Arben Frroku, i dënuar përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamaj, do të rigjykohet. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që procesi ndaj tij rihapet dhe seanca e parë do të mbahet me 17 Shkurt, ora 10:00.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se, autoritetet e drejtësisë shqiptare duhet të rihapin dosjen e Arben Frrokut dhe t’i garantojnë atij një proces të rregullt ligjor.
Vëllai i ish-deputetit Mark Frroku e dërgoi çështjen në Stasburg, pasi nuk e pranoi dënimin me burgim të përjetshëm, dhe GJEDNJ konstatoi se procesi gjyqësor ndaj tij ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut dhe duhet të rigjykohet në Shqipëri.
Aktualisht, Arben Frroku ndodhet në burg në Holandë dhe shteti atje ka refuzuar prej vitesh kërkesën për ekstradim në Shqipëri, me vëllain e ish-deputetit që ka shfrytëzuar rastin dhe përmes avokatëve të tij e ka dërguar çështjen në Gjykatën Europiane.
Në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ai u shpall i pafajshëm, por më 29 Qershor 2015, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e dënoi me burgim të përjetshëm. Vendimi u la në fuqi dhe nga shkallët e tjera të drejtësisë.
Kur vendimi u dha, ai ishte larguar nga Shqipëria duke e ditur atë që do të vendosej në sallën e gjyqit.
Në vitin 2016, Arben Frroku u arrestua Holandë me dokumenta false greke dhe identitet të ri “Renato Xhepa”. Për shkak të kohës së kaluar në paraburgim, Frroku përfitoi në atë kohë ulje të dënimit dhe drejtësia holandeze vendosi se atij i kishin mbetur edhe 18 vite për të qëndruar prapa hekurave.
Vrasja e Kryekomisar Dritan Lamaj më 25 shkurt 2013, është ndër vrasjet më të bujshme të ndodhura në Shqipëri. Breshëri plumbash u derdhën mbi 41-vjeçarin, baba i një vajze të mitur, në pragun e shtëpisë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Biznesmeni Arben Frroku u akuzua dhe shpall fajtor për vrasjen, e cila dyshohet se ndodhi pas dhunës që Lamaj pretendohet se kishte ushtruar ndaj tij. Ai nuk e pranoi dënimin me burgim të përjteshëm dhe ushtroi ankim në të gjitha gjykatat shqiptare.
Më parë, ankimimet e tij u rrëzuan nga institucionet më të larta të drejtësisë në Shqipëri, konkretisht nga Gjykata e Lartë më 8 Qershor 2017 dhe Gjykata Kushtetuese më 24 Prill 2018, të cilat lanë në fuqi dënimin përjetë.
Ministria e Drejtësisë i dërgoi vendimet e dënimit në Holandë dhe kërkoi ekstradimin e Arben Frrokut për të vuajtur dënimin, por Gjykata në Hagë refuzoi, me argumentin se i rrezikohet jeta pasi dënimi ishte dhënë për arsye politike.