Emisioni Fiks Fare dokumentoi me pamje shfrytëzimin barbar të Malit të Tomorrit. Disa firma operojnë në zonën e Skraparit, teksa marrin mermer prej shumë vitesh.
Ndërkohë, pavarësisht se në letrat e pushtetit lokal zona del pyll dhe kullotë, fizikisht e gjithë zona është shkatërruar.
Fiks Fare udhëtoi në fshatin Mëlovë, në Skrapar, te guroret e mermerit. Lejet e para për shfrytëzimin e mermerit kanë filluar pas viteve 2000, ku deri më sot janë dhënë mbi 10 leje. Pjesa më e madhe e tyre janë dhënë në anën lindore të Malit të Tomorrit.
Ndërkohë, vetë Mali i Tomorrit është shpallur Park Kombëtar, në vitin 2012. Territori i guroreve, brenda Malit të Shenjtë, pranë fshatit Mëlovë dhe në Qafën e Dëvrisë, u lanë jashtë parkut. Sipas Zonave të Mbrojtura, Mali i Tomorrit është një mal i veçantë e mbresëlënës. Ai nuk është vetëm mali më i veçantë në Shqipëri, por është cilësuar edhe si më enigmatiku, si pasojë e shumë gojëdhënave që ekzistojnë për të.
Megjithatë, pamja në terren është krejt e kundërta me ato çka shkruajnë institucionet. Mali po shfrytëzohet barbarisht prej më shumë se 20 vitesh. Në qindra hektarë janë bërë karriera të mëdha guroreje mermeri. Fiksi filmoi guroren e mermerit më të madhe në zonë. Kamionët e tonazhit të rëndë transportonin mbetjet e mermerit. Këto mbetje hidheshin në një shpat mali, nga ana e Luginës së Tomorricës.
Ndërkohë, nga ana më jugore e Malit të Tomorrit, janë guroret e tjera. Punojnë me të njëjtën metodë; shfrytëzim dhe masakrim i të gjithë zonës. Gurët hidhen vend e pavend, në pjesë të pyllëzuara. Fiksi filmoi disa automjete të tonazhit të rëndë duke hedhur mbetje sërish në një greminë, ndërkohë që e gjithë rruga për në disa fshatra të Skraparit është e mbushur me gurë.
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare ankohen disa familje, ndër të tjera edhe z. Bardhyl Kalemi, i cili thotë se është një nga disa pronarët e një sipërfaqe prej 740 hektarësh të ndodhur në fshatin Mëlovë, Skrapar. Sipas tij, familjet janë njohur pronare në vitin 2015 me vendim të Gjykatës së Beratit, i pa apeluar. Pas këtij vendimi, prona është regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Ndërkohë, vetëm pas regjistrimit, Agjencia e Trajtimit të Pronave u bën kallëzim penal familjeve dhe punonjësve të Kadastrës për falsifikim dhe shpërdorim detyre. Në vitin
2018, me një vendim të ndërmjetëm dhe sigurim padie, Prokuroria e Beratit vendosi
sekuestro preventive. Çështja penale shkoi në Gjykatën e Beratit, e cila vendosi të shpallë
të pafajshëm të gjithë të akuzuarit. Madje, në pikën 2 të vendimit, urdhëron Kadastrën që
të heqë sekuestron preventive.
Por, çfarë po ndodh në terren me pronën?!
Sipas z. Bardhyl Kalemi, prona vijon të shfrytëzohet nga firma “Stone Works” dhe me
administrator një shtetas grek. Pronar me letra rezulton një firmë po greke “Pavlidis S.A.
Marble – Granite”.
Ndërkohë, z. Kalemi thotë se administratorë shqiptare të firmës kanë qenë shtetasit Muharrem Berisha dhe Nexhip Xhaja. “Kam mësuar se gurorja është e Ilir Metës. Të gjithë në Skrapar e dinë që është e tija. Ai ka vendosur fillimisht administrator z. Muharrem Berisha, që ka qenë trajner i peshëngritjes. Atje janë njohur dhe ai e ka dërguar te gurorja” thotë Bardhyl Kalemi. Sipas tij, 3 familjet po bëjnë nga 20 vite që luftojnë me këto emra, por deri më sot s’ia kanë dalë t’a marrin.
“Firma na thotë se ka kontratë me Bashkinë e Skraparit. Pyesim bashkinë dhe na përgjigjen se s’kemi kontratë, se prona është e jona” shton Bardhyli.
Pas kësaj përgjigje, fiksi shkoi te Drejtoria Pyjore e Bashkisë së Skraparit, ku drejtori thotë se nuk e ka fare si fond. Sipas tij, prona është e familjarëve dhe ata duhet të vendosin më pas, pasi kanë certifikata pronësie.
Grupi i emisionit investigativ u interesua edhe te Bashkia e Skraparit, ku gazetarët takojnë juristen dhe kryetarin e bashkisë Adriatik Mema. Juristja thotë se bashkia s’ka bërë kontratë me firmën dhe se është e paqartë se si funksionon. Sipas saj, lejet jepen nga ministritë përkatëse, ndërkohë që pushteti lokal veçse heq zonën nga Fondi Pyjor dhe Kullosor. Sipas saj, zona dhe territori i guroreve ende nuk është hequr nga fondi pyjor e
kullosor!
Në bisedë me juristen, vjen edhe kryetari i Bashkisë, z. Mema, i cili është i dyzuar nëse firma duhet të operojë në atë zonë apo jo. Sipas tij, është marrë vendim për ta hequr nga fondi pyjor nga Këshilli Bashkiak dhe më pas i kalon ministrisë dhe më pas qeverisë apo të hiqet me ligj. “Diçka e tillë nuk ka ndodhur. Me ligj s’duhet të operojnë” shton mëma. Fiksi e pyet se zona ka pronarë, ndërkohë që juristja thotë se leja është dhënë në prill
2015, ndërkohë që certifikata e familjeve ka dalë në qershor 2015.
Fiksi shkoi edhe te kantieri i firmës “Stone Works” në Mëlovë, por punonjësit thanë se “s’kanë shef dhe përgjegjës”. Gazetarët mësuan në bashki se një përgjegjës është z. Nexhip Xhaja, duke e telefonuar për t’i marrë intervistë, por ai ndodhej në Tiranë dhe s’mundej të takonte grupin e Fiks Fare.

Gurorja në malin e Tomorit