Zyrtarë rusë sinjalizuan në vitin 2019 se Kremlini do të ishte i gatshëm të tërhiqej nga mbështetja e tij për Nicolás Maduron në Venezuelë, në këmbim të një dore të lirë në Ukrainë, sipas Fiona Hill, këshilltare e presidentit Donald Trump në atë kohë.
Rusët e hodhën vazhdimisht idenë e një “marrëveshjeje shumë të çuditshme shkëmbimi mes Venezuelës dhe Ukrainës”, tha Hill gjatë një seance dëgjimore në Kongres në vitin 2019. Komentet e saj dolën sërish në pah këtë javë dhe u shpërndanë në rrjetet sociale pas operacionit të fshehtë amerikan për kapjen e Maduro-s.
Hill tha se Rusia e shtyu këtë ide përmes artikujve në mediat ruse që i referoheshin Doktrinës Monroe, një parim i shekullit XIX sipas të cilit SHBA kundërshtonte ndërhyrjen evropiane në Hemisferën Perëndimore dhe, në këmbim, pranonte të mos ndërhynte në çështjet evropiane. Kjo doktrinë u përmend nga Trump për të justifikuar ndërhyrjen e SHBA-së në Venezuelë.
Edhe pse zyrtarët rusë nuk bënë kurrë një ofertë formale, ambasadori i atëhershëm i Moskës në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, i la asaj shumë herë të kuptohej se Rusia ishte e gatshme t’i lejonte SHBA-së të vepronte si të donte në Venezuelë, nëse SHBA do të bënte të njëjtën gjë për Rusinë në Evropë, i tha Hill këtë jave agjencisë Associated Press.
“Para kësaj kishte një ‘nënkuptim pas nënkuptimi, shtytje e lehtë, shkelje syri, po sikur të bënim një marrëveshje?’ Por askush (në SHBA) nuk ishte i interesuar atëherë,” tha Hill.
Trump e dërgoi Hill-in, atëherë këshilltaren e tij të lartë për Rusinë dhe Evropën, në Moskë në prill 2019 për të përcjellë atë mesazh. Ajo tha se u kishte thënë zyrtarëve rusë se “Ukraina dhe Venezuela nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën”.
Në atë kohë, tha ajo, Shtëpia e Bardhë ishte në një linjë me aleatët duke njohur liderin e opozitës venezueliane Juan Guaidó si president të përkohshëm të vendit.
Por, shtatë vjet më vonë, situata është ndryshe.
Pas rrëzimit të Maduro-s, SHBA ka thënë se tani do ta “drejtojë” politikën ndaj Venezuelës. Trump ka rinovuar gjithashtu kërcënimin për të marrë nën kontroll Groenlandën, një territor vetëqeverisës i Danimarkës dhe pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s, dhe ka kërcënuar me veprime ushtarake kundër Kolumbisë për shkak të trafikut të kokainës.
Kremlini do të ishte “i entuziazmuar” nga ideja që vendet e mëdha, si Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, të kenë sfera influence, sepse kjo provon se “forca bën ligjin”, tha Hill.
Veprimet e Trumpit në Venezuelë e bëjnë më të vështirë për aleatët e Kievit të dënojnë planet e Rusisë për Ukrainën si “të paligjshme”, sepse “sapo kemi pasur një situatë ku SHBA ka marrë kontrollin, ose të paktën i ka prerë kokën qeverisë së një vendi tjetër, duke përdorur trillim,” i tha Hill AP-së.
Administrata Trump e ka përshkruar operacionin në Venezuelë si një veprim të zbatimit të ligjit dhe ka këmbëngulur se kapja e Maduro-s ishte e ligjshme.
Ministria e Jashtme ruse nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment lidhur me rrëfimin e Hill-it.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka komentuar për operacionin ushtarak për rrëzimin e Maduro-s, por Ministria e Jashtme lëshoi deklarata duke dënuar “agresionin” amerikan./Top Channel