Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas, ndodhet në terapi intensive në spitalin “Evangelismos”, ku mjekët bëjnë çdo përpjekje për të stabilizuar shëndetin e tij. Sipas njoftimit të fundit mjekësor, gjendja e hierarkut 95-vjeçar është përkeqësuar rëndë, raportojnë mediat greke.
“Kryeministri grek Qirjakos Miçotaqis dhe kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë Ieronymos vizituan dje spitalin “Evangelismos”, për t’u informuar nga profesoresha e Pulmologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Anastasia Kotanidou, për ecurinë e shëndetit të tij. Sot në mëngjes, në spital ishte edhe ministri i Arsimit dhe Çështjeve Fetare Kyriakos Pierrakakis”, raportojnë mediat greke.
Shtrimi i Kryepeshkopit në “Evangelismos” nisi më 3 janar, pasi u transportua me avion nga Tirana.
Hierarku u shtrua fillimisht në një spital të kryeqytetit shqiptar më 30 dhjetor për shkak të temperaturës që po e shqetësonte, por pësoi një përkeqësim të rëndë kur pësoi hemorragji gastrointestinale.
Transferimi i tij në Greqi u krye me një avion të Forcave Ajrore.
Sipas deklaratës mjekësore të pardjeshme, pavarësisht historisë së tij të komplikuar mjekësore, gjendja e tij konsiderohej e qëndrueshme dhe po monitorohej nga afër nga ekipi i zonjës Kotanidou.
Megjithatë, përkeqësimi i ri ka shkaktuar shqetësim të madh.