Tërmetet e njëpasnjëshme në Santorini kanë bërë që autoritetet greke të marrin masa.
Ministri i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Vasilis Kikilia, në një intervistë bëri të ditur se do të ndërtohet një port i ri evakuimi i cili do të shërbejë për ankorimin e trageteve që do të mbajnë banorët ne rast tërmeti.
“Së bashku me portin e ri në Santorini që po përgatitet, ka pasur një vendim për ngritjen e një porti evakuimi ku do të mund të ankorohen në rast emergjence tragetet me pasagjerë”.
Ministri theksoi se ekziston mundësia e një tërmeti më të madh në rajon, gjë që e bën të domosdoshëm vigjilencën e vazhdueshme dhe përgatitjen në kohë.
“Një tërmet i madh mund të shkaktojë dëme të mëdha apo edhe një cunami. Banorët e Santorinit dhe ishujve përreth duhet të dinë se, në rast të një tërmeti të madh, duhet të largohen menjëherë nga zonat bregdetare”.
Ishulli i Egjeut, i cili është një nga destinacionet më të njohura turistike, është tronditur nga mijëra tërmete që nga fundi i Janarit, duke detyruar mijëra njerëz të largohen dhe autoritetet të mbyllin shkollat.