Koalicioni që ‘fundosi’ Partinë Demokratike, ja aleatët që siguruan më pak vota por me më shumë mandate në Tiranë

Në zgjedhjet e 11 majit, Partia Demokratike për të katërtën herë radhazi futi në listat e saj përfaqësuesit e partive aleate me të cilat lidhi koalicion parazgjedhor, përfshirë Partinë e Lirisë, PDIU-në, PR-në, PBDNJ-në dhe PAA-në.

Por një analizë e detajuar e rezultateve në qarkun e Tiranës ngre shqetësime për mënyrën se si janë shpërndarë mandatet dhe se si aleatët kanë përfituar më shumë se kontributi real i tyre elektoral.

Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë, është futur në listën e hapur, ndërsa partia e tij ka marrë dy deputetë të sigurt në listën e mbyllur në Tiranë. Deri tani, Meta ka grumbulluar 7092 vota në listën e hapur – çka do të thotë se me këtë numër votash, ka siguruar dy mandate vetëm në këtë qark.

Më shqetësues është rasti i PDIU-së. Mesila Doda ka qenë në listën e sigurt të PD-së, ndërsa Shpëtim Idrizi, kreu i kësaj partie, ka marrë vetëm 1786 vota. Në total, Meta dhe Idrizi kanë 8800 vota, por tre mandate të garantuara në Kuvend.

Ndërkohë, emra të rëndësishëm të Partisë Demokratike kanë mbetur jashtë Kuvendit, edhe pse kanë marrë shumë më tepër vota në listat e hapura. Konkretisht:

Ilir Alimehmeti: 15,693 vota

Asllan Dogjani: 6,437 vota

Myslim Murrizi: 5,628 vota

Grigels Muçollari: 4,724 vota

Këta kandidatë nuk arritën të fitojnë mandate, ndonëse së bashku kanë marrë mbi 32,000 vota, shumë më tepër se votat e aleatëve që përfituan ulëse në Parlament.

Kjo situatë ka ngritur shqetësime mes strukturave të PD-së dhe mbështetësve të saj, duke sjellë në vëmendje problematikat që sjell skema e listave të mbyllura dhe përfshirja pa kritere e partive të vogla në koalicione.