Një ngjarje e pazakontë u regjistrua pasditen e së enjtes në zonën e “Varrit të Bamit” në Tiranë, ku i riu Lilo Shehu, rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar një person i cili u aksidentua pasi kishte humbur ndjenjat.
Neësbomb.al solli mëngjesin e sotëm momentin kur Shehu vrapoi për ta shpëtuar të shoferin, duke parandaluar kështu një ngjarje e cila mund të përfundonte në një tragjedi.
E së fundmi, Lilo Shehu ka folur për Euronews Albania ku dhe ka rrëfyer me detaje ngjarje, duke thënë se sapo dëgjoi zhurmë vrapoi dhe largoi këmbën e shoferit nga pedali i gazit dhe mbylli çelësin e makinës.
“Dëgjova një zhurmë të fortë, u nisa dhe pashë se kishte një zhurmë më të madhe dhe xhirim gomash. Atëherë kuptova që dikush kishte humbur ndjenjat dhe se instikti më tha të veproja.
Tani, kur e shoh videon, mendoj se si e bëra këtë gjë. Ndonjëherë, veprimet ndodhin vetë, kur të thërret ndërgjegjia, sepse pashë që ishte një situatë kritike, por instikti më tha të veproja. E dija që mund të ishte një katastrofë e mundshme dhe duhej ndërhyrë.
Gjithsesi, mund ta quajmë hero atë zotërinë që ishte përballë, i cili frenoi me makinën e tij duke e zbutur ngadalë shpejtësinë e automjetit të personit që kishte humbur ndjenjat. Unë ia hoqa këmbën nga pedali i gazit dhe fiku çelësin, duke i rikthyer situatën në normalitet, dhe ai filloi të merrte vetëdijen. Dëshiroj të theksoj se kishte edhe persona të tjerë që ndihmuan, dhe nëse ndonjë makinë do të kishte kaluar, mund të kishte shkaktuar një shpërthim. E nxorëm nga makina dhe i dhamë ujë; fatmirësisht ai u përmend dhe policia mbërriti shumë shpejt, brenda tre minutash, duke sqaruar situatën. Pas kësaj, e shoqëruan për kontrolle në spital”, tha i riu, teksa më tej theksoi se fatmirësisht gjendja shëndetësore e shoferit të aksidentuar është e mirë.