Kushërira mjeke sqaron të vërtetën e Parashqevi Simakut, tregon pengun e nënës së saj! Fevziu: Largohet sa herë i flasin shqip

Donalda Surducku, mjekja kushërirë me Parashqevi Simakun është familjarja e parë që ka hedhur dritë mbi fatin e saj.

Në një mesazh drejtuar gazetares Mira Kazhani ajo tregon betejën me shëndetin, ndarjen nga bashkëshorti dhe pengun e nënës së Parashqevisë që iku nga kjo jetë një vit më parë.

Gazetarja ka kërkuar një nismë për të ndihmuar Parashqevi Simakun, këngëtaren e madhe shqiptare e cila u largua herët në SHBA, dhe prej asaj kohe shumë pak dihet për fatin e saj. Një video e postuar së fundmi në televizionin amerikan “ABC”, duket se tregon Parashqevi Simakun teksa pranon një çantë me ndihma që u shpërndahen të pastrehëve.

Ndërsa gazetari Blendi Fevziu, i cili shpërndau sot videon duke kërkuar ndihmë për identifikimin e saj, thotë se tashmë e ka konfirmuar që bëhet fjalë për këngëtaren shqiptare. Ai thotë se është në kontakt me avokatë dhe biznesmenë në SHBA për ta identifikuar dhe ndihmuar dhe shprehet se ajo largohet sa herë i afrohen persona të cilët i flasin në gjuhën shqipe.

Mesazhi i të afërmes së Parashqevi Simakut:

Pershendetje Zonja Mira,

Unë jam familjare e Parashqevisë. Ne kemi vite që i kemi humbur kontaktet. Informacioni i fundit është që ka pësuar një hemoragji cerebrale dhe si pasojë nuk është shumë e kthjellët.

Me bashkëshortin është ndarë prej shumë kohësh, por duke qenë se ai fitoi kujdestarinë mbi djalin e tyre është detyruar të vazhdojë jetesën në Amerikë për t’i qëndruar pranë djalit.

Tezja e mamasë sime (mamaja e saj) vdiq totalisht e vetme vjet dhe me lot në sy për vajzën. Siç ju thashë kontaktet i kemi humbur prej disa vitesh.

Ju falenderojmë për këtë nismë dhe ndoshta është akoma e mundur ta gjejmë dhe ndihmojmë.