Italia e shpalli “non grata”, shqiptari shkon në vendlindje, martohet për të marrë mbiemrin e gruas dhe rikthehet përsëri! Karabinierët e arrestojnë

Karabinierët nga stacioni i Viserbës, në Rimini të Italisë, njoftuan se arrestuan një 42-vjeçar shqiptar, i shpallur “non grata”, i cili ishte kthyer ilegalisht në Itali pavarësisht se i ishte lëshuar një urdhër dëbimi.

Pasditen e djeshme, oficerët e karabinierëve, gjatë një patrullimi, kontrolluan një makinë me targa të huaja dhe dy burra në të, në një rrugë anësore në lagjen Torre Pedrera.

Shqiptari, pavarësisht se kishte paraqitur patentën dhe pasaportën origjinale shqiptare, nuk ishte në gjendje të provonte praninë e tij në vend, pasi i mungonte leja e nevojshme e qëndrimit.

Pasi kryen një kontroll paraprak në vend, i cili megjithatë konfirmoi dyshimet e ngritura në lidhje me të dhënat personale, karabinierët e çuan 42-vjeçarin në kazermë, për hetime të mëtejshme.

Nga gjurmët verifikuan se ai ishte me shumë precedentë penalë të mëparshëm dhe me urdhër dëbimi nga vendi, i lëshuar në vitin 2023 nga Selia Qendrore e Policisë së Barit.

Por për të anashkaluar urdhrin, pasi u riatdhesua, ai ishte martuar, duke marrë mbiemrin e gruas së tij. Falë të dhënave të ndryshme personale, ai kishte marrë dokumente të reja identiteti, me të cilat kishte hyrë ilegalisht në Itali, i bindur se nuk do të zbulohej, informon “Corriere“.

Por karabinierët e pikasën dhe prangosën përsëri në Rimini, ku u mbajt në qelitë e paraburgimit, në pritje të një gjyqi të shkurtuar të planifikuar për këtë mëngjes.