MEK e sfidon Iranin nga Manza: Raketat e tyre nuk arrijnë në Shqipëri, ja çfarë duan realisht

Mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, mediat e huaja kanë raportuar se Irani po shqyrton mundësinë e një sulmi ndaj bazës Ashfraf-3 në vendin tonë, ku ndodhet selia e organizatës opozitare iraniane, e njohur si MEK.

Pas këtyre lajmeve së fundmi ka ardhur dhe një reagim nga zëdhënësi i kampit të Muxhahedinëve, të cilët ndodhet të pozicionuar në Manëz. Shahriar Kia, i ka cilësuar këto lajme si pjesë të një propagande të orkestruar nga regjimi iranian, duke mohuar kategorikisht çdo mundësi që Shqipëria të shënjestrohet nga një sulm me raketa.

Sipas tij, pretendimet e përhapura së fundmi nuk mbështeten në asnjë fakt konkret dhe se një skenar i tillë është i parealizueshëm, pasi sipas tij, kapacitetet raketore të Iranit nuk mund të arrijnë territorin shqiptar.

“Lajmet e publikuara nga Irani për mundësinë e një sulmi me raketa ndaj Ashraf 3 dhe mbulimi i tyre në disa media shqiptare janë thjesht propagandë e orkestruar nga regjimi iranian. Kjo po bëhet për qëllime lufte psikologjike, me qëllim krijimin e shqetësimit dhe kaosit në Shqipëri, me qëllim ndjekjen e qëllimeve të veta.

Këto pretendime nuk kanë bazë dhe nuk bazohen në asnjë fakt.

Kjo luftë propagande po kryhet në koordinim të ngushtë midis regjimit iranian dhe agjentëve të tij lokalë në Shqipëri, pikërisht për të rritur rezonancën dhe përhapjen e saj sa më shumë të jetë e mundur.

Është e qartë dhe e pamohueshme se raketat e regjimit iranian nuk kanë kapacitetin teknik për të arritur në Shqipëri”, ka deklaruar Shahriar Kia.

Çfarë është Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit?

Në fshatin Manzë, pranë Tiranës, ndodhet një kompleks i fortifikuar ku jetojnë rreth 3,000 anëtarë të MEK-ut.

Lëvizja opozitare u vendos në Shqipëri në vitin 2013, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara, për të strehuar anëtarët që më parë ishin në Irak. MEK-u u themelua në 1965 si një lëvizje politike islamike me tendenca socialiste kundër sundimit të Shah Mohammad Reza Pahlavi. Gjatë viteve 1970, organizata kreu sulme kundër monarkisë dhe interesave amerikane në Iran, më pas mbështeti Revolucionin Islamik të Ruhollah Khomeinit, por marrëdhëniet me udhëheqësinë klerikale u prishën shpejt.

Në vitet 1980, MEK-u u zhvendos në Irak dhe kreu operacione ushtarake kundër Iranit gjatë Luftës Iran-Irak. Shtetet e Bashkuara e klasifikuan grupin si organizatë terroriste në 1997, por e hoqën nga lista në 2012, duke vlerësuar dorëzimin e tij nga dhuna.

MEK-u u rikthye në vëmendjen ndërkombëtare në 2002, kur zbuloi një impiant të fshehur të pasurimit të uraniumit në Iran, duke nxitur kontroll më të madh global mbi programin bërthamor të Teheranit. Pas rrëzimit të Sadam Huseinit në 2003, grupi u zhvendos gradualisht në Shqipëri, ku qëndrojnë edhe sot.