“Vjehrri i tij gjykatës dha vendimin”, Shehaj zbulon shërbimet e Lapajt për kompaninë e Çopjave: U regjistroi pronën miliona euroshe në bregdet

Deputeti Agron Shehaj ka rënduar akuzat ndaj Adriatik Lapajt, pasi e akuzoi fillimisht se kishte marrë 45 milionë lekë nga një kompani e sekuestruar nga SPAK-u për pastrim parash të grupit kriminal “Çopja”.

Pasi Lapaj mohoi akuzat e Shehajt, duke thënë se paratë nuk i kishte marrë, dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë, Shehaj ka zbuluar edhe detaje nga rasti në fjalë.

Sipas tij, Lapaj ka marrë përsipër regjistrimin e një prone miliona euroshe që kompania e Çopjave kishte blerë në bregdet, duke i nxjerrë çertifikatën e pronësisë. Vendimi për pronën, sipas Shehajt, është dhënë nga vetë vjehrri i Adriatik Lapajt, Alltun Çela, në kohën kur ai ishte kryetar i Gjykatës së Sarandës.

Alltun Çela është shkarkuar nga vettingu në drejtësi, për mosjustifikim të pasurisë.

Reagimi i plotë i Agron Shehajt:

Përgjigje për Adriatik Lapajn: Jo vetëm ka marrë para të pista, por arsyeja pse i ka marrë është dhe më e rëndë.

Këto janë dokumentet që tregojnë çfarë shërbimi i ka dhënë Lapaj kompanisë në hetim për pastrim parash nga SPAK.

E para është kontrata e shit-blerjes së një prone prej miliona euro në bregdet, midis kompanisë së akuzuar nga SPAK, pronarëve dhe Adriatik Lapajt. Lapaj merr përsipër regjistrimin e vendimit gjyqësor dhe nxjerrjen e certifikatës së pronësisë.

E dyta është një screenshot nga faqja e gjykatës që tregon se me këtë çështje është marrë vjehrri i Adriatikut, që në atë kohë ishte kryetar i Gjykatës.

Ky është një teatër i madh! Është një mashtrim i madh që ka një regjizor, që është Edi Rama.

Ky sistem i korruptuar dhe i kalbur e ka ngritur Adriatik Lapajn në piedestal. I ka hapur dyert e mediave, e ka financuar dhe e ka mbrojtur.

Duan të çojnë në Parlament njerëz të kapur dhe të kapshëm. Të kompromentuar.

Nuk duhet të dorëzohemi! Shqipëria ka nevojë për një opozitë të vërtetë dhe të pa shantazhueshme!

Dokumenti i publikuar nga Shehaj