Noelia Castillo, 25-vjeçarja nga Barcelòna, vdiq të enjten në qendrën e asistencës Sant Pere de Ribes pas një procedure eutanazie, pas vendimit të gjykatave që rrëzuan përpjekjet e babait të saj për ta ndaluar.
Një video e publikuar nga media spanjolle OK Diario tregon momentin kur shoqja e saj më e ngushtë, Carla Gutierrez, qan dhe i lutet dy policëve të lejohet të takohet me Noelian për herë të fundit:
“Dua ta takoj” dëgjohet të thotë Gutierrez.
“Kur e transferuan në një shkollë tjetër, humbëm kontaktin, nuk dija asgjë për të, ju lutem”.
Megjithatë, policët refuzuan kërkesën, duke thënë se kjo nuk ishte brenda juridiksionit të tyre dhe duke i kujtuar shoqes se duhet të respektohej dëshira e Noelias.
Në një intervistë për OK Diario, Gutierrez tregoi se ato kishin ndjekur të njëjtën shkollë të mesme, por humbën kontaktin kur Castillo u zhvendos në një qendër tjetër, shkruan VoxNews.
“Doja ta shihja për të parë nëse do ndryshonte mendim, ose të paktën t’i thoja lamtumirë,” tha shoqja e saj, duke shtuar se kishte sjellë edhe vajzën e saj, e cila gjithashtu përdor karrigen me rrota.
Gutierrez tha gjithashtu se i kishte shkruar një letër Noelias, duke shpresuar që ajo ta lexonte para procedurës së eutanazisë:
“Doja të shihja nëse mund të hyja, edhe vetëm unë, për të parë nëse mund ta bindja të ndryshonte mendim,” shtoi ajo.
Procedura e eutanazisë filloi rreth orës 18:30 lokale. Para se të ekzekutohej, Noelia kishte kërkuar nga familja e saj të kalonte më shumë kohë me të, por ajo mbeti vetëm me mjekun që i dha tre injeksione rreth orës 17:30. Ajo vdiq rreth 20 minuta pas injeksionit të parë, sipas dëshirës së saj.
Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe në Spanjë, jo vetëm për moshën e saj të re, por edhe për betejën publike që familja e saj zhvilloi për të ndaluar eutanazinë dhe për rrethanat që e shtynë të kërkonte këtë procedurë.
Noelia kishte mbetur paraplegjike pas një përpjekjeje për vetëvrasje në 2022, pas një sulmi seksual nga tre të panjohur në një klub nate. Përpara kësaj, ajo kishte tentuar vetëvrasjen përmes mbidozës së drogës.
Noelia vuante gjithashtu nga çrregullime të personalitetit dhe çrregullime obsesive-kompulsive me paranojë dhe ide vetëvrasëse, gjë që shkaktonte ndryshime të rënda të humorit dhe paqëndrueshmëri.
Kërkesa e saj për eutanazi u miratua në korrik 2024 nga një trupë e pavarur në Katalonjë, e përbërë nga mjekë, avokatë dhe ekspertë bioetikë, të cilët e vlerësuan gjendjen e saj si serioze dhe të pakthyeshme, me vuajtje kronike dhe shkatërruese
Babai i saj, Geronimo Castillo, tentoi ta bllokonte euanazinë përmes gjykatave, duke argumentuar se vajza e tij nuk kishte kapacitet të lirë dhe të vetëdijshëm për të marrë një vendim të tillë. Ai tha gjithashtu se kishte tregues që ajo mund të kishte ndryshuar mendim dhe se gjendja e saj nuk përbënte një vuajtje të papërballueshme fizike ose psikologjike.
Megjithatë, vetë Noelia i tha televizionit spanjoll Antena 3 se:
“Ai nuk ka respektuar vendimin tim dhe as nuk do ta bëjë kurrë. Dua të shkoj tani dhe të ndaloj vuajtjen. Lumturia e një babai, një nëne apo një motre nuk mund të jetë më e rëndësishme se jeta e një vajze.”
Organizata katolike ultra-konservatore Christian Lawyers, që përfaqëson babain e saj, dënoi ngjarjen dhe theksoi se rasti tregon mangësi serioze në ligjin për eutanazinë, duke bërë thirrje për ndryshime urgjente që të mbrohen personat më të pambrojtur.
Ky rast ka ngjallur debat të madh mbi të drejtën e individëve për të zgjedhur fundin e jetës së tyre, rëndësinë e vullnetit të pacientëve dhe kufijtë e ligjit në trajtimin e personave me vuajtje të thella psikologjike.