Izraeli po zhvillon konsultime të brendshme mbi mundësinë e pranimit të forcave turke në misionin ndërkombëtar që pritet të dislokohet në Rripin e Gazës, si pjesë e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit.
Sipas Autoritetit Izraelit të Transmetimeve, burime zyrtare bëjnë të ditur se Tel Avivi mund të detyrohet të rishikojë qëndrimin e tij refuzues ndaj Ankarasë, për shkak të hezitimit të shumë shteteve për të dërguar trupa në këtë mision ndërkombëtar.
Burimet theksojnë se kryeministri Benjamin Netanyahu pritet të përballet me një sfidë të ndjeshme politike gjatë takimit të tij të ardhshëm me presidentin amerikan Donald Trump, ku çështja e pranisë së forcave turke në Gaza do të jetë një nga temat kryesore.
Megjithëse për Netanyahun pjesëmarrja e Turqisë konsiderohet një “vijë e kuqe”, presioni diplomatik dhe mungesa e opsioneve alternative po e bëjnë këtë pozicion gjithnjë e më të vështirë për t’u mbajtur.
Në ditët e fundit, media turke kanë raportuar se Trump mund të ushtrojë presion të drejtpërdrejtë mbi Netanyahun për të lejuar përfshirjen e Ankarasë në forcën ndërkombëtare, një zhvillim që rrezikon të thellojë tensionet politike mes Izraelit dhe Turqisë.
Sipas burimeve izraelite, vendimi përfundimtar do t’i takojë Izraelit, i cili ende po peshon nëse do ta ruajë veton ndaj Turqisë apo do të pranojë një kompromis të vështirë në emër të stabilitetit dhe zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit.