U nis me anijet e Gretës drejt Gazës, aktivistja feministe nga Kosova, mes të ndaluarve në Izrael

Forcat izraelite kanë ndaluar 13 anije që në bord kishin aktivistë të huaj dhe ishin nisur drejt Gazës, ndërsa 30 anije të tjera vijojnë lundrimin, sipas organizatorëve të flotës.

Mes aktivistëve nga 40 vende të botës, sipas organizatës Kolektivi Feminist, ndodhet edhe shqiptarja nga Kosova, Albulena Fazliu, e cila është bashkuar me flotiljen globale “Sumud” për të mbështetur popullin palestinez.

“Ndër aktivistët/et që kanë mësyrë të hapin një korridor humanitar është edhe Albulena Fazliu. Ajo tashmë është kidnapuar nga Izraeli”, thuhet në deklaratën e tyre.

Në mesin e pasagjerëve të flotiljes ishte edhe aktivistja suedeze për klimën, Greta Thunberg, e filmuar nga një video e shpërndarë nga ministria e Jashtme izraelite ku shfaqej e rrethuar nga ushtarët.

Autoritetet izraelite kanë njoftuar se të ndaluarit do të shoqërohen paqësisht dhe do të procesohen me shpejtësi për t’u dëbuar jashtë vendit.

Ata shpresonin të hynin në Gaza për t’i dorëzuar ndihma popullit palestines, por injoruan thirrjet e Izraelit për t’i dorëzuar ndihmat te ata, që më pas të shpërndaheshin sipas procedurave, pasi edhe t’i nënshtroheshin kontrollit.