Procesi i Gjykatës së Krimeve të Rënda në Bruksel, kundër shqiptarit Franc Çopja (33 vjeç) është pezulluar, shkruajnë mediat e huaja.
Sipas raportimeve, shkak për pezullimin është bërë konstatimi i disa morrave të shtratit në sallën e gjyqit.
“Të hënën në mëngjes, një nga anëtarët e jurisë vuri re se një morr shtrati i ishte ngjitur në krah. Kur seanca rifilloi pas pushimit të drekës, kryetarja e trupit gjykues vendosi ta pezullojë procesin për 24 orë, në mënyrë që të merren masa”,– raportojnë mediat.
“Kjo shkon shumë larg”, është shprehur gjykatësja Isabelle de Saedeleer, duke iu referuar problemeve të shumta me të cilat përballet vazhdimisht sistemi i drejtësisë.
“Nuk dua të vë në rrezik anëtarët e jurisë, avokatët, të pandehurit apo këdo tjetër.” , deklaroi ajo duke kërkuar të gjithë të përfshirëve që t’i lajnë rrobat në 60 gradë ose t’i vendosin në frigorifer.
Nuk është e qartë se çfarë masash do të mund të marrë tani drejtësia.
Procesi ka të bëjë me vrasjen brutale të Ardit Spahiut, e kryer në mes të ditës, në rrugë, në Bruksel më 27 nëntor 2021. Sipas prokurorisë federale, vrasja ishte një larje hesapesh mes dy klaneve mafioze, dhe shtatë persona po gjykohen në ndërtesën ‘Justitia’, ish-ndërtesat e NATO-s në Evere.