Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të japë garanci dhe të ndërtojë besim lidhur me aktivitetet bërthamore të Republikës Islamike.
Pezeshkian theksoi gjithashtu se Teherani nuk do të pranojë kurrë që aktivitetet bërthamore të reduktohen në zero.
“Republika Islamike e Iranit është e gatshme për negociata dhe dialog për zgjidhjen e çështjeve, por çdo bisedim apo parakusht do të pranohet vetëm në kuadrin e ligjeve dhe normave ndërkombëtare. Përballë agresionit të Izraelit, përgjigjja jonë do të jetë edhe më vendimtare dhe më e fuqishme. Që në fillim kemi synuar forcimin e bashkëpunimit me të gjitha vendet e botës, mbi bazën e besimit dhe respektit të ndërsjellë. Megjithatë, ishte regjimi sionist ai që e prishi këtë rrugë që në ditën e parë,”- u shpreh Pezeshkian.
Kujtojmë se më 13 qershor, Izraeli ndërmori një sërë sulmesh të mëdha ndaj Iranit, për të cilat pretendon se kishin në shënjestër objekte bërthamore dhe oficerë të lartë ushtarakë. Këto sulme shkaktuan kundërpërgjigje të menjëhershme nga Teherani, duke nxitur një javë përleshjesh intensive që tashmë kanë shkaktuar pasoja të rënda për civilët dhe infrastrukturën.
Irani ka ndërtuar infrastrukturën e tij bërthamore që nga vitet 1960, me disa nga objektet e vendosura nën tokë. Vendi zotëron kapacitetin për të gjitha fazat e prodhimit të uraniumit, nga nxjerrja deri tek pasurimi dhe ka këmbëngulur prej kohësh se programi është paqësor dhe i dedikuar prodhimit të energjisë për qëllime civile.