miliard, me Ramën që e korrigjoi dy herë, duke i thënë se ishte më shumë. “Jo, përsëri po llogarit si grek. Kur flet për paratë e tua, shton tre zero. Kur flet për paratë e të tjerëve, zbret tre zero. Kjo është ajo që bën. Kjo është arsyeja pse BE të do kaq shumë.”

Fisnik Syla preket nga rasti i Durrësit dhe hap zemrën e “qesen” për 3 fëmijët, ja sa milione dhuroi

Historia e tre fëmijëve të quajtur “të braktisur” në Durrës ka prekur opinionin publik dhe ka sjellë reagimin e fortë të sipërmarrësit Fisnik Syla, në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit. I prekur nga ajo që pa dhe dëgjoi, Syla u shpreh i gatshëm të dhurojë 5.000 euro për fëmijët e Blerina Bashës, e cila deklaron se punon me dy turne për të mbajtur fëmijët. “E mendoj si për veten time, si për dikë të familjes sime”, u shpreh ai.

Sipas nënës, ngjarja është inskenuar nga familja e ish-burrit për t’i marrë fëmijët, ndërsa ajo këmbëngul se po bën gjithçka për ta. Fëmijët aktualisht janë të shtruar në spital dhe po marrin mjekimin e duhur, ndërkohë që mungesa në shkollë lidhet me sëmundjen dhe përmbytjet e fundit. Shërbimi Social i Durrësit konfirmon se kushtet e banesës ishin normale gjatë inspektimit dhe se nënës i është ofruar punë e rregullt dhe mbështetje për fëmijët.

Fisnik Syla thekson se do të ndihmojë në çdo formë, madje edhe me kujdestari, nëse vërtetohen deklaratat e nënës . Mes angazhimeve humanitare, sipërmarrësi vijon suksesin edhe në biznes, duke inauguruar restorantin e tij të ri dhe duke folur hapur për zhvillimet e fundit në jetën personale.

Mjalti dhe… Flirtet me Kinën, SHBA i kthen mesazhin Edi Ramës!

Nancy VanHorn i përgjigjet Edi Ramës për “mjaltin kinez”….

Shtetet e Bashkuara të Amerikës si kanë dërguar një mesazh përvëlues Edi Ramës, pas flirteve të tij me Kinën.

Pas talljes që i bëri Trumpit në praninë e Macron, më 12 janar Edi Rama vendosi të luajë sërish me zjarrin. Teksa prezantoi një park eolik në Tropojë, Rama u shkeli syrin kinezëve.

Po mos të ishte Shqipëria kaq e rëndësishme potencialisht, kinezët që janë civilizimi më i vjetër edhe tregtarët më të padiskutueshëm nuk do i kishin vënë syrin dhe nuk do e konsideronin Shqipërinë si ‘pikën e mjaltit’”, u shpreh Babloku. Dhe këtë nuk e tha në një bisedë të mbyllur me investitorë, por në prani të Ngarkuarës me Punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn.

Duke u bazuar te mençuria mijëravjeçare e Kinës edhe duke u bazuar te eksperienca dhe uria për fitim e Amerikës, ne jemi fiks vendi i duhur, në kohën e duhur për ju edhe për të gjithë të tjerët që duhet të vijnë këtu në këtë treg të vogël, për të kapur tregun e madh që është jashtë kufijve të këtij vendi të vogël”, shtoi ai.

Por kjo ishte sfidë e hapur ndaj SHBA dhe sot ka ardhur kundërpërgjigjja. E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn në një aktivitet për promovimin e teknologjisë amerikane të komunikimit, ja ka bërë të qartë Edi Ramës që të mos luajë me zjarrin. Ajo i është përgjigjur me fjalët e Donald Trump.

Siç ka thënë Presidenti Trump, ‘siguria ekonomike është siguri kombëtare.’ Ky parim është veçanërisht i rëndësishëm në sigurinë publike dhe infrastrukturën kritike, ku teknologjia që zgjedhin vendet ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë, sovranitetin dhe sigurinë e qytetarëve“, ka deklaruar e dërguara e SHBA.

