Ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka ngritur publikisht pikëpyetje të forta mbi projektin e terminalit doganor të Lidl në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një rast që kërkon hetim të thelluar publik dhe institucional për mënyrën se si është zbatuar ligji për investimet strategjike.
Sipas Ahmetajt, Lidl ka përfituar një terminal doganor me kontratë 35-vjeçare dhe rinovim automatik, ndërsa në një rreze prej 5 kilometrash nuk lejohet asnjë aktivitet tjetër i ngjashëm.
Ai theksoi në syri TV se kjo situatë ka sjellë shpronësime masive të pronarëve privatë, jo në funksion të një interesi të gjerë publik, por në favor të drejtpërdrejtë të një subjekti privat që sipas tij duhet investiguar.
Ahmetaj deklaroi se pronarët janë shpronësuar për llogari të Lidl, duke vënë në dyshim konceptin e interesit publik që justifikon ndërhyrjen e shtetit.
Sipas tij, magazina doganore po jepet pa u ndërtuar ende porti përkatës, gjë që e bën edhe më të paqartë gjithë skemën.
Ahmetaj ngriti dyshime të forta se ligji për investimet strategjike është shfrytëzuar në mënyrë kriminale, duke e cilësuar këtë praktikë si grabitje të pasurisë publike dhe private.
Sipas Ahmetajt, dhënia e një magazine doganore në këto kushte, pa plotësuar kriteret bazë infrastrukturore, është një precedent i rrezikshëm që duhet ndalur.
Në deklaratën e tij, Ahmetaj theksoi se rreth projektit Lidl ka shumë thashetheme për aktorët që qëndrojnë realisht pas tij, duke bërë thirrje që kjo çështje të hetohet nga gazetarët, opinioni publik dhe institucionet shqiptare.
“Kush qëndron pas Lidl, le ta zbulojnë gazetarët. Kjo skemë duhet ndalur”, u shpreh Ahmetaj, duke e cilësuar rastin si një test serioz për transparencën, ligjshmërinë dhe mbrojtjen e interesit publik në vend.