Prezantuesja dhe modelja holandeze Sylvie Meis ka marrë pjesë në seancën gjyqësore lidhur me grabitjen e ndodhur në apartamentin e saj luksoz në Hamburg gjatë verës së vitit 2023, teksa ajo ndodhej me pushime në Ibiza.
Sipas Policisë së Hamburgut, vjedhja u krye nga një grup autorësh me origjinë nga Shqipëria. Një prej tyre, një 42-vjeçar shqiptar i identifikuar si Ermal M., u arrestua dhe u përball me drejtësinë.
Hetimet treguan se grabitësit hynë me forcë në banesën e saj në katin e pestë, duke marrë 22 çanta luksoze me vlerë rreth 530 mijë euro.
Gjatë procesit, Meis foli për ndikimin që ngjarja ka pasur në jetën e saj, duke treguar se edhe pse u dëmshpërblye nga siguracioni, vijon të përjetojë frikë, ankth dhe sulme paniku. Ajo shtoi se trauma ka prekur edhe djalin e saj 19-vjeçar.
I pandehuri Ermal M. u dënua me katër vite burg. Në gjykatë ai kërkoi falje dhe pretendoi se kishte pasur rol dytësor në grabitje.
Pas përfundimit të gjyqit, prezantuesja po përpiqet të rikthehet në normalitet, megjithëse pasojat emocionale të ngjarjes vazhdojnë ta shoqërojnë.