Administrata Trump thuhet se po shqyrton mundësinë për t’u paguar banorëve të Groenlandës deri në 100.000 dollarë për person, në një përpjekje për t’i bindur ata të shkëputen nga Danimarka dhe të bashkohen me Shtetet e Bashkuara, sipas burimeve të cituara nga Reuters.
Edhe pse detajet rreth planit specifik nuk janë konfirmuar, zyrtarët amerikanë, përfshirë disa në Shtëpinë e Bardhë, kanë përmendur shuma që variojnë nga 10,000 deri në 100,000 dollarë për banor.
Më herët këtë javë, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për të pushtuar ishullin, duke theksuar se Uashingtoni do të preferonte të blinte këtë territor danez jashtë shtetit.
Megjithatë, kjo ide e veçantë mund të konsiderohet shumë “transaksionale”, madje poshtëruese, për një popull që ka kohë që diskuton pavarësinë e tij nga Danimarka.
“Mjaft më… Mjaft me fantazitë e aneksimit”, shkroi Kryeministri i Groenlandës në një postim të dielën, duke iu përgjigjur deklaratave të reja të Trump në lidhje me “blerjen” e ishullit nga SHBA-të.
Ndërsa sondazhet tregojnë se shumica dërrmuese e banorëve të Groenlandës janë në favor të pavarësisë, shqetësimet në lidhje me kostot ekonomike të shkëputjes nga Danimarka – ndër të tjera – i kanë penguar shumicën e deputetëve të Groenlandës të bëjnë thirrje për një referendum mbi pavarësinë.
Sondazhet tregojnë gjithashtu se shumica e banorëve të Groenlandës, ndërsa janë të hapur për shkëputje nga Danimarka, nuk dëshirojnë të bashkohen me Shtetet e Bashkuara.