Erdogan nuk “ia fal” Kryeministrit vizitën në Izrael, Rama në “rreth të kuq” nga turqit! Ja çfarë po ndodh në prapaskena

Mediat pranë Erdoganit, transmetim Live dhe jehonë protestës dje kundër vizitës së Ramës në Izrael…

Vizita e Ramës në Izrael duket se nuk kapërdihet lehtë nga Recep Tayyip Erdogan. Presidenti turk e ka shpallur armik Netanyahun, ndërkohë Rama shkoi, i shtrëngoi dorën dhe i thuri elozhe. Kjo gjë ka shkaktuar irritim në Ankara, pasi edhe pse vetë institucionet nuk kanë reaguar, mjafton të shohësh mediat pranë Erdoganit për të kuptuar se sa i madh është ky irritim.

Dje, qarqet pro-turke në Tiranë zhvilluan një protestë kundër vizitës së Ramës në Izrael. Me flamuj të Palestinës dhe parulla nga më të ndryshmet, protestuesit shpreheshin se kryeministri nuk po flet në emër të popullit shqiptar, por për interesa personale dhe “për të shpëtuar lëkurën e vet nga drejtësia”.

Por teksa kjo protestë nuk u pasqyrua thuajse fare në mediat shqiptare, ka ndodhur krejt e kundërta në ato turke. Për më tepër, agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”, e cila financohet nga presidenca turke, e ka transmetuar Live në rrjetet e saj sociale, si në Facebook ashtu edhe në Instagram. Po ashtu, është bërë lajm për të si te kjo agjenci, ashtu edhe te shumë media të tjera turke pranë Erdoganit.

Erdogan nuk e kalon lehtë vizitën në Izrael, Rama në

Transmetimi i protestës

Kryeministri shqiptar Rama, i cili ishte në një vizitë zyrtare në Izrael, deklaroi në fjalimin e tij në një seancë të posaçme të parlamentit izraelit më 26 janar se parlamenti izraelit ishte një ‘vend shumë i veçantë’ dhe se ndihej ‘nder i madh’ që ndodhej atje, dhe përdori fjalë lavdërimi për Netanyahun. Rama u bojkotua nga ligjvënësit arabë, ndërsa shumica e ligjvënësve izraelitë gjithashtu nuk morën pjesë në seancë. Rama, i cili nuk e ka kritikuar gjenocidin e Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, fajësoi Hamasin për shndërrimin e Gazës në një ‘burg të hapur’”, shkruan “Anadolu”, teksa u ka dhënë zë shumë prej personave që folën në protestë.

Ndërkohë, disa media të tjera kanë qenë akoma edhe më të ashpra, duke e quajtur Edi Ramën një sionist. “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Izraelin gjenocidal, shprehu mbështetje për shtetin vrasës të Izraelit dhe udhëheqësin e tij. Ai donte t’i jepte botës një imazh se një shoqëri myslimane që jeton në Evropë, si Shqipëria, ‘mbështet Izraelin, i cili po kryen masakra në Gaza’”, shkruajnë mediat turke.

Ndërsa një tjetër shkruan se në Tiranë shpërthen zemërimi kundër Kryeministrit “pro-sionist”: “Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u ngrit kundër kryeministrit Edi Rama, i cili mbështet gjenocidin e kryer nga Izraeli terrorist në Gaza. Mijëra njerëz, të mbledhur para ndërtesës së Parlamentit me thirrjen e organizatave të shoqërisë civile, protestuan fuqishëm kundër vizitës së Ramës në Izrael midis 25-27 janarit dhe takimit të tij me kriminelin e luftës Netanyahun”.

Pra, duket se raportet janë krisur. Rama duket se po sakrifikon miqësinë me Erdoganin për t’u afruar me Trump. Vizita në Izrael, më shumë se mbështetje për Netanyahun, ishte një lëvizje strategjike për të lënë përshtypje në Uashington. Por duket se Erdogan e ka “vath në vesh” këtë vizitë dhe nuk ka për ta harruar lehtë. /Pamfleti

VIDEO