Një “bombë” ra mëngjesin e së enjtes, më 23 tetor, në botën e sportit.
Arbitri i Euroligës së Basketbollit (ekuivalent i Champions League në futboll), 39-vjeçari Uros Nikoliç, u arrestua.
Uros Nikoliç, një gjyqtar në garën më të madhe të basketbollit në Evropë dhe ABA Liga, u arrestua pasi policia lokale gjeti 250,000 euro në apartamentin e tij, origjina e të cilave po hetohet. Lajmi u transmetua nga televizioni shtetëror serb, RTS, dhe Blic të enjten në mëngjes.
Blic shtoi se Nikoliç dyshohet për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, që u shpërbë në orët e fundit nga autoritetet serbe. Përveç Nikoliç, policia serbe arrestoi nëntë persona të tjerë në lidhje me rastin, teksa dyshimet bien edhe në fushën e lojërave të fatit apo basteve sportive.
Gjyqtarit i janë gjetur edhe sende luksoze, si ora të shtrenjta dhe makinë.
Organizata kriminale Vraçarci
Sipas mediave serbe, organizata kriminale në fjalë është e famshmja “Vračarci”, e udhëhequr nga Nikola Vušović (i burgosur në Gjermani) dhe Uroš Piperski (i burgosur në Portugali), të cilët kanë kryer një sërë krimesh të rënda.
Ndaj tyre po zhvillohen procedura penale në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme në Beograd për krime që lidhen me një organizatë kriminale. Sipas dosjes së çështjes, organizata dyshohet se:
Ka kryer krimin e vrasjes së rëndë kundër V..P më 1 dhjetor 2018 dhe në vitin 2020, ka kryer tre tentativa vrasjeje të rëndë kundër NA në vitin 2020 dhe, në tre raste në vitin 2020 dhe 2021, ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm.
Në të njëjtën kohë, anëtarët e një grupi të organizuar të lidhur akuzohen për kryerjen e vrasjes së rëndë kundër personit me iniciale K.V., më 18 qershor 2020, i cili ndërroi jetë nga plagët e marra më 12 korrik 2020.
Çështja mbetet në vazhdim në sistemin serb të drejtësisë, me autoritetet që po shqyrtojnë gjurmën e plotë të veprimeve të atyre që janë përfshirë gjatë periudhës në fjalë.
Nikoliç në Euroligë
Serbi ishte gjyqtar në Final Four në Abu Dhabi, ndërsa këtë sezon ai ka arbitruar, ndër të tjera, ndeshjen midis Panathinaikos dhe Bayern Munich dhe Olympiacos dhe Real Madrid në Madrid.
Sipas mediave serbe, anëtarët e organizatës kriminale, organizatorët e së cilës janë në burg, po hetohen për vepra të rënda penale. Të arrestuarit akuzohen, ndër të tjera, për dy vrasje dhe tre tentativa vrasjeje.
Herë pas herë ndaj tij ka pasur reagime nga ekipet për një gjykim jo të drejtë, por autoritetet ende nuk kanë shpjeguar nëse arrestimi i tij lidhet me bastet apo në bashkëpunim në krimet e rënda.