Greqia dërgon në Eurovizion këngëtaren me origjinë ponde, proteston Turqia: Po shohim nëse kënga e saj ka mesazhe politike

Greqia ka zgjedhur të dërgojë në Eurovizion këngëtaren Klavdia, e cila është me origjinë ponde. Kënga e saj Asteromata, një balladë me tekst vajtues dyshohet se mund t’i referohet persekutimit që turqit i bënë pondëve.

Pondët janë një komunitet me origjinë nga Azia e Vogël të cilët pas përndjekjes nga xhonturqit u vendosën në Greqi. Ata sot “vetë identifikohen” si grekë.

Por Eurovision Türkiye nuk e ka pritur mirë këtë, duke deklaruar se në Eurovizion janë të ndaluara mesazhet politike.

Njoftimi i Eurovizion Turqi:

“Më 30 janar, Greqia zgjodhi përfaqësuesen e saj për Eurovision 2025 dhe këngën e saj. Klavdia do të përfaqësojë Greqinë me këngën “Asteromata”. Ka pasur raportime në shtypin grek dhe në rrjetet sociale se kënga është frymëzuar nga gjoja gjenocidi pontik dhe refugjatët.

Më tej, para finales kombëtare, Klavdia në një emision në televizionin shtetëror ERT bëri këtë deklaratë: “Familja ime është me origjinë pontike, janë refugjatë dhe për këtë arsye kam lidhje me këngën. Gjyshja më tregonte historitë e saj, më fliste për familjen e saj, se si u internuan dhe shkuan në Bashkimin Sovjetik në atë kohë. Familja ime lindi atje, u rrit atje deri në një moshë të caktuar dhe u kthye në Greqi në vitin 1991 dhe filloi një jetë të re këtu”.

Me gjithë këtë kontaktuam me TRT-në dhe na njoftuan se kënga do të analizohet prej tyre dhe shqetësimi i Turqisë do të përcillet në nivelin më të lartë sipas pretendimeve. Ne do të presim zhvillime të mëtejshme dhe do t’ju informojmë.”