Kush është avokatja shqiptare që mund të bëhet Zonja e Parë e Baden-Württembergut

Avokatja me origjinë shqiptare Flavia Zaka mund të bëhet Zonja e Parë e landit gjerman Baden‑Württemberg, nëse bashkëshorti i saj, politikani Cem Özdemir, konfirmohet në postin e kryeministrit të këtij shteti federal.

Zhvillimi ka tërheqùr vëmendjen e mediave gjermane, jo vetëm për rezultatin politik të zgjedhjeve, por edhe për historinë personale dhe karrierën profesionale të Zakës.

Rezultati i zgjedhjeve

Në zgjedhjet shtetërore të 8 marsit, Partia e Gjelbër doli forcë e parë me 30.2% të votave, duke lënë pas CDU që mori 29.7%. Të dyja partitë kanë siguruar nga 56 vende në parlamentin e landit, çka hap rrugën për negociata për formimin e një koalicioni qeverisës.

Nëse Özdemir arrin të formojë qeverinë, bashkëshortja e tij, Flavia Zaka, do të marrë një rol publik si Zonja e Parë e landit.

Origjina dhe karriera

Flavia Zaka ka lindur në Shqipëri dhe në moshën 12-vjeçare emigroi në Kanada, ku vazhdoi studimet dhe ndërtoi karrierën e saj profesionale.

Ajo është avokate e specializuar në çështjet mjedisore dhe të drejtat e njeriut, me përvojë pune si në institucione qeveritare ashtu edhe në organizata joqeveritare. Në aktivitetin e saj profesional është angazhuar edhe në projekte sociale, përfshirë iniciativa kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Historia e çiftit

Flavia Zaka dhe Cem Özdemir u martuan në bashkinë e Tübingen vetëm dy javë para zgjedhjeve, në një ceremoni të mbajtur private për arsye sigurie. Çifti jeton në Stuttgart që nga fundi i verës së vitit 2025.

Ata u njohën në vitin 2023 gjatë një feste private, ku Zaka ishte e ftuar nga një mik i përbashkët. Sipas një interviste për gazetën gjermane Südkurier, pikërisht në atë takim lindi lidhja mes tyre.

Angazhimi shoqëror

Në Stuttgart, Zaka është përfshirë në aktivitete kulturore dhe projekte sociale. Ajo ka punuar si menaxhere projekti në iniciativa kundër trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe ka zhvilluar aktivitete vullnetare, duke dhënë mësime joge dhe ligjërata mbi drejtësinë për studentët.

Nëse Cem Özdemir merr drejtimin e qeverisë së Baden-Württembergut, Flavia Zaka pritet të marrë një rol më të dukshëm publik, duke u bërë një figurë e njohur jo vetëm në Gjermani, por edhe për komunitetin shqiptar dhe diasporën.