Balluku drejt arrestimit? SPAK me prova të reja, Kushtetuesja në “provë zjarri”, ja çfarë pritet të ndodhë

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet ditën e nesërme pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese për “Çështjen Balluku”, ndërsa pritet që të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres.

Socialistët nuk pranuan të shqyrtojnë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit e Ballukut në Këshillin e Mandateve, deri sa Gjykata Kushtetuese të dilte me një vendim.

Por burime për Report Tv bëjnë me dije se “Kushtetuesja” ka kërkuar më shumë kohë në vlerësimin e kësaj çështje. Kushtetuesja u mblodh sot, por siç mësoi gazetarja e Report Tv Esiona Konomi nuk ka dalë me një vendim për ankimin e qeverisë.

Mbetet për tu parë nëse Këshilli i Mandateve drejtuar nga Niko Peleshi do të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, apo njëjtë si “Kushtetuesja” do të kërkojnë më shumë kohë.

GJKKO, me kërkesë të SPAK pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku e pandehur për abuzime me tenderin e Llogarasë, por Kryeministri Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij.

Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.

E pandehur për shkeljet në tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 7 procedura të tjera prokurorimi lidhur me ndërtimin e lotëve të Unazës së Madhe, SPAK ka dyshime se Balluku duke qenë në detyrë, rrezikon të prishë provat hetimore dhe të intimidojë dëshmitarët.