Fieri shpall në “kërkim” 8 besnikët e Belinda Ballukut, “kryepatronazhistët” e zgjedhjeve të 11 majit!

Tetë zyrtarë të lartë të administratës shtetërore, të gjithë vartës besnikë të ministres së pezulluar të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, janë shpallur në “kërkim” nga qytetarët e thjeshtë. Ata janë njerëzit e ngushtë të zv.kryeministres, ndaj të cilës Prokuroria e Posaçme ngriti akuzë zyrtare duke e marrë të pandehur, por që prej veprimit të SPAK-ut të gjitha janë larguar nga zonat zgjedhore.

VoxNews ka mësuar se 8 besnikët kanë qenë në role drejtuese në 4 rajone në Fier, duke mbuluar çdo territor dhe duke koordinuar një grup të madh zyrtarësh qendrorë dhe lokalë, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. E njohur për organizimin e të gjithë strukturave partiake, Balluku vuri në ato poste njerëzit e besuar, duke kërkuar me ngulm rezultatin zgjedhor.

Makineria shtetërore u stacionua disa muaj para zgjedhjeve të 11 majit në Fier, duke marrë kontrollin e gjithçkaje. Ata kontrollonin çdo leje, punësim, shpërblim, pagë apo edhe fondet në bujqësi. Madje edhe pensionet apo ndihmat sociale, teksa edhe sektori i naftës, kompania shtetërore Albpetrol, apo edhe firmat private, u vunë nën zgjedhën e Ballukut.

Disa zyrtarë lokalë të Partisë Socialiste të Fierit thanë për VoxNews se, pas ngritjes së akuzës nga SPAK për Ballukun, kryepatronazhistët janë zhdukur nga qarku. “Para veprimit të SPAK-ut, ishin të gjithë në Fier. Me urdhër të Ballukut bënin takime me strukturat e PS-së. Merrnin edhe njerëz nga Tirana. Emëronin, shpërblenin apo transferonin anëtarët e PS-së. Disa i emëronin në pushtetin lokal, të tjerë në drejtoritë e varësisë së MIE” pohojnë burimet.

Kush janë 8 besnikët e Ballukut të shpallur në “kërkim” nga banorët e Fierit?

VoxNews ka siguruar ekskluzivisht listën e brendshme të Partisë Socialiste të Fierit, e cila thotë se emrat kanë shkuar disa muaj para zgjedhjeve të 11 majit. Sipas tyre, qyteti u nda në 4 rajone të mëdha dhe secili rajon kishte 2 drejtues. “Të gjithë ishin drejtorët e Ballukut. Krahas kandidatëve për deputet, që kishin një rol aktriv si Ceno Klosi, Klevis Jahaj, etj., edhe drejtuesit e rajoneve koordinonin gjitha”, thanë të njëjta burime.

Sipas tyre, rajoni numër 1 kryesohej nga Diana Gjonçaj, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Klodjan Mema, ish-drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve në Fier.

“Të gjithë ishin të dubluar dhe nga institucione të ndryshme. Por, të gjithë raportonin te Balluku dhe njerëzit e tjerë të besuar”, pohojnë të njëjta burime.

Ndërkohë, në rajonin numër 2 ishin emëruar Evis Mamaj, drejtor i Financave në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Ekonomisë.

Në rajonin numër 3 ishte një emër i njohur, Spartak Kovaçi, ish-drejtor i Ujësjellësit në Durrës. Sërish një person i hetuar, i cili kishte ngritur një skemë të mirëfilltë zhvatjeje gjatë kohës që drejtoi UKD, por me “bekimin” e eprorëve të tij, Klevis Jahaj dhe Belinda Balluku. Kovaçi i dha kompanisë së tij disa tendera të majmë! Në të njëjtin rajon, numër 3 në Fier, ishte edhe një kryepatronazhiste e fuqishme si Blerta Guxha, drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve.

VoxNews ka mësuar se në rajonin numër katër ishin bashkëkryetarë Arta Gurabardhi, nëndrejtoreshë në KESH-it dhe Besjan Kadiu, zv.ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Emra me peshë të rëndë, që kanë në dorë të gjithë financat e shtetit apo edhe eprorë të mijëra punonjësve, të cilët kanë qenë të gjithë të angazhuar më 11 maj.

©Copyright Vox News