Hakeri Arnold Rrokaj ka pasur akses në materialet e SPAK për gati një muaj, zbulohet në dosjen e SPAK dërguar në GJKKO ndaj ish drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili, Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni, punonjës i burgjeve të cilën gazetari i Syri TV Fatjon Gjinaj ka arritur ta sigurojë.
.Nga verifikimi i celuarit të Rrokajt më 19 mars 2025, ka rezultuar se ka pasur akses në sistemin e SPAK nga data 11 shkurt 2025 – 12 mars 2025 duke shkarkuar materiale të shumta të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në rubrikën e telefonit “Documents”, janë evidentuar një sërë dokumentash në formatin ëord, të cilat mbajnë emërtime të procedimeve të ndryshme penale në hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, apo dhe emërtime të dokumenteve me emra personash, të cilët kanë statusin e personave nën hetim apo të dyshuar nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
Po kështu një numër i madh dokumentesh cvs documents; excel; pdf) materiale hetimore sensitive të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë gjetur në laptonin e tij,por këto nuk rezulton të jenë shpërndarë tek palë të treta thotë SPAK.
SPAK sqaron se ”përmbajtja e dokumenteve të konstatuara në kompjuterin e të hetuarit Arnold Rrokaj, për shkak të rëndësisë dhe sensitivitetit të tyre (duke qenë se janë dokumente në proces/verifikimi dhe/apo pjesë e hetimeve penale në ndjekje), nuk janë printuar dhe nuk i janë bashkangjitur procesverbalit të këqyrjes”
Nga materialet e gjetura në aparatin celular të të hetuarit Zambak Gjoni, evidentohet fakti se i hetuari Arnold Rrokaj kishte arritur tashmë të aksesonte email-et e disa prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe se kishte marrë disa dokumenta nga email-et e tyre.
Hyri në email e Kaçkinit
Madje Rrokaj ka arritur të ketë akses dhe në përgjime të sky ECC të cilat i kishte marrë nga emaili i prokurories Elida Kaçkini.
Gjatë dëshmisë më 21 mars 2025, Arnold Rrokaj ka shpjeguar se: “Gjithashtu, sqaroj se nga email i prokurores Elida Kaçkini, kam shkarkuar një skedar që përmbante disa pin të Sky Ecc. Këto i kishin ardhur nga një link i një faqeje franceze. Këto materiale, pasi i kam shkarkuar në telefon, i kam kaluar në kompjuter, nëpërmjet sinkronizimit të aparatit celular me kompjuterin, dhe pasi kam hapur një prej tyre, nuk më janë dukur shumë interesante, dhe i kam fshirë nga kompjuteri. Këto materiale nuk ja kam dërguar askujt dhe ju garantoj për këtë gjë…”
Shume shpejt Klod Brahon
Arnold Rrokaj ka synuar dhe emailet e prokurorit të SPAK, Klodian Braho, aktualisht kreu i SPAK.
“I hetuari Arnold Rrokaj gjithashtu informon mbi faktin se shumë shpejt do të aksesojë email-et e një prokurori tjetër dhe konkretisht, më datë 18.02.2025, ora 21:56:28 ai i shkruan të hetuarit Zambak Gjoni sms me përmbajtje: “Shume shpejt Klod Brahon”.
SPAK ka bindjen se Zambak Gjoni jo vetëm që kishte ardhur në dijeni të plotë të faktit se Arnold Rrokaj kishte aksesuar të dhëna nga email-et e prokurorëve të SPAK, por edhe i kërkonte atij të orientonte kërkimin në drejtim të emrave të posaçëm.
Rrokaj i dërgon disa dokumente të hetuarit Zambak Gjoni, të cilat ata i diskutojnë edhe përgjatë datës 20.02.2025, informacione për lejime kontrolli vendesh; këqyrje aktesh ekspertimi; informacione mbi ecurinë e procedimeve penale
Informacion mbi ecurine_Damiani.docx
Arnold Rrokaj kishte arritur të nxjerrë nga SPAK dhe dokumente për Damian Gjiknurin, aktualisht deputeti i PS-së.
Mësohet se Dokumenti “Informacion mbi ecurine_Damiani.docx” 79 faqe ky dokument i është dërguar nga Zambak Gjoni tek Ismaili por dhe personave të tretë.
Më 18 shkurt 2025, SPAK zbulon se i hetuari Zambak Gjoni i dërgon Ismailit, gjithashtu dokumentin me përmbajtje: “Leter porosi_Austrië.doc.”, duke dërguar sms: “Do e haje dhe damiani me duket”, si dhe duke dërguar gjithashtu dhe dokumentin me titull “Informacion mbi ecurine Damian”
Ismaili vetë në dëshminë e tij pranon se ka marrë informacion por ka menduar se ishin material të shpërndaranë media dhe jo të hakeruara nga SPAK
“Një natë, përpara disa kohësh, më solli një material si komunikonim vazhdimisht dhe e pashë, ndërkohë që isha duke punuar. Këtë material e shpërndava pasi e mendova se ishte një lajm që kishte dalë nga mediat dhe nuk e mendova gjatë. Më pas e kam lexuar këtë material dhe i hodha një sy. Materiali kishte të bënte me disa hetime të zhvilluara ndaj shtetasit Damian Gjiknuri dhe nuk e kam diskutuar më me njerëz të tjerë”