SHBA jep 10 mln dollarë shpërblim për kokën e tij, djali i El Chapo-s arratiset përmes një tuneli njësoj si babai i tij

Djali i bosit të famshëm të drogës Joaquín El Chapo Guzmán është arratisur përmes një tuneli, njësoj si babai i tij.

41-vjeçari Iván Archivaldo Guzmán Salazar, është më i madhi nga fëmijët e El Chapos, shmangu arrestimin në rrethana dramatike gjatë një mega operacioni të përbashkët të ushtrisë dhe policisë në Culiacán, Meksikë të mërkurën.

Iván Archivaldo është lideri i Los Chapitos, një fraksion i Kartelit të fuqishëm të Sinaloa-s, dhe është në listën e trafikantëve më të kërkuar të drogës në Shtetet e Bashkuara. 10 milion dollarë është shpërblimi që ka ofruar qeveria amerikane për çdo informacion që çon në arrestimin e Ivan.

Raportohet se Iván Archivaldo u arratis nga shtëpia në Tierra Blanca përmes një tuneli me bashkëpunëtorët e tij, José Ángel Canobbio Inzunza, Kevin Alonso Gil Acosta, José Alonso Acosta López dhe Gustavo Acosta López.

Helikopterët e Ushtrisë Meksikane dhe Gardës Kombëtare zhvilluan kërkime për orë të tëra në të gjithë zonën, por pa sukses.

Udhëheqësi i Los Chapitos thuhet se është në situatë kritike sa i takon kartelit të tij. Dy nga vëllezërit e tij janë arrestuar vitet e fundit dhe qëndrojnë në burg në SHBA.