Pësoi arrest kardiak në aeroport, ndërron jetë ish-drejtori sportiv i Vllaznisë

Ka ndërruar jetë ish-drejtori sportiv, Engin Firat. 55-vjeçari pësoi arrest kardiak në aeroportin e Stambollit, mëngjesin e kësaj të hëne.

Sipas rapòrtimeve nga Turqia, Firat shfaqi probleme shëndetësore në aeroport, të cilat u përkeqësuan dhe sollën ndarjen nga jeta të turkut.

Engin Firat u bë i njohur në Shqipëri, pasi në sezonin 2018-2019, ishte drejtor sportiv te Vllaznia.

Pas kësaj, ai vazhdoi eksperiencën si trajner te Moldavia, ndërsa më pas drejtoi edhe kombëtaren e Kenias.

Për këtë ndarje nga jeta, ka reaguar edhe klubi i Vllaznisë, nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Me keqardhje mësuam ditën e sotme, ndarjen e parakohshme nga jeta pas një arresti kardiak të ish- drejtorit sportiv të klubit tonë, Engin Firat.

Në këto momente të dhimbshme, Vllaznia i qëndron pranë familjes dhe të të dashurve të tij duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe. Prehu në paqe Engin Firat”, shkruan klubi.