Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kishte me vete një dhuratë simbolike për presidentin Trump gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë të premten: rripin e kampionit të peshave të rënda të boksierit ukrainas Oleksandr Usyk. Ky objekt u vendos në Zyrën Ovale përpara fillimit të bisedimeve, të cilat shumë shpejt morën një rrjedhë të papritur. Nuk dihet ende nëse dhurata iu dorëzua Trump, apo u mor përsëri nga delegacioni ukrainas pas përplasjes së ashpër në Zyrën Ovale.
Vizita e Zelenskyt në Uashington u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të arritur një marrëveshje për mineralet, e cila do t’u mundësonte Shteteve të Bashkuara qasje të gjerë në burimet natyrore të Ukrainës. Megjithatë, bisedimet mes dy liderëve u tensionuan, kur Zelensky i kërkoi Trump-it të tregonte kujdes në qëndrimin e tij ndaj Rusisë, ndërsa Trump e paralajmëroi atë me tërheqjen e mbështetjes amerikane.
Presidenti Zelenskiy u largua nga Shtëpia e Bardhë pas debatit të nxehtë, ku Presidenti Trump e akuzoi presidentin ukrainas për mungesë respekti ndaj Shteteve të Bashkuara, ndërsa ky i fundit sfidoi udhëheqësin amerikan për zbutje të qëndrimit ndaj Presidentit rus Putin.
Pas takimit, në një postim në median sociale, Presidenti Trump shkruajti se “kam arritur në përfundimin që Presidenti Zelenskyy nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh më të madh në negociata. Unë nuk dua avantazhe, dua paqe. Ai ofendoi Shtetet e Bashkuara në Zyrën Ovale. Ai mund të vijë përsëri kur të jetë gati për paqe”, shkruante Presidenti Trump.
Në kulmin e debatit, Trump iu drejtua Zelenskyt me ton të ashpër, duke i thënë: “Duhet të jesh më mirënjohës”, dhe e akuzoi atë se “po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”.
Nga ana tjetër Zelensky kërkoi garanci sigurie nga SHBA në mënyrë që të nënshkruante marrëveshjen e mineraleve.
Përplasja bëri që marrëveshja të dështonte dhe të mos firmosej.