Gazeta zvicerane: Serbia, baza ruse për destabilizimin e Europës

E përditshmja zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) ngre pyetjen nsëse politika e Serbisë për balancimin midis fuqive lindore dhe perëndimore ka filluar të lëkundet dhe nëse Serbia po shërben në të vërtetë si një bazë ruse për destabilizimin e Evropës.

Në fillim të artikullit, autori pohon se autoritetet në Serbi “u lehtësuan kur zgjedhjet në Moldavi pak më shumë se një javë më parë kaluan pa incidente të mëdha”. Më pas kujton se policia në Moldavi kreu 250 bastisje dhe arrestoi 74 persona në prag të zgjedhjeve, shkruan Deutsche Welle.

“Sipas autoriteteve moldave, të arrestuarit u trajnuan në kampe në Serbi. Atje, ata dyshohet se u trajnuan në taktika dhe metoda sulmi dhe rezistence ndaj forcave të sigurisë. Moldavia e sheh Rusinë si organizatore, e cila dëshiron të parandalojë kursin pro-evropian të këtij vendi të vogël.”

Gazeta zvicerane shkruan më tej: “Akuzat morën peshë kur katër ditë pas bastisjeve në Moldavi dhe forcat serbe të sigurisë arrestuan dy persona. Dy serbët dyshohet se kanë organizuar trajnime paraushtarake për 150 deri në 170 moldavë dhe rumunë midis 16 korrikut dhe 12 shtatorit.” Teksti thotë se pas këtyre arrestimeve, dukej sikur Serbia kishte shmangur një katastrofë diplomatike. “Megjithatë, Beogradi – i cili mban lidhje të ngushta me Moskën – tani duhet të përballet me një pyetje shumë të pakëndshme: a po shërben Serbia si bazë për përpjekjet ruse për të destabilizuar Evropën?”

Autori sugjeron një përgjigje pozitive për pyetjen, duke cituar një shembull tjetër të aktivitetit destabilizues që ka rrënjët në Serbi: “Të hënën, tre ditë pas dy arrestimeve të para, Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi se policia kishte arrestuar njëmbëdhjetë persona të tjerë, të gjithë serbë. Ata dyshohet se kanë vendosur koka derri të prera para disa xhamive në Paris në fillim të shtatorit. Gjithashtu, midis prillit dhe shtatorit, ata dyshohet se hodhën bojë jeshile (ngjyra e Islamit) në institucione hebraike si muzeu i Holokaustit dhe disa sinagoga në zonën më të madhe të Parisit.”

Gazeta zvicerane citon një deklaratë nga Ministria e Brendshme serbe, sipas së cilës individë të dyshuar se ishin trajnuar në Serbi për veprime të tilla u arrestuan “me urdhër të një shërbimi të huaj të inteligjencës”. Qëllimi i tyre i supozuar ishte “të nxisnin urrejtje, diskriminim dhe dhunë kundër njerëzve me origjina, ngjyrë lëkure ose fe të ndryshme”, shkruan Deutsche Welle.

Artikulli kujton se Franca në qershor akuzoi tre serbë për një sulm me bojë ndaj një institucioni hebre dhe se Franca, ashtu si Moldavia, dyshon se Rusia është organizatorja e këtyre veprimeve.