Rusia i kërkoi SHBA-së tërheqjen e NATO-s nga Europa Lindore (Skenar makthi për Shqipërinë dhe Kosovën)

Financial Times: Kërkesa e Moskës gjatë bisedimeve në Riad u refuzua, por aleatët kanë frikë se Donald Trump mund të lejojë rivendosjen e ish-bllokut sovjetik

Rusia përdori raundin e parë të bisedimeve me SHBA-në për përfundimin e luftës në Ukrainë, për të kërkuar tërheqjen e forcave të NATO-s nga krahu lindor i aleancës (ku bën pjesë edhe Shqipëria), duke shkaktuar shqetësim në kryeqytetet europiane se administrata Trump mund të pajtohet me këtë propozim për të nënshkruar një marrëveshje paqeje. (NATO ka ngritur një bazë ushtarake në Kuçovë, aty ku dikur ka ekzistuar baza ushtarake e ish-Bashkimit Sovjektik

Cristian Diaconescu, shefi i shtabit të presidentit rumun dhe këshilltari për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, tha të mërkurën se delegacioni amerikan e refuzoi kërkesën e Moskës, por se nuk kishte garanci që Uashingtoni nuk do t’ia bënte përfundimisht këtë lëshim Vladimir Putinit.

“Mesa kuptoj unë, situata mund të ndryshojë nga ora në orë ose nga dita në ditë”, tha Diaconescu për televizionin Antena3, në një referencë ndaj kritikave të ashpra të Donald Trump ndaj liderit ukrainas dhe lëshimeve të tij të bëra ndaj Rusisë edhe para fillimit të bisedimeve.

Diaconescu theksoi po ashtu se delegacioni rus mbi bisedimet në Riad, në fillim të kësaj jave “dështoi të bindë amerikanët” për një tërheqje nga NATO dhe se vizita e liderëve të Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës në Uashington, javën e ardhshme, do të përpiqen të bindin Trump që të mos dorëzohej ndaj kësaj kërkese.

Megjithatë, lëshimet ndaj Moskës nga administrata Trump në ditët e fundit – nga përjashtimi i anëtarësimit në NATO për Ukrainën, te premtimi për normalizimin e marrëdhënieve të SHBA-së me Rusinë – po i bëjnë nervoze qeveritë në shtetet lindore.

Presidenti rus ka kërkuar prej kohësh të rivendosë sferën e ndikimit të Moskës në Europën Lindore, sipas marrëveshjes së arritur nga SHBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik në fund të Luftës së Dytë Botërore, në konferencën e paqes në Jaltë.

Tërheqja e forcave të NATO-s nga vendet e ish-Bllokut Sovjetik dhe komunist që iu bashkuan aleancës në fund të viteve 1990 ishte një nga kërkesat kryesore të Putinit ndaj SHBA-së përpara se të niste sulmin e tij të gjithanshëm ndaj Ukrainës në vitin 2022.

Presidenti rumun Ilie Bolojan u takua të mërkurën me homologun e tij francez Emmanuel Macron në Paris dhe doli me një bindje se liderët evropianë në kontaktet e tyre me SHBA-në do të theksojnë nevojën për t’u përfshirë në çdo marrëveshje sigurie që prek rajonin, tha Diaconescu.

Situata aktuale është “jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe serioze”, shtoi Diaconesku. “Mund të vini bast se ne do të luftojmë deri në minutën e fundit në mënyrë që kjo të mos ndodhë.”

Ai paralajmëroi brezat e rinj të europianëve që nuk e kishin përjetuar kurrë jetën pas “Perdes së Hekurt” se ky moment mund të përfaqësojë një kthim në “portat e ferrit”.

Sandu-Valentin Mateiu, një analist rumun i mbrojtjes dhe ish-komandant detar dhe oficer i inteligjencës, tha se Europa ishte sërish në një udhëkryq historik. “Evropa e di mësimin e vitit 1938,” tha ai duke iu referuar paktit të Mynihut që i dha Adolf Hitlerit një pjesë të Çekosllovakisë, por nuk arriti të ndalonte dot Luftën e Dytë Botërore.