3 vite pas firmosjes së marrëveshjes për emigrantët e sjellë nga Italia në Gjadër, mediat italiane kanë zbuluar detaje nga rinovimi i kontratës me resortin Rafaelo në Shëngjin.
Sipas “Ilfattoquatidiano”, 18 milionë euro është vlera e kontratës ndërsa nuk mungojnë kritikat për kryeministren italiane.
Artikulli i plotë:
Misioni në Shqipëri, vazhdohet pa kursyer shpenzime. Është rinovuar marrëveshja me resortin me 5 yje për akomodimin e forcave të rendit të angazhuara në menaxhimin e qendrave për migrantët. Siç është përsëritur disa herë nga kryeministrja Giorgia Meloni, edhe gjatë samitit të fundit ndërqeveritar mes Italisë dhe Gjermanisë, për menaxhimin e çështjes së emigrantëve Italia synon të vazhdojë të mbështetet te “zgjidhje inovative” si Protokolli i nënshkruar mes Romës dhe Tiranës më 6 nëntor 2023.
Kjo pavarësisht faktit se deri tani operacioni nuk ka dhënë rezultatet e pritura nga qeveria, se personat për t’u dëbuar duhet gjithsesi të kthehen në Itali për riatdhesim dhe se qendrat e pritjes në territorin italian kanë kosto më të ulëta dhe mbeten strukturalisht të pashfrytëzuara.
Kjo duket se ka pak ose aspak rëndësi për qeverinë. “Nuk kemi mundur ta vëmë në funksion deri tani për shkak të vendimeve ideologjike të gjyqtarëve – shpjegoi banorja e Pallatit Chigi –. Na thanë se ishte në kundërshtim me legjislacionin e BE-së. Mirë, ne e kemi korrigjuar legjislacionin e Unionit.”
Ndërkohë janë kryer edhe procedurat për të mundësuar që qendrat për migrantët në Gjadër dhe Shëngjin të funksionojnë me kapacitet të plotë. Mes tyre është edhe nënshkrimi i një kontrate dyvjeçare për shërbimin e akomodimit në dhoma teke hoteli, me ushqim dhe shërbime të lidhura, për personelin e Policisë të angazhuar në Shqipëri.
Në përfundim të një konsultimi paraprak të tregut, i nisur në mesin e qershorit dhe i mbyllur në fund të dhjetorit, fituese doli e njëjta strukturë me 5 yje që kishte marrë kontratën edhe dy vite më parë, pra “Rafaelo Resort”. Këtë e tregojnë dokumentet e Ministrisë së Brendshme italiane (Departamenti i Sigurisë Publike), të shqyrtuara nga agjencia e lajmeve LaPresse.
Sipas tyre, është miratuar dhënia e kontratës në favor të shoqërisë “Rafaelo Resort S.r.l.”, me seli në Shëngjin (Shqipëri), për shërbimin e akomodimit me dhoma teke, ushqim dhe shërbime të lidhura, për një periudhë 24-mujore, me një kosto ditore prej 83 euro për person (pa taksa), për një shumë maksimale të vlerësuar prej 18.177.000 euro (pa taksa).
Dekreti për dhënien përfundimtare të kontratës është nënshkruar më 11 dhjetor dhe është publikuar ditët e fundit. Procedura e tenderit ishte hapur më 18 qershor 2025, përmes një njoftimi për shprehje interesi, ku Departamenti i Sigurisë Publike shprehte nevojën për të gjetur shpejt një operator ekonomik për këtë shërbim.
Afati për paraqitjen e kandidaturave ishte 15 korriku. Në këtë datë u njoftuan dy kompani të interesuara: “Rafaelo Resort shpk” dhe “Xenia S.p.A.”. Megjithatë, ofertë përfundimtare paraqiti vetëm Rafaelo, e cila edhe këtë herë fitoi kontratën, si në vitin 2024./Përktheu Zëri