Sot do të jetë dita më e nxehtë, temperaturat do shkojnë deri në 41°C

Sot pritet të jetë edhe dita më e nxehtë për këtë verë deri më tani, me temperatura që ngjiten deri në 41 grade C.

“Sot presim temperatura 39-40 në shumë qytete dhe 41 gradë vetëm në qarkun e Beratit. Qarku Vlorë do jetë pak më i freskët”, thotë sinoptikania Lajda Porja.

Fundjava do të jetë me temperatura 39 gradë dhe në po të njëjtat ujëra do të mbetet edhe fillimi i javës së ardhshme. Vala e të nxehtit që ka goditur pjesën më të madhe të Europës, në vendin tonë pritet të ketë një tërheqje për pak ditë, të mërkurën.

“Kemi një freskim nga mesi i javës tjetër, nga e mërkura ku të paktën për 3 apo 4 ditë do të marrim frymë. Termometri ulet deri në 34 apo 35, por do jetë e shkurtër si kohë”, tha Porja.

Muaji korrik parashikohet të jetë me temperatura të larta, të cilat do të qëndrojnë të tilla për disa ditë njëra pas tjetrës.

“Është parashikuar që korriku të jetë mjaft i nxehtë. Nuk presim të thyhen rekordet, po do ketë shumë ditë, 7 apo 10 ditë me temperatura që luhaten nga 37-39”, tha sinoptikania.

Vera me temperaturën më të lartë të shënuar përgjatë këtyre viteve të fundit është ajo e 2023-it, kur termometri në korrik shënoi 43.6 gradë në Elbasan.