Një nga personazhet e njohur të botës së krimit, Durim Bami u ri-arrestua për së dyti në Dubai disa ditë më parë dhe pritet të ekstradohet së shpejti në vendin tonë.
Mirëpo, i ftuar në ”Të Pashoq”, avokati i njohur Arben Llangozi thotë se e sheh të pamundur ekstradimin.
Sipas tij, ndalimi është bërë për t’i bërë presion Ilir Metës, por ai hedh poshtë çdo mundësi që ky personazh të rëndojë pozitat ligjore të ish-Presidentit.
“Këto janë thashetheme që i bëhet presion zotit Meta për të mos treguar më tej. Meta ndodhet në burg i akuzuar për disa vepra të rënda. Rruga me drejtësinë e Metës do jetë shumë e gjatë. Duke njohur dhe tipin e tij agresiv dhe tregon çdo gjë për kundërshtarët e tij, mendoj se do ketë marrëveshje me SPAK për të treguar, zbardhur çdo gjë kundër kryeministrit. Mesazhet e para janë dhënë nga Kryemadhi, se në telefonin tim ndodhen krime që i ka kryer Rama. Por edhe deklarata të Berishës që i bën thirrje Kryemadhit të tregojë të vërtetën për zotin Meta. Po i bëhet presion Metës me Durim Bamin për ta tkurrur nga një marrëveshje e mundshme”, thotë avokati.
Madje, avokati është skeptik edhe për ekstradimin e Bamit, pasi e sheh të pamundur të ndodhë, duke qenë se vendi ynë nuk ka marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe.