Kongresmenia republikane kritikon Trump: Operacioni në Venezuelë është për kontrollin e naftës!

Kongresmenia amerikane Marjorie Taylor Greene ka kritikuar ashpër presidentin Donald Trump për operacionin ushtarak në Venezuelë, duke e cilësuar si një lëvizje të qartë për kontrollin mbi furnizimet me naftë të vendit.

“Heqja e Maduro-s është një lëvizje e qartë për kontrollin mbi furnizimet me naftë venezueliane,” ka shkruar ajo në një postim X, duke shtuar se kjo do të shërbejë për “luftën e ardhshme të qartë për ndryshim regjimi në Iran”.

Ajo akuzoi Trump për standarde të dyfishta, duke ngritur pyetjen: “Pse është e drejtë që Amerika të pushtojë, bombardojë dhe arrestojë një lider të huaj, ndërsa Rusia është e keqe nëse pushton Ukrainën dhe Kina është e keqe nëse sulmon Tajvanin? Është mirë vetëm nëse e bëjmë ne?”

Greene shtoi se amerikanët janë të lodhur nga agresioni i pafund ushtarak dhe mbështetja për luftërat e huaja, të cilat sipas saj u kushtojnë taksapaguesve amerikanë. “Shumë në lëvizjen Maga mendonin se kishin votuar për t’i dhënë fund gjithë kësaj. Miq, sa gabim kemi qenë!” përfundoi ajo.