Gjobat pa njoftim shqetësojnë drejtuesit e mjeteve, ekspertët kërkojnë më shumë transparencë

Mungesa e njòftimit për gjobat rrugore po kthehet në një shqetësim të shtuar për drejtuesit e mjeteve në vend, të cilët shpesh i zbulojnë masat administrative me vonesë.

Qytetarët raportojnë se, në shumë raste, nuk informohen në kohë për shkeljet e kryera, duke e mësuar ekzistencën e gjobave vetëm kur ndalohen nga policia rrugore ose gjatë verifikimeve në platformën e-Albania.

Sipas ekspertit të sigurisë rrugore, Fadil Likaj, kjo praktikë nuk është efektive dhe nuk ndikon në ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve. Ai thekson se, në momentin e konstatimit të shkeljes së Kodit Rrugor, drejtuesi duhet të ndalohet dhe të njoftohet menjëherë, në mënyrë që të kuptojë gabimin dhe të shmangë përsëritjen e tij.

Një tjetër problematikë, sipas Likajt, lidhet me faktin se jo të gjithë qytetarët përdorin rregullisht platformën elektronike, ku pasqyrohen këto masa administrative, çka krijon boshllëqe në informim dhe rrit ndjesinë e padrejtësisë.

Ekspertët sugjerojnë që autoritetet të forcojnë komunikimin me qytetarët, duke rikthyer praktika më të drejtpërdrejta njoftimi, si vendosja e fletëgjobës në automjet apo informimi i menjëhershëm në terren.

Sipas tyre, qëllimi kryesor duhet të jetë jo vetëm ndëshkimi i shkeljeve, por edhe edukimi i drejtuesve të mjeteve dhe rritja e sigurisë rrugore në vend.