Edon Zhegrova “ndryshon” Juventusin, Spalleti: Më pëlqeu, luan me ‘fitilin e ndezur’

0
1

Juventusi vazhdon momentin pozitiv në Serinë A, duke koleksionuar fitoren e tretë radhazi për t’u afruar ndjeshëm me kreun e klasifikimit.

Këtë herë “Zonja e Vjetër” triumfoi kundër Pizës 0-2 në një ndeshje që nuk ishte aspak e lehtë. Madje ishin vendasit ata që sulmuan në pjesën e parë dhe në fillimin e së dytës, duke goditur dy herë shtyllën.

Edhe bardhezinjtë iu afruan golit me anë të Kelly-t. Aktivizimi i Zhegrovës në pjesën e dytë i dha një tjetër impuls ekipit të Spallettit dhe Juventusi gjeti golin. Kalulu provokoi kundërshtarin brenda zonës, i cili u detyrua ta shtynte vetë topin në rrjetë. Kenan Yildiz mbylli llogaritë me golin në fund për t’i dhënë 3 pikët e arta skuadrës së tij.

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës pati ndikimin e tij te goli i avantazhit.

Trajneri Spalletti vlerësoi maksimalisht Zhegrovën.

“Në pjesën e dytë, kishim më shumë cilësi, ishim më krijues, Zhegrova dhe David bënë mirë, duke na dhënë më shumë cilësi në metrat e fundit. Arritëm të shënonim dhe në atë moment të lojës ndjeva se ishte e merituar, pasi po krijonim hapësira në zonë.

Zhegrova kishte grip dhe tri ditë me temperaturë të lartë, prandaj kisha dyshime nëse mund të përballonte 35 minuta. Por duhej ta rrezikonim, sepse po kishim vështirësi në krijimin e atyre hapësirave, dhe ai, siç e pamë, është dikush me ‘fitilin e ndezur’, di të kalojë kundërshtarët dhe të bëjë zgjedhjet e duhura”, u shpreh Spalletti.

Bardhezinjtë kanë 32 pikë, vetëm 1 më pak sesa Interi, që duhet të rikuperojë 2 ndeshje. Zikaltrit sot në mbrëmje do të përballen me Atalantën.