Tym mbi Tel Aviv, breshëria e raketave iraniane drejt Izraelit qendror

Një breshëri raketash e lëshuar nga Irani ka goditur disa zona në Izraelin qendror, përfshirë edhe qytetin e Tel Aviv, duke shkaktuar panik dhe duke aktivizuar sirenat e alarmit në disa rajone.

Sipas raportimeve fillestare nga autoritetet në Izraeli, deri tani janë konfirmuar të paktën pesë persona të plagosur, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë. Shërbimet e emergjencës dhe ekipet e shpëtimit kanë ndërhÿrë menjëherë në disa zona ku janë raportuar dëme dhe të lënduar.

Autoritetet izraelite bëjnë me dije se shumica e lëndimeve nuk janë shkaktuar drejtpërdrejt nga raketat, por nga shrapnelat e krijuara gjatë procesit të kapjes dhe neutralizimit të tyre nga sistemi i mbrojtjes ajrore.

Një komandant i policisë së qarkut, i cili ndodhej në një nga vendngjarjet, deklaroi se situata është e shpërndarë në disa pika të ndryshme. Sipas tij, dyshohet se mund të jetë përdorur një raketë me shpërndarje, çka ka bërë që incidentet të ndodhin në disa skena të vogla në zona të ndryshme.

“Ajo që mund të raportojmë tani është se jemi në skena të shumta. Ndoshta është një raketë me shpërndarje, kështu që ka disa vende të goditura, por secila prej tyre është relativisht e vogël. Në vendin ku ndodhemi ne, ndodhet një person i plagosur rëndë, i cili nuk ndodhej në një vend të mbrojtur”, u shpreh komandanti i policisë.

Autoritetet vijojnë kontrollet në zonat e prekura, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të qëndrojnë pranë strehimeve dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë deri në një njoftim tjetër.