Kthimi i emigrantëve, Meloni sulmon opozitën: Nuk e cakton Gjykata se cili vend është i sigurt

Pas vendimit të Gjykatës së Romës për të kthyer pas 12 emigrantët e parë që mbërritën në Shqipëri, në Gjadër, ka pasur një “lumë” reagimesh nga politika italiane. Kryeministrja Giorgia Meloni thotë se është e vështirë të punosh me opozitën e institucioneve”. “Është shumë e vështirë të punosh dhe të përpiqesh t’i japësh përgjigje këtij kombi kur ke edhe kundërshtime nga disa prej institucioneve që duhet të ndihmojnë në dhënien e përgjigjeve”, deklaroi ajo. “Unë nuk mendoj se është përgjegjësi e gjyqësorit të përcaktojë se cilat vende janë të sigurta dhe cilat jo. Është përgjegjësi e qeverisë, kështu që mendoj se qeveria duhet të sqarojë më mirë se çfarë do të thotë një vend i sigurt”, shtoi ajo.

“Kam respekt për gjyqtarët. Ne do të luftojmë brenda mekanizmave gjyqësorë. Betejë në kuptimin e afirmimit në aspektin ndërkombëtar, evropian dhe kombëtar. Do apelojmë dhe shkojmë në Gjykatën e Lartë”, tha ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi. “Përpara qendrave në Shqipëri, do të jetë një model i BE-së. Jo vetëm që do të ecim përpara me apelimet gjyqësore, por do të ecim përpara edhe me këto nisma sepse nga viti 2026 ato që Italia po zbaton në Shqipëri dhe jo vetëm atje, do të bëhen ligj europian”, tha ai. “Jam mësuar të respektoj vendimet e gjyqësorit por do të doja që të respektohen edhe vendimet e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, sepse demokracia bazohet në ndarjen trepalëshe të pushteteve. Gjyqësori duhet të zbatojë ligjet, jo t’i modifikojë ato”, tha ministri i Jashtëm Antonio Tajani. “Absurd! Gjykata nuk vërteton ndalimin e emigrantëve në Shqipëri. E majta gjyqësore i vjen në ndihmë të majtës parlamentare”, thuhet në një postim në profilin X të Fratelli d’Italia