Në postimin e saj në rrjetet sociale ambasada ka shkëputur pikërisht këtë mesazh, i cili është i njëjtë me shumë mesazhe të tjerë të dhëna më parë kur bëhej fjalë për rrezikun kinez, sidomos te fusha e teknologjisë. Mos harrojmë se Rama tentoi t’ua jepte kinezëve rrjetin 5G, por SHBA e ndaloi.

Vetë VanHorn ka dërguar disa herë mesazhe të qartë se Kina nuk duhet të ketë vend në Shqipëri. Në vend që të ndërtojë këtë linjë të kërkuar nga partnerët strategjikë, Rama vendos ta promovojë Kinën në mënyrë publike, si një fuqi e “uritur për tregti” dhe të vlerësuar si partnere nga “tregtarët më të mençur”.

Pas pezullimit të vizave dje, mesazhi sot është një tjetër kambanë alarmi për kryeministrin shqiptar.  /Pamfleti

https://www.facebook.com/usembassytirana?ref=embed_post

Pse SHBA i pezulloi vizat me Shqipërinë dhe kush do të penalizohet? Ja si është e vërteta e madhe

Nuk ka më Lotari Amerikane, Shqipëria mes 75 shteve që u pezullohen vizat e emigrimit

Lajmi i ditës padyshim sot ishte vendimi i SHBA për të pezulluar vizat me 75 shtete, ku mes tyre është dhe Shqipëria. Ajo që bie në sy është se vendi ynë, krahas Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë, renditet me shumë vende nga bota e tretë.

Por pse SHBA vendosi të ndërmarrë një veprim të tillë dhe kush do të penalizohet?

Vendimi i publikuar nga ‘Fox News”, është i lidhur me një memorandum të nëntorit, ku Trump urdhëron ndalimin global të vizave sipas rregullit të ‘barrës publike’ (public charge). Që do të thotë se zyrtarët konsullorë udhëzoheshin t’u refuzonin vizat aplikantëve që mendohej se kishin të ngjarë të mbështeteshin në përfitime publike nga shteti amerikan. Duke marrë në konsideratë një gamë të gjerë faktorësh, duke përfshirë shëndetin, moshën, aftësinë e anglishtes, financat dhe madje edhe nevojën e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë.

Pra për ta thjeshtuar, nëse dikush që në Shqipëri ka jetuar kryesisht me ndihmë ekonomike, konsullata e refuzon vizën pasi mendon se ai do të bëjë të njëjtën gjë edhe atje dhe është barrë për shtetin amerikan. Po ashtu të moshuarit shihen më shumë si barrë sesa ndihmë për krah pune. E njëjta gjë për individët e sëmurë, pasi shteti amerikan mendon se ata do të përfitojnë për të shfrytëzuar sistemin shëndetësor. Ata që nuk njohin gjuhën shihen po ashtu si barrë, pasi do të duhet disa kohë sa të aftësohen për punë.

Pak ditë më parë, Donald Trump publikoi në rrjetin social Truth Social disa tabela me titull “Immigrant Welfare Recipient Rates by Country of Origin”, ku paraqitej përqindja e familjeve emigrante që përfitojnë ndihmë sociale në SHBA.

Pse SHBA i pezulloi vizat me Shqipërinë dhe kush do të

Emigrantët që jetojnë me ndihmë ekonomike në SHBA

Thuajse të njëjtat shtete janë edhe në listën e shteteve që u bllokohen vizat. Aty është dhe Shqipëria, pasi 41.3 për qind e familjeve emigrante shqiptare në SHBA përfitojnë asistencë sociale. Pra ky është dhe shkaku kryesor i vendimit të DASH, pasi kërkon të ulë barrën financiare të mbajtjes së emigrantëve. Padyshim ka dhe faktorë të tjerë, përfshirë sigurinë.

Një zëdhënës i DASH ka folur për “Reuters”, duke sqaruar kufizimet.  Sipas tij, nuk preken vizat turistike.

Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij të kahershëm për të shpallur të papranueshëm çdo emigrant të mundshëm që mund të bëhet barrë për shtetin amerikan dhe të përfitojë nga bujaria e popullit amerikan”, tha Tommy Pigott, Zëdhënës i Ngarkuar me Punë në Departamentin e Shtetit.

Përpunimi i vizave për emigrantë nga këto 75 vende do të pezullohet ndërkohë që Departamenti i Shtetit do të rishikojë procedurat për të parandaluar hyrjen e shtetasve të huaj që synojnë të përfitojnë ndihma sociale dhe përfitime publike në SHBA”, shtoi ai.

Pra me vendimin e ri që nis zbatimin më 21 Janar, nuk ka më viza emigracioni, bashkim familjar apo green card, birësime, si dhe lotari amerikane për shqiptarët. Ndërkohë sa u takon vizave turistike apo studentore, deri tani nuk flitet për kufizim, por edhe për to do të ketë kushte më të rrepta. /Pamfleti

E paprecedentë, tjetër sherr i futbollistit të Kombëtares me trajnerin për zëvendësimin

Ivan Balliu po kalon një sezon të çuditshëm me Rajo Vajekanon. Hera e dytë që duket se trajneri e surprizon me vendimin për ta zëvendësuar, duke sjellë edhe përplasje mes të dyve.

Futbollisti i Kombëtares la fushën e lojës në minutën e 40-të, ndërsa Vajekano luan në transfertën e Alavesh për raundin 1/8 të Kupës së Mbretit. Zgjedhja e trajnerit Inigo Perez nuk u prit aspak mirë.

Regjia u fokusua për disa momente te pankina ku tensioni ishte i pranishëm. Për Balliu është kthyer në situatë të pazakontë, pasi e njëjta sjellje u regjistrua në nëntor ndaj Lek Poznan për Ligën e Konferencës.

Mbrojtësi i djathtë është preferuar titullar te dy ndeshjet në fjalë, siç nuk ka ndodhur në La Liga. Zëvendësimet më pas e kanë zhgënjyer.

Përplasja e trajnerit me Ivan Balliun: (VIDEO)

Ilir Metës i “boshatisen” llogaritë bankare! Avokati i ish-presidentit: Pasuria e tij është ZERO

Avokatët mbrojtës të Ilir Metës kanë dalë me një deklaratë ku kanë bërë publike një analizë financiare të Presidentit të PL-së nga viti 1995 deri në 2023.

Mbrojtja e tij theksoi se ndaj Metës është hedhur një mal me akuza, duke pretenduar se “pasuria e tij është zero”. Cakrani theksoi se në procesin ndaj Ilir Metës duan transparencë dhe minimumin e standardit të shtetit të së drejtës.

“Kemi bërë një kërkesë për zëvendësimin e masës dhe kjo kërkesë ishte bazuar për ti dhënë pamjen e një drejtësie që funksionon. Por gjyqtarja Irena Gjoka nuk e pranoi kërkesën, por ne do të vazhdojmë. Kjo është betejë ligjore. Meta është në paraburgim dhe ka kaluar çdo standard. Kur sillet drejtësia me një personazh që ka historinë politike në 34 vite, imagjinoni çfarë bëjmë me qytetarët këta. Ne nuk kemi ardhur të bëjmë viktimën, por ne jemi në të drejtën tonë. Ndaj zotit Meta është hedhur baltë, e sulmuan me reformën në drejtësi, me gjykatën kushtetuese dhe nuk mbeti gjë tjetër veçse ta mbanin në burg. Kjo po cënon të drejtat dhe liritë e njeriut. Ne kërkojmë minimumin e standardeve. Standardin minimal të shtetit të së drejtës. Balta që është hedhur mbi Metën është për pasurinë e tij. Pasuria e zotit Meta është zero, qoftë e luajtshme qoftë e paluajtshme sepse ka punuar me dinjitet dhe pastërti”, tha avokati.