Qeveria drejt rritjes së pensioneve? Buxheti me fonde shtesë, zbardhet skema

Akti i fundit normativ për ndryshime në buxhetin e vitit 2025 është diskutuar në seancën kuvendore. Gjatë prezantimit të tij, Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se u adresua mbështetja e shtresave në nevojë, siç janë përfituesit e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar, si dhe u akorduan fondet për indeksimin e pensioneve dhe bonusin.

“Akti normativ adresoi në mënyrë të menjëhershme nevojën e mbështetjes të shtresave më në nevojë si personat me ndihmë ekonomike dhe ata me aftësi të kufizuar. Paralelisht kemi siguruar fondet për pensionet. Kemi synuar rritjen graduale të mbështetjes financiare. Për vitin 2025 mbështetja buxhetore ishte 256 milionë euro për ndihmën ekonomike përfshirë dhe bonusin, ndërsa për pensionistët 120 milionë euro që përfituan bonusin dhe indeksimin. Synojmë transferimin e të gjitha fondeve të buxhetit 2025 që nuk janë përdorur nga institucionet, në llogarinë për pensionistët në Bankën e Shqipërisë.”

Ministri theksoi se fondi që do të kalojë në llogarinë e pensionistëve në Bankën e Shqipërisë llogaritet në 150 milionë euro.

“Shuma që minimalisht do kalojë në llogarinë e pensionistëve në Bankën e Shqipërisë është rreth 150 milionë euro. Përmes kësaj shume synojmë të sigurojmë një mbështetje të qëndrueshme për këtë kategori. Kemi një shtesë fondesh prej 2 miliardë lekë për fermerët për masat e mbështetjes në bujqësi për vitin 2025 dhe fondi total shkon në 6.4 miliardë lekë. Realizimi i fondit për skemat mbështetëse është në masën 90 për qind he për kompensimin e naftës dhe 93 për qind për masat e tjera. Pagesat janë duke vijuar.”

Sa i takon investimeve kapitale, Ministri theksoi se përmes aktit normativ janë rialokuar 10 miliardë lekë me qëllim mbështetjen e projekteve që kanë pasur perfomancë më të mirë dhe 1.2 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të bashkive.