Dosjet e reja të FBI-së mbi Jeffrey Epstein kanë rikthyer vëmendjen te rrjetet informale që kanë vepruar rreth presidencës Trump. Në këtë sfond, Chabad-Lubavitch shfaqet si një urë e mundshme afrimi drejt botës trumpiste, një rrugë që figura të ndryshme politike e kanë parë si alternativë ndaj diplomacisë zyrtare
Publikimi i dokumenteve të reja nga dosjet e Jeffrey Epstein në Shtetet e Bashkuara ka rikthyer në vëmendje jo vetëm emra të njohur të politikës dhe biznesit amerikan, por edhe mënyrën se si institucionet federale amerikane kanë parë, qysh prej vitesh, rrjetet informale të ndikimit që veprojnë paralelisht me pushtetin zyrtar. Mes këtyre dokumenteve, një memorandum i brendshëm i FBI-së spikat jo për provat që sjell, por për alarmet që ngre.
Një memorandum i FBI‑së i vitit 2020, i publikuar me dosjet “Epstein Files”, përmbante pretendime nga një burim konfidencial se lëvizja Chabad‑Lubavitch synonte të “kapte” presidencën Trump. Sipas memos, burimi tha se Chabad ishte “duke bërë gjithçka” për të ndikuar në presidencë. Në të njëjtën memo, burimi tha se presidenti Trump ishte “komprometuar nga Izraeli” dhe se dhëndri i tij Jared Kushner ishte “truri i vërtetë” pas organizatës. Në të njëjtin dokument, burimi pretendonte se Jeffrey Epstein ishte rekrutuar nga shërbimi sekret izraelit Mossad dhe se kishte marrë trajnim nga ish‑kryeministri Ehud Barak; ky pretendim lidhej me akuza se Epstein shërbeu si agjent për Izraelin.
Në këtë mozaik marrëdhëniesh që kalojnë përmes Chabad-it dhe botës trumpiste, nuk mund të anashkalohet as hija e gjatë ruse, e cila prej vitesh shfaqet në të njëjtat hapësira jo si aktor zyrtar, por si prani e vazhdueshme e interesave që lëvizin paralelisht me politikën perëndimore.
Chabad-Lubavitch është një lëvizje brenda judaizmit ortodoks, por kufizimi i saj vetëm si organizatë fetare do të ishte një keqkuptim i madh, sepse roli i saj real, sidomos në dekadat e fundit, ka tejkaluar prej kohësh dimensionin strikt religjioz dhe është shndërruar në një strukturë globale ndikimi, e pranishme aty ku përplasen politika, kapitali dhe diplomacia.
E themeluar në Evropën Lindore në fund të shekullit të 19 dhe e konsoliduar në Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore, Chabad-Lubavitch ka ndërtuar një rrjet të gjerë qendrash, rabinësh dhe institucionesh në mbi 100 shtete të botës. Nuk funksionon si një hierarki klasike kishtare, por si një rrjet horizontal besimi dhe besnikërie, ku çdo përfaqësues ka autonomi të madhe, por mbetet i lidhur fort me qendrën simbolike dhe ideologjike të lëvizjes.
Në qendër të kësaj bote ndodhet një vend i vogël në Nju Jork, i njohur si Ohel, varri i udhëheqësit historik të Chabad-it. Aty shkohet për të lënë një shënim, për të qëndruar pak minuta në heshtje dhe për të dhënë një sinjal që kuptohet vetëm nga ata që e njohin këtë gjuhë. Aty kanë shkuar politikanë amerikanë, njerëz të afërt me Donald Trump, dhe së fundmi edhe Edi Rama.
Nuk është pa domethënie fakti që në të njëjtin vend simbolik të Chabad-Lubavitch, në Ohel-in në Queens të Nju Jorkut, janë shfaqur në kohë të ndryshme figura që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me botën politike të Donald Trump: vetë Trump, i shoqëruar publikisht nga familjarë të tij, dhëndri Jared Kushner dhe vajza, Ivanka Trump, të cilët prej vitesh njihen për afërsinë e tyre me Chabad-in, por edhe presidenti i Argjentinës Javier Milei dhe Edi Rama, secili më vete, në kohë të ndryshme, pa asnjë takim të përbashkët dhe pa ndonjë koordinim të deklaruar, por duke ndjekur të njëjtën rrugë simbolike.

Duke shkuar në të njëjtin vend dhe duke përdorur të njëjtin ritual, gjë që tregon se Ohel-i nuk është thjesht një varr fetar, por një pikë ku shprehet përkatësia ndaj një bote politike dhe marrëdhëniesh që rrotullohet rreth Trumpit dhe rrethit të tij, dhe ku Chabad shfaqet si ndërmjetës i heshtur, si kumbari që nuk del në fotografi zyrtare, por që krijon afërsi, besim dhe ndjesinë se je brenda të njëjtit rreth, edhe kur pushteti ndryshon.
Marrëdhënia e Edi Ramës me Chabad-Lubavitch nuk ka nisur si çështje politike e shpallur, por si një afrim i vazhdueshëm, i ndërtuar me kohë, përmes ceremonive, pranive simbolike dhe kontakteve personale që janë zhvilluar larg zhurmës publike, duke e kthyer këtë rrjet fetar në një pikë referimi të qëndrueshme për kryeministrin shqiptar në marrëdhëniet e tij me botën hebreje dhe më gjerë.

Nga aktivitetet e zhvilluara në Shqipëri, te vizitat në vende të shenjta për Chabad-in dhe deri te prania në Ohel-in në Nju Jork, Rama ka dhënë vazhdimisht shenja se e njeh dhe e respekton këtë rrjet si kanal besimi dhe afrimi, jo si institucion fetar klasik, por si hapësirë ku ndërtohen marrëdhënie që zgjasin më shumë se një mandat qeverisës. Pikërisht kjo e bën lidhjen me Chabad-in të rëndësishme në raport me Donald Trump, sepse kjo lëvizje është prej vitesh e pranishme në rrethin familjar dhe politik të Trumpit, përmes Jared Kushner dhe Ivanka Trump, dhe përmes vetë Trumpit, i cili e ka përdorur këtë afërsi si shenjë identiteti dhe mbështetjeje. Në këtë kuptim, afrimi i Ramës me Chabad-in duket më pak si gjest fetar dhe më shumë si përpjekje për të qenë në të njëjtën hapësirë marrëdhëniesh ku lëviz edhe bota trumpiste.
Mesazhi ka qenë i qartë: Edi Rama po pozicionohet si lider i besueshëm për një botë që nuk flet me gjuhën e BE-së, por me gjuhën e marrëdhënieve personale.


Në këtë kontekst, Chabad shfaqet si ura e mundshme drejt Donald Trump, ose më saktë, drejt asaj bote që vazhdon të ekzistojë rreth Trump edhe pasi ai nuk është më president. Një botë ku figura kyçe është Jared Kushner, dhëndri i Trump, njeriu që lidh familjen, politikën amerikane, Izraelin dhe kapitalin e Gjirit në një nyje të vetme.
https://www.youtube.com/channel/UCDyTKLG1BzCgbzjRvtcKtHg
Investimi i Kushnerit në Shqipëri, në ishullin Sazan, nuk është thjesht një projekt turistik. Është një shenjë politike. Fakti që ky projekt merr status strategjik, mbrojtje të plotë politike dhe promovim nga Edi Rama, tregon se kemi të bëjmë me diçka më shumë sesa biznes. Është një bast politik, i ndërtuar mbi idenë se lidhja me rrethin trumpist mund të ruhet përmes këtij kanali joformal.
Chabad shihet si ura që i lidh të gjitha këto pika: Ramën, Kushnerin dhe botën trumpiste. Një urë e ndërtuar mbi besim, mbi afërsi dhe mbi idenë se kjo rrugë është më e sigurt sesa kanalet e zakonshme diplomatike. Një urë që Rama duket se e ka parë si garanci për të mos mbetur jashtë lojës, pavarësisht se kush është në pushtet në Uashington.
Por pikërisht këtu hyn në skenë një element që e trondit këtë ndërtim të heshtur: dokumentet e FBI-së që dolën nga dosjet e lidhura me Jeffrey Epstein.
Këto dokumente nuk flasin për Shqipërinë dhe as për Ramën. Ato nuk sjellin akuza të drejtpërdrejta dhe nuk japin përfundime por tregojnë diçka shumë të rëndësishme: se vetë FBI dhe institucionet amerikane kanë parë me dyshim mënyrën se si janë ndërthurur rreth presidencës Trump lidhjet familjare, fetare dhe interesat private.
Për Ramën, kjo do të thotë se shpresa për një ndërmjetësim të heshtur drejt Trumpit, përmes këtij rrjeti, bëhet gjithnjë e më e pasigurt. Sepse ajo që deri dje shihej si derë e hapur, sot shihet si zonë e dyshimtë. Dhe në politikë, zonat e dyshimta janë më të rrezikshme se dyert e mbyllura.
Në fund, pyetja nuk ka të bëjë me moralin e një rrjeti fetar, por me zgjedhjet politike që janë bërë mbi të. A është mbështetur Edi Rama, në raportin e tij me Donald Trump dhe rrethin e tij, te një ndërmjetësim që sot, në dritën e dosjeve të FBI-së, nuk ofron më qetësi, por pasiguri? /Pamfleti