Qeveria përcakton bonusin e pranverës për pensionistët, ja si ndahen kategoritë e përfituesve

Qeveria ka përcaktuar bonusin e paralajmëruar të pranverës për pensionistët në vend, duke zbuluar sasinë që do të shpërndahet dhe se si ndahen kategoritë e përfituesve.

Pensionistët me pensione nën 20,000 lekë do të përfitojnë 10,000 lekë, ndërsa ata mbi këtë shumë do të marrin 5,000 lekë.

Për këtë sasi parash do të krijohet një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë për pensionistët, ku do të transferohen 6.3 miliardë lekë për garantimin e bonusit të pranverës.

Ministri i Financave Petrit Malaj u shpreh se një fond prej 2.2 miliardë lekësh do të shpërndahet në formën e shpërblimeve për kategoritë sociale më vulnerabël. Bonus prej 15,000 lekësh do të përfitojnë familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre.

Për bujqësinë, do të alokohet një fond shtesë prej 1.4 miliardë lekësh, ndërsa për bashkitë do të sigurohen 1.6 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe përmirësimin e shërbimeve publike.