Anija kineze dyshohet se ka këputur linjën e internetit mes Gjermanisë dhe Finlandës

Një anije kineze dyshohet se ka këputur kabllin e komunikimit që shtrihet nën det midis Gjermanisë dhe Finlandës.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pa përmendur emra, tha se ky ishte një “akt hibrid”, dhe se “askush nuk beson se kablli u këput aksidentalisht”.

Kablli optik 1,170 kilometra i gjatë u këput të hënën në mëngjes, kur u ndërpre edhe interneti për një pjesë të Suedisë, Gjermanisë, Finlandës dhe Lituanisë.

Gjermania dhe Finlanda thanë se janë “thellësisht të shqetësuara” nga shkëputja e kabllos së komunikimit C-Lion1, duke shtuar se siguria e Evropës kërcënohet nga lufta e Rusisë, “por edhe nga lufta hibride nga aktorët keqdashës”.

Aktualisht, tre anije të rojes daneze kanë shoqëruar një anije kineze, që dyshohet se mund të jetë shkaktare e këputjes së kabllit. Shpesh kjo ndodh kur anijet lundrojnë pa e ngritur spirancën duke e tërhequr atë në bazenin e detit teksa dëmton linjat që ndodhen aty.