“Vrastar” para portës, futbollisti i Kombëtares gjen golin e parë me klubin e ri! Jep lajmin e ëmbël (Video)

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Nazmi Gripshi, ka gjetur sot golin e tij të parë me skuadrën ruse Rubin Kazan, duke u bërë protagonist në përballjen ndaj FC Krasnodar në Russian Premier League.

Futbollisti shqiptar zhbllokoi rezultatin në minutën e 24-t të takimit, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhënë avantazhin ekipit të tij. Aksioni u finalizua me saktësi nga Gripshi, i cili po tregon menjëherë vlerën e tij te skuadra e re.

Kjo ishte vetëm ndeshja e dytë e Gripshit me Rubin Kazan, klub që vendosi të blejë kartonin e tij nga FC Astana për rreth 400 mijë euro. Në javën e parë të kampionatit rus, mesfushori shqiptar u aktivizua nga stoli, ndërsa në këtë përballje arriti të lërë menjëherë shenjë me gol.

Momenti i festimit të golit ishte gjithashtu shumë i veçantë për futbollistin shqiptar. Gjatë festës, Gripshi dha edhe një lajm të bukur nga jeta personale, duke bërë me dije se shumë shpejt do të bëhet baba.

Ndërkohë, në këtë ndeshje mungoi një tjetër lojtar i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku. Sulmuesi i Rubin Kazan nuk ishte i gatshëm për këtë sfidë pasi po kalon një dëmtim delikat, që e ka mbajtur larg fushës së lojës në këtë periudhë.

Goli i Nazmi Gripshit: (VIDEO